Pakti detar, një “state of art” i mbrapshtë

0
45

Nga Prof. Asoc. Dr. Myslim PASHA

Pakti Detar midis Shqipërisë dhe Greqisë që tanimë është rrëzuar, “pra: s’është më…” në fakt ende vijon të jetë, dhe në çdo stinë del në skenë, herë me një lloj kanosjeje “të butë” nga shteti fqinj, i cili, siç ndodhi para dy muajsh nga Ministri i Jashtëm i Lambrinidis që rrëfeu para të gjithëve se “e kemi një Marrëveshje… dhe ajo duhet të ratifikohet…” dhe herë-herë, si atypari, si një rrëfim përralle “na ishte njëherë…”

Në tërësi duket se ish-Pakti ka hyrë, tanimë, në historinë diplomatike në ndarjen detare midis shteteve sipas Të Drejtës Ndërkombëtare Detare, si një rast unik, dhe që do të citohet herë pas here, si një përvojë e jashtëzakonshme. Duke ndjekur hullinë tanimë historike, na del se protagonistë të saj: si Znj. Bakojanis, ish-Ministre e Jashtme të shfaqë në një farë mënyre, jo vetëm skena, por edhe me gjasa, zbulesa për prapaskena. A duhet të ketë të tilla? Padyshim që duhet të ketë, sepse Paktin Detar e përgatitën njerëz, ekspertë, politikanë dhe figura të larta shtetërore, dhe ata kanë dëshmi e gjurmë në të.

1. “ Marrëveshje e përsosur”

“Për Greqinë ajo ishte një marrëveshje e përsosur” – thuhet në një deklaratë të fundit në televizionin e njohur “SKY” të shtetit fqinj. Ndajshtimi “e përsosur” nuk është një miklim as cilësim për kërshërinë që kanë njerëzit në të dy vendet. Për më shumë: në të dy krahët, ky tipizim, është një grusht i dukshëm ndaj qëllimeve e te “përsosura!!!” që kish njëra palë ndaj tjetrës, për këtë “marrëveshje e përsosur” (!!!) Por, tanimë dihet se sa synimkëqija ishin ndaj Shqipërisë. Në të vërtetë, pala Greke nuk bëri gjë tjetër, veçse shfrytëzoi mjetet ligjore, përvojën dhe diplomacinë për të realizuar qëllimet e saj. Kurse qeveria shqiptare në paranojën e saj fitimtare firmosi dhe brohoriti shpërfilljen e interesave kombëtare.

2. “State of Art”

“State for art” na kumton një nivel i lartë njohurish dhe po aq zhvillimore që janë arritur në një fushë teknike dhe shkencore. Kjo duhet të ishte produkti “i përsosur” Paktit. Në të, do të nënkuptoheshin, se qenë përdorur bukurisht, mjetet ligjore, të së drejtës detare ndërkombëtare, të hartografisë dhe detarisë, në fushën kërkimore në metodologji, në një kohë të caktuar, ku gjeopolitika as që dukej gjëkund në horizontin Mesdhetar. Padyshim me një njohje të Ligjit të Detit të ekspertizës së duhur teknike, ligjore dhe diplomatike ajo do të vinte, si në një kurth dhe pala shqiptare do të notonte në një det të gabuar dhe të humbur.

Kaq “përsosur”, pa u ndjerë dhe pa u bërë ndonjë tejdukshmëri për opinionin e të dy shteteve, Pakti pat ardhur gati si një vepër arti. Kish edhe një kënaqësi të veçantë të arritur, që duhet thënë se ishte “një sukses!!” edhe për Qeverinë Shqiptare.

“Po vet shqiptarët, a dinë gjë? “ Deti, ja ku është!” “Ka ujë, dhe shelf sa të duash!” “Hidhe në Det të mirën dhe ajo do të dalë në tokë.”

Po kush ish ajo kornizë që e mbërtheu aq bukur, e që nuk mund ta shihje aq kollaj, për të gjetur ndonjë të çarë, e as një hollësi teknike, të zbuluar?

Dukej jo si një punë hartografike dhe hidrografike, por në saje të “make up”-it vinte si një mashtrim “i përsosur” duke sjellë i gjithë ato buzëqeshje, ato fjalë të përzgjedhura, që ngjanin sikur vinin prej idesh të përbashkëta, në dypërfshirjet shtetërore, por, ama, në një det që kërkonte të drejtën e tij përkatëse. “Metoda e baraslargësisë” sillte barazinë e kompasit, matematikën e gjeometrinë e mashtrimit të madh.

Të ishte vallë kjo: “State for art”? – e cila pruri atë Marrëveshje që ra “që me goditjen e parë” sado që mjeshtërisht ish gatuar? Padrejtësia dhe gënjeshtra i kanë këmbët shumë të shkurtra, për atë det të historisë sonë të përbashkët.

Ku mbahen vallë të fshehura ato dosje? Brenda tyre ishte arti i shpërfilljes së interesave të shqiptarëve.

3. Ryshfeti

A ka fyerja më të rëndë se të thuash sot se “Tyrqia ka paguar ryshfete!” dhe ka blerë Anëtare të Gjykatës Kushtetuese!” etj. Kjo citohet sërish nga intervistë tek “SKY”

Del se Ryshfeti paska “valuar”… Shqipëria është në stade të larta të korrupsionit, siç edhe u shpërfaq kohët e fundit, edhe nga “Transparency International”. Po në rastin që zbulohet dhe komentohet, vjen nga shteti fqinj, e ky korrupsion ka karakter Mesdhetar e Ballkanik, të përfytyruar si një lidhje me pakte të fshehta të e mundshme, po edhe me gjeopolitikën.

“Turqia“ na qenka futur deri në qendër të Gjykatës sonë Kushtetuese “dhe e paska blerë atë!” Si vallë mund të precipitojë kësillojshëm, një deklaratë prej një politikaneje të lartë, e cila në këtë rast, ka kujtuar se me një hedhje guri, prej fjalës së saj ka plapuritur në tokë dy zogj mesdhetarë, që ashtu si kundër dhe Greqia kanë dëshirën e lartë të bashkëjetesës fqinjore në brigjet e të njëjtit Det. Përfytyroni tani me tollovinë shqiptare, të korrupsionit, po edhe të krizës greke të sotme, të hidhet një shashkë e tillë, sidomos për Shqipërinë e vonuar, që edhe një ndodhi si ajo e Gjykatës Kushtetuese e cila veproi në pavarësinë e saj, të përbaltet kësisoj, dhe shteti ynë modern në qetësinë e tij, miraton hamendje të tilla, si një spektator i rëndomtë pa thënë as gjysmë fjale.

Pse vallë kjo marrëveshja paska “ ngacmuar Turqinë…”( citohet i njëjti burim, shiko Gazeta Shqiptare, 6 dhjetor 2011.) E vërteta e zhvillimit të ngjarjeve për këtë Pakt famëkeq, tregoi para botës se rrjedha e shqyrtimit të tij, ish një vërtetim teknik dhe ligjor, fare i hapur po edhe argumentuar para gjithë opinionit ku s’kish jo vetëm shkak, por edhe as kohë që Turqia të paguante “ryshfet” tek gjyqtarët tanë.

4. Qëllimet e realizuara (parealizuara) të Politikës së jashtme greke.

Këto qëllime u projektuan dhe sollën një Projekt dhe Pakt Detar. Ish një realitet i mezipritur, prej të dy palëve (!!!) (kështu u deklarua prej binomit fqinjor Greko-Shqiptar) Më shumë pala Greke, artikuloi “realizimin e qëllimeve të politikës së jashtme greke” Mbarimi i kësaj historie të trishtë dhe shumë të dyshimtë, nuk ia vlen më për deklarata të tillë se nëpërmjet tyre na zbulohen para syve qëllimet e mbrapshta të cilat u shërbyen me atë “state of art”, por që nuk mund të realizoheshin aq kollaj. Është e rëndësishme të thuhet se kjo histori nuk duhet të përsëritet, dhe s’ka se si të përsëritet me të njëjtin skenar, se kjo do të qe fatale, e as të trazohen marrëdhëniet midis shteteve në Ballkan, nëpërmjet dyshimesh fare të pabazuara, sepse Deti i ka bashkuar vendet tona më shumë se i ka ndarë ato.