Padronët dhe padrinot e fatit tonë perëndimor

0
50

Nga Mero Baze

Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha u pa të ishte shoqëruesi i parë i zëvendëskryeministrit nën akuzë për kapje të shtetit, ryshfete financiare dhe përfitime të paligjshme. Pak para se të fillonte publikimi i videos shokuese në Fiks Fare, Lulëzim Basha hyri në zyrën e Ilir Metës dhe e shoqëroi atë deri në mesnatë. Ky fakt tërhoqi vëmendjen e medias shqiptare dhe asaj ndërkombëtare, si një rast i paprecedent. Pozicioni i Ministrit të Brendshëm në një vend është i mveshur apriori me një lloj autoriteti që mban larg personat e inkriminuar apo personazhe të kapur në flagrancë siç është rasti i Ilir Metës. Udhëtimi i çartur i Lulëzim Bashës drejt zyrës së një të pandehuri publik, është një gjest që duhet analizuar më thellë.

Edhe pse Lulëzim Basha është një personazh që nuk mund ta marrësh deri në fund seriozisht, veprimet e tij duhen analizuar pasi identifikojnë, jo atë që ka në kokë ai, por planin që i ka futur në kokë shefi i qeverisë. Shfaqja e Lulëzim Bashës në dyert e njeriut, ku një polic mund të trokiste vetëm për ta arrestuar, është një sinjal paranojak se pushteti është në anën e të pandehurit dhe se do ta mbrojë atë deri në fund. Fushata e reprezaljeve dhe arbitraritetit që ka paraprirë dy ditët e fundit në Fier, Patos dhe Vlorë, duke skeduar dhe futur në polici me dhunë qindra qytetarë, duket se është pjesë e një plani për të treguar dhëmbët dhe për të frenuar çdo valë të mundshme protestash që mund të destabilizojnë pushtetin pas këtij skandali.

Duke qenë prej kohësh në dijeni të këtij skandali, kur panë se ai do të bëhej publik, dyshja Basha- Meta, me sa duket vendosën të tregojnë forcën dhe të “krehin” popullatën e zonave që mund të sensibilizohej më shumë nga ky skandal. Kushdo që ka pak memorie në Partinë Demokratike, në kohën që Basha ka qenë refugjat dhe Meta kryeministër, të njëjtën gjë bënte Ilir Meta me militantët e PD-së. Çdo natë në Tiranë komisariatet mbusheshin me qindra prej tyre, u merreshin shenjat e gishtave dhe kërcënoheshin të mos dilnin më në protesta. E njëjta skemë po realizohet tani nga dyshja Basha- Meta, për të frenuar valën e protestave pas këtij skandali.

Leximi i dytë negativ i shoqërimit publik të Lulëzim Bashës me Ilir Metën, është garancia për njerëzit e inkriminuar në këtë skandal. Sinjali që u përçohet atyre është mos-ndëshkueshmëria. Me pamjen e tij të ngrirë prej klouni, Lulëzim Basha ishte dje shoqëruesi i parë i një njeriu, që çdo ministër tjetër i Brendshëm do ta kishte përcjellë për kortezi deri tek dera e qelisë. Siguria që Berisha kërkon tu japë njerëzve të inkriminuar për interesa të pushtetit, është e e vetmja armë që ai të ketë falangat e tij radikale kundër valës së protestave që duket se po nis në vend kundër qeverisë. Berisha është duke punuar të ndajë qartë dhe fort shoqërinë, duke zhdukur çdokënd që tenton të qëndrojë në mes.

Ai nuk është duke e ndarë shoqërinë në të pastër dhe të korruptuar, në të mirë dhe të keqe, në të majtë dhe të djathtë, por vetëm në njerëz që mbështesin me çdo kushtet pushtetin dhe njerëz që nuk e mbështesin atë. Të parët, qofshin këta kriminelë, hajdutë, trafikantë, ministra të majtë apo të djathtë, biznesmenë apo të varfër, kanë imunitet dhe nuk i prek askush, çfarëdo që të bëjnë. Ata kanë leje të plaçkitin dhe të vrasin po qe nevoja. Pjesa tjetër është pjesa e ndëshkuar. Ndaj saj mund të bësh çfarë të duash dhe askush nuk të prek.

Së fundmi ka dhe një arsye shumë private përse Lulëzim Basha i gjendet në krah Ilir Metës në këto çaste. Mos harroni se ai është një njeri nën akuzë, që nuk ka guxuar të gjykohet, por e ka mbyllur gjyqin me procedurë. Njësoj si Meta, mbi të rëndojnë miliona nga paret e shqiptarëve, të përfunduara në xhepa të dyshimtë. Njësoj si Ilir Meta ai ka makthin e hetimit dhe gjykimit, dhe pse jo makthin e qelisë që një ditë mund të hapet për të. Ndaj duhet t’ia kuptojmë dhe këtë anë të solidaritetit të tij me një të ngjashëm si ai.

Por, ndërsa arsyet private politike dhe shtetërore të Lulëzim Bashës e shtyjnë atë të bëhet barrikadë njerëzore për zëvendës/kryehajdutin e Shqipërisë, arsyet pse Shqipërisë mund t’i bllokohen financimet nga Bashkimi Evropian, apo rruga e saj drejt anëtarësimit në BE, lidhen sërish me këtë paradë hajdutësh para syve të shqiptarëve. Bashkimi Evropian theksoi dje qartë se nga mënyra se si do hetohet ky skandal, varet e ardhmja perëndimore e Shqipërisë, dhe se ligji duhet të zbatohet njësoj për të gjithë. Zëdhënësja e Komisionerit Fyle shtoi dhe faktin se financimet për Shqipërinë do të jenë të lidhura me mënyrën se si do të menaxhohet ky rast nga drejtësia.

A thua vlejnë këto dy figurina më shumë se e ardhmja perëndimore e Shqipërisë? A thua vlejnë vërtet këta dy të akuzuar për vjedhje milionash më shumë se fati i një vendi që po zvarritet si guri i Sizifit për tu ngjitur në rrugën drejt Perëndimit? Na kushton shumë më lirë t’i flakim dhe të zgjohemi nga kjo ëndërr e keqe ku ata shfaqen si padronët dhe padrinot e fatit tonë perëndimor.