Mentor Nazarko, 04.11.2009
Duke dëgjuar të gjithë zërat politikë dhe mediatikë, madje dhe ata ndërkombëtarë që u artikuluan në lidhje me dhunimin e gazetarit Mero Baze, instinktivisht vihesh në kërkim të një koncepti që do të mund të përkufizonte si një emërues i përbashkët shfaqje të ngjashme të jetës sonë në pluralizëm. Me qejf të shkon mendja te një koncept, siç është ai pandëshkueshmërisë. Rrahja e tij, që nga vëzhgues ndërkombëtarë siç është ambasada amerikane u konsiderua si rrahje për shkak të detyrës, apo “bënim i lirisë së shtypit”, është shfaqja më e fundit e instalimit thuajse përfundimtar të një dukurie të rrezikshme, apo madje saktësisht i një mosdukurie në shoqërinë tonë, siç është pandëshkueshmëria. Po e shtjelloj pak më hollësisht këtë mosdukuri që lidhet me pandëshkueshmërinë për ata që kryejnë krime, kundërvajtje, abuzime me gjënë publike dhe private etj., etj.
Partia Demokratike humbi zgjedhjet lokale të 2007-ës. Nën qeverisjen e saj ndodhi tragjedia e Gërdecit, që me shumë gjasa sheh të përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar në një histori tragjike korrupsioni, por ajo nuk u ndëshkua me votë. Falë aleancës me LSI-në, kreu i saj vazhdon të mbetet kryeministër. PD mori një mandat të dytë dhe një mandat i dytë në këto kushte është i prirur të prodhojë arrogancë pushteti. Vini re se ç’ndodhi dhe ç’po ndodh: pas arrogancës së shfaqur në periudhën midis zgjedhjeve dhe instalimit të qeverisë së re me lejet për fabrika çimentoje, ndryshimet në vijën e verdhë të Tiranës etj., po shtohet intensiteti i arrogancës. Berisha kësaj kritike për arrogancë të shtuar prej mandatit të dytë, iu përgjigj në mënyrë cinike: do të jemi më të kujdesshëm sepse do të marrim mandatin e tretë, por vetëm kujdes nuk duket asgjëkund! Ja shfaqjet e arrogancës.
Në të gjithë bashkitë e fituara nga socialistët, po rikrijohen shumicat falë aleancës PD-LSI, të cilat përveçse po ndryshojnë krerët e këshillave bashkiake, po bllokojnë miratimin e buxheteve, me gjithë thirrjet dashamirëse të Berishës për më shumë kompromis. Puna e Bashkisë së Tiranës duket e paralizuar nëpërmjet bllokimit të Këshillit të Rregullimit të Territorit dhe Këshillit Bashkiak. Nëpërmjet një normative të re, qeveria shtoi kontrollin mbi financat e bashkive të drejtuara nga të majtët, gjoja nëpërmjet vendosjes së kriterit të konkurrueshmërisë me projekte nga ana e bashkive, të cilat do të vlerësohen nga qeveria! Akt arrogance është dhe përplasja në sheshin kryesor të kryeqytetit, pa folur për grackën që synohet t’i ngrihet kryebashkiakut që i bie të “prishë lulishte për të ngritur grataçelë”. Qeveria pretendon se bashkia nuk ka kapacitete financiare për të ndërtuar unazën e re të Tiranës, dhe ja vjedh kompetencën bashkisë, duke shpallur si formulë realizimi koncesionin.
Po a përdoren paratë e privatëve në formula koncesionare dhe të njëjtën gjë mund ta bënte dhe bashkia? Disa biznesmenë apo drejtues mediash që mendohen se ndihmojnë opozitën janë ndëshkuar me kontrolle të rrepta, prishje antenash apo aparaturash, duke filluar që në ditët e para pas shpalljes së rezultateve të 28 qershorit. Arrogancë me pronat e qytetarëve kemi dhe në zonat turistike të jugut, ku përfliten në mënyrë të besueshme njerëz të afërt me kryeministrin. Kjo arrogancë nuk duket se hëpërhë ka gjasa të ndëshkohet, përveçse me votë. Po kur do të ndodhë kjo? Edhe votat vidhen sistematikisht nga socialistët dhe demokratët në pushtet, por deri më tani askush nuk është ndëshkuar për vjedhje vote.
