Nga Korresp. 24-ore.com
Kryetari i Partisë Aleanca Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj grupit KOHA, pasi sipas tij, ditëve të fundit ky medium është duke zhvilluar një fushatë tendencioze ndaj tij.
Pacolli ka thënë se letra e organizatave të dala nga lufta ka bërë që ai të reagojë ndaj, siç ka thënë ai, publikimeve të montuara dhe shtrembëruara plotësisht.
“Gazeta KOHA Ditore edhe televizioni “Kohavizion”, ditëve të fundit janë duke e zhvilluar një fushatