Nga Mero Baze
Të gjithë po bezdisim Ismail Kadarenë. Sikur të mos i mjaftonte turfullimi që ka pasur para se të ulej t’i shkruante një letër Lulëzim Bashës, tani ai duhet të dëgjojë dhe gjykimet ekstreme për një thirrje që i ka dalë nga shpirti, pa pasur nevojë të mendohej gjatë. Ngarendja për t’i treguar atij ligjin, moralin, historinë dhe sidomos popullin është barbare. Në aq pak rreshta ai na paralajmëron për të gjitha gjërat që nuk do të donte të dëgjonte dhe janë pikërisht këto që nuk di se si ka nerva t’i dëgjojë dhe lexojë.
Ismail Kadare është një monark kurnac, që nuk ndodh të të japë shansin të heshtësh, siç ja ka dhënë Lulëzim Bashës. Prej 20 vitesh kur ai ka dominuar publikisht me hijen e tij si gjykatës politikën shqiptare i ka kursyer mesazhet publike. As Ramiz Alisë nuk i ka bërë të tilla. Ka heshtur me dridhërimë për Sali Berishën në vitin 1997, duke mbajtur brenda vetes helmin e një historie që e torturonte. I ka parë me bezdi ata që shkojnë e vijnë duke rrëmbyer nga një copë në këtë vend, ashtu siç ka parë me bezdi dhe ankimet e opozitës për vjedhje votash. Ka një fuqi brenda tij që e shtyn gjithmonë të mos i shikojë të gjitha të këqijat e atdheut të tij, edhe pse gjithë artin e tij e ka ngritur nga detajet. Fakti që shpërtheu, nuk duhet komentuar, pasi kjo gjë e fyen më keq se përgjigja e filloristit Basha, që nuk di as të përdorë floririn e heshtjes në raste të tilla.
Për këtë arsye dua të përqendrohem tek Lulëzim Basha. Përfytyroni momentin kur e kanë njoftuar që Kadareja ka shkruar një letër. Përfytyroni pyetjet e tij përçart, ankthin për ta parë çfarë i ka thënë, telefonatat e pafundme me Berishën dhe gjithë ekipin elektoral, dhe më në fund çlirimin e tij banal, si një njeri që shpëton nga të prerat e barkut. Është çliruar se i ka treguar Kadaresë ligjin, zgjedhësit, dhe popullin e tij, a thua se ky i fundit i kishte kërkuar leje ndërtimi në bashki dhe ky duhet doemos ta sqaronte. Të kërkosh të heshti ky njeri në raste të tilla është luks. E mbaj mend kur familja Berisha e solli si kollovar në politikë në vitin 2005. Me dy- tri copa letra të nënvizuara shëtiste ekran më ekran dhe aktronte një pjesë nga drama e re që po rivinte në skenë Sali Berisha. E mbaj mend në vitin 2006 kur filluan të formuloheshin akuzat e para ndaj tij për korrupsion. I duheshin dhjetë telefonata për 5 fjalë të thëna publikisht, siç ja kërkonte Ai. E mbaj mend kur prokuroria i kërkoi të hiqte imunitetin për shkak të akuzës për abuzime deri në 220 milionë euro. Nuk kishte fuqi ta dorëzonte imunitetin vetë, por ju desh tri muaj ta shtynte deri sa për të vendosi Ai. E mbaj mend përpëlitjen e tij dhe presionin mbi prokurorët që të dështonin çështjen me procedura, që ai të mbetej pa u gjykuar, vetëm se kështu ja kërkonte Ai. Është nga njerëzit e rrallë të politikës në Shqipëri, që për një akuzë të rëndë mbi të, nuk ka pranuar të gjykohet por të fshihet. Mbaj mend sjelljen e tij prej fluturaku si ministër i Jashtëm, deklaratat e tij patriotike, dhe negocimin pa ju dridhur dora dhe syri të marrëveshjes për faljen e territoreve ujore Greqisë, vetëm për një mbështetje politike nga kryeministri grek, një muaj para zgjedhjeve të vitit 2009, vetëm pse kështu ia kërkonte Ai. E mbaj mend në ditë e zezë të 21 Janarit, kur u shfaq pas xhamit t blinduar të zyrës së Atij, duke bërë herë- herë si kokosh mbi pleh. Pas asaj fanepsje komike, la dhjetë fëmijë shqiptarë jetimë. Të gjithë ata fëmijë përveç dy vajzave të vogla të Aleksit, sot janë në gjendje të shikojnë lajme dhe tu fanitet buzagaz ky njeri që kërkon të rindezë luftën në këtë vend, duke shkelur ligjin, duke fyer shqiptarët dhe Misionin Ndërkombëtar që certifikon zgjedhjet, dhe mbi të gjitha duke folur në emër të popullit, vetëm se kështu flet dhe Ai. Ne të gjithë sot rrimë e vrasim kohën duke gjykuar sa nene të ligjit po shkel Arben Ristani për t’i dhënë mandatin Lulëzim Bashës apo sa fuqi ka Kolegji Zgjedhor të jetë në anën e drejtësisë në Shqipëri, por ju siguroj se mes miliona skeptikëve, njerëzit më të qartë për padrejtësinë janë fëmijët e Ziverit, Hekuranit, Aleksit dhe Faikut, të cilët shikojnë vrasësin e babait të tyre, të gatshëm për të futur njerëzit në luftë, vetëm pse kështu do Ai.
Ndaj është e rëndë që luksit historik të një letre të dalë nga shpirti i Kadares, t’i kundërvihet një përgjigje, e ardhur me e-mail nga një kompjuter i ATIJ, që e ka trajtuar këtë ngjarje si një ankesë të qytetarit Ismail Kadare. Keqkuptimi i madh është se Kadareja ka lëshuar një ofshamë dhe ka kërkuar ta dëgjojë Lulëzim Basha, por ky person nuk ekziston, dhe mos prit të kesh jehonë zëri në shkretëtirë. Që t’i kthesh përgjigje Ismail Kadaresë në këtë rast, duhet t’i vësh gjoksin betejës që po bën, dhe të kesh fuqi të marrësh në dorë fatin tënd. Së paku fatin tënd. Konflikti mes personalitetit dhe kauzës së gabuar, zgjidhet duke ruajtur personalitetin. Por këtu nuk jemi në rastin klasik. Zoti Basha nuk ka çfarë personaliteti të ruajë. Ai ka vetëm një rrugë, atë që i tregon Ai.