Nga: EDUARD ZALOSHNJA
Kjo gazetë paraqiti në numrin e saj të 23 gushtit paditë më të bujshme për shpifje të dy vjetëve të fundit, që i kanë bërë njëri-tjetrit politikanët shqiptarë. Siç raporton gazeta, numri i padive të tilla arrin në dhjetëra. Në pamje të parë, kjo sasi e madhe e padive për shpifje të krijon përshtypjen sikur në Shqipëri liria e fjalës sulmohet pareshtur. Në fakt, bash e kundërta është e vërtetë; liria e fjalës në Shqipëri ka pësuar një inflacion të frikshëm.
Liria e fjalës është një nga të drejtat më të rëndësishme që një shtet demokratik i garanton qytetarëve të tij. Kjo e drejtë, ndër të tjera, i jep mundësinë individëve dhe grupimeve të krijuara prej tyre që të kritikojnë individë apo grupime të tjera, si dhe të ofrojnë alternativa më të mira për shoqërinë. Por si gjithë të drejtat e tjera që gëzojnë individët në një shtet demokratik, edhe liria e fjalës nuk është absolute.
Në një shtet të tillë, liria e çdo individi mbaron aty ku fjalët apo veprat e tij dëmtojnë në mënyrë arbitrare një individ tjetër, një grup individësh, apo shoqërinë në tërësi. Për shembull, e drejta për të lëvizur lirisht ka kufizimet e saj – po të shtypësh një njeri me veturën që po e nget në mënyrë të papërgjegjshme, rrezikon që liria e lëvizjes të të reduktohet për disa vite në lirinë për të shëtitur vetëm brenda mureve të burgut.
Në të njëjtën mënyrë, e drejta për aktivitet ekonomik privat ka kufizimet e saj – në qoftë se një kompani shet produkte që shkaktojnë sëmundjen ose vdekjen e blerësve, pronarët e saj rrezikojnë të përfundojnë ose në burg, ose në mbyllje të biznesit, ose në të dyja. Duke u kthyer tek liria e fjalës, në të gjitha shtetet demokratike, ajo kufizohet në rastet kur një individ, organizatë, institucion, apo zyrë qeveritare dëmton reputacionin e dikujt nëpërmjet një shpifjeje publike.
Në raste të tilla, ligjet e këtyre shteteve e mbrojnë personin që është fyer, kur ai është në gjendje të provojë se i është shkaktuar dëm moral ose material nga një deklarim publik, dhe se deklarimi është i pavërtetë. Edhe ligjet shqiptare, duke parashikuar dëmshpërblim për rastet e shpifjeve publike, ia sigurojnë një mbrojtje të tillë personave që fyhen pa të drejtë publikisht.
Madje, një nen i Kodit Penal shqiptar parashikon edhe burgim deri në 2 vjet për rastet e fyerjes së një zyrtari të lartë. Kuptohet që ky nen është një atavizëm krejt i panevojshëm nga koha e diktaturës komuniste – kohë në të cilën mund të burgoseshe thjesht për ato që thoshe ose shkruaje, ndërkohë që nuk kishe bërë ose planifikuar ndonjë vepër që do të shkaktonte dëm fizik ndaj individëve apo shoqërisë.
Sidoqoftë, politikanët shqiptarë kanë gjetur një përdorim të vlefshëm për këtë nen atavik. Ironikisht, ky nen përdoret shpesh në Shqipëri jo për të dënuar realisht shpifësin, por thjesht për t’iu kundërpërgjigjur sulmit të kundërshtarit. Duke qenë të sigurt se prokuroria i arkivon paditë penale për shpifje, politikanët e akuzuar për diçka dalin menjëherë të nesërmen dhe deklarojnë se kanë paraqitur një padi penale për shpifje ndaj personit që i ka sulmuar. Në këtë mënyrë, ata i japin mesazhin publikut se janë krejt të pastër dhe se pastërtinë e tyre mund ta provojnë edhe në sallën e gjyqit.
Kjo mundësi për të luajtur me publikun do t’u hiqej politikanëve tanë në qoftë se do të shfuqizohej neni i Kodit Penal shqiptar që parashikon edhe burgim deri në 2 vjet për rastet e ofendimit të një zyrtari të lartë. Duke hequr shpifjen nga lista e veprave penale, prokuroria nuk do të mund të shërbente më për politikanët si një muslluk që s’ka ujë. Pra, ata nuk do të mund të depozitojnë më atje padi për shpifje dhe të justifikohen se fajin e ka prokuroria që s’i ndjek paditë e tyre. Në rast se shpifja konsiderohet vetëm si një vepër civile që dëmton një individ apo grupim individësh, këta do të mund të bënin vetëm një padi civile.
Dhe padia civile bëhet në gjykatë, jo në prokurori. Si rrjedhim, ajo nuk mund të arkivohet dot. Herët a vonë, një padie të tillë do t’i vijë radha të gjykohet. Pikërisht kësaj duket se i druhen politikanët tanë. Prandaj dhe ata bëjnë padi penale, të cilat thjesht u shtohen dhjetëra të tjerave të arkivuara më parë. Si rezultat, në Shqipëri ekziston një liri pa kufi e fjalës, e cila ka bërë që vetë fjala të mos ketë më shumë vlerë.