Mesazhi i pandëshkueshmërisë na vjen dhe nga vendimet e Gjykatës së Lartë dhe për pasojë dhe të Prokurorisë së Përgjithshme për rastet e dy ministrave Mediu dhe Basha. Vetë rasti i biznesmenit të përfolur si i përfshirë në rrahjen e Bazes duket gjasisht si rast pandëshkueshmërie për ato që konsiderohen si abuzime makroskopike të tijat me detyrimet tatimore për shkak të miqësisë me kryeministrin. Pandëshkueshmëri kemi madje edhe në rast se pranojmë tezën e Berishës, viktimës kryesore të Bazes në rubrikat e tij satirike apo investigative, apo dhe të viktimave të tjera, që pretendojnë se Baze shpif. Me një prapavijë djallëzore të zhvlerësimit të akuzave mediatike, kryeministri Berisha shpalli se gjatë drejtimit të tij nuk do të ketë gjyqe kundër gazetarëve. Pra ata nuk do të ndëshkohen nëse shpifin, por ama kjo nuk ka bërë që klima e presionit ndaj tyre të zvogëlohet apo që të rritet liria e medias, siç na e bëri të qartë një raport ndërkombëtar i fundit. Me një fjalë mosndëshkimi i Bazes me rrugë gjyqësore prodhon dhunimin e tij publik.
Roli i opozitës dhe institucioneve
Sulmi ndaj Bazes është produkt dhe i një situate tjetër absurde. Praktikisht Mero Baze për shkak të specializimit të tij në gazetarinë investigative, eksperiencës, penës së fortë etj., është sot zëri më kritik dhe më i fortë kundër qeverisë Berisha. Madje zë më i fortë dhe se opozita vetë. Por akuzat e tij nuk replikohen, pra nuk përgënjeshtrohen nga qeveria për shkak të lojës djallëzore të kreut të qeverisë, që synon zhvleftësimin e akuzave nëpërmjet injorimit. Ndërkohë këto akuza me ndonjë përjashtim të vogël nuk futen në cirkuitin mediatik nëpërmjet penave të tjera që mund t’i forcojnë ato, apo dhe t’i zhvleftësojnë, edhe për shkak të censurës së pronarëve mbi mediat. Opozita që dikur në mandatin e parë të Berishës nuk i çmonte këto akuza, sot po përpiqet të bëjë të kundërtën, pra t’i japë besueshmëri akuzave të Bazes.
Ajo nuk është në parlament ku mund t’i kanalizonte institucionalisht ato, duke e çliruar presionin mbi Bazen – zëri i vetëm akuzues i qeverisë, por i replikon ato vetëm nga jashtë institucioneve. E gjitha kjo e ka bërë më të bezdisshëm Bazen për qeverinë dhe lidhjet e saj të biznesit, për pasojë dhe më të ekspozuar. Ndërkohë ata që duhet të reagonin dhe nuk e bëjnë, janë institucionet. Prokuroria për shkak të kësaj klime tradicionale mosbesimi ndaj akuzave me origjinë mediatike nuk hedh asnjë hap për t’i vërtetuar ato gjyqësisht. Për shkak të presionit të madh qeveritar ushtruar mbi të, natyrshëm dhe për shkak të mandatit të dytë të Berishës në pushtet, ajo nuk duket se është në lartësinë e detyrës. Gjykatat veçanërisht ato të shkallëve të larta gjithashtu e ndiejnë presionin politik dhe për pasojë niveli i pandëshkueshmërisë shoqërore rritet.
Kur në një vend nuk ndëshkohet askush për shkeljet e ligjit, atëherë në të nuk ka rend juridik. Kjo mungesë rendi është paradhoma e vetëgjyqësisë, dhe vetëgjyqësia masive është anarki. Shtetit po i mungon dendur funksioni i ruajtjes së ligjit në emër të interesave publikë, që privatizohen. Aktet e fundit siç janë dhunimi i gazetarit kurajoz Baze, përplasja me policët në Orikum, apo në Ballsh, përfaqësojnë vetëm një parathënie e asaj që mund të ndodhë në vend. Kur të gjithë ata që dhunojnë ligjin mendojnë se nuk do të ndëshkohen asnjëherë.