TemA, 8 Mars 2013
Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, në një intervistë dhënë agjencisë shtetërore të lajmeve- ATSH, ka folur për sukseset më të mëdha të qeverisë, të arritura me kontributin e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Sipas Panaritit, Ministria e Jashtme dhe ajo e Energjetikës janë sektorët më të suksesshëm të qeverisë. Deklarata e Panaritit behet në një kohë kur një dokument zyrtar tregon për gjendjen e mjerueshme të ambasadës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas dokumentit, ambasada është praktikisht e falimentuar dhe në pamundësi të sigurojë as jetesën e përditshme të diplomatëve me paratë që i jep qeveria, e jo më funksionet diplomatike.
Ndërsa Panariti në intervistën e tij thotë se: “Kontributi i LSI-së në drejtimin e dy dikastereve të qeverisë atë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Ekonomisë dhe Energjetikës ka rezultuar përcaktues në nënshkrimin e marrëveshjeve për projektin e gazsjellësit transadriatik (TAP), i cili pritet të jetë projekt fitues”.
Ministri i Jashtëm, në intervistën e tij nuk ka folur asnjë rresht për letrën e publikuar që mbante firmën e ambasadorit, Gilbert Galanxhi, e cila i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme, Gazmend Turdiu.
Megjithëse letra zbulonte se ambasada shqiptare në SHBA, përveçse nuk ka para të paguajë pastruese dhe sekretare është e vetmja ambasadë në Uashington që nuk ka shofer dhe as karburant për makinën, Panariti flet në intervistë për sukseset e forcës politike që ai përfaqëson në qeverinë shqiptare.
Po ashtu, Panariti është ndalur dhe në situatën e tensionuar në rajon, ku sipas tij, Shqipëria është një faktor i rëndësishme stabiliteti.
Ngjarjet e ndodhura në Maqedoni, Ministri i Jashtëm i ka konsideruar akte kriminale të patolerueshme. “Shqetësimi ynë më i madh është se rishfaqja e incidenteve me sfond etnik dhe rritja artificiale e tensioneve në Republikën e Maqedonisë, është sinjal alarmi për të gjithë ata, që të ardhmen e rajonit tonë e shohin në familjen e Bashkimit Evropian, dhe jo si një rikthim tek e shkuara e tensioneve apo konflikteve etnike”, ka deklaruar për ATSH-në Panariti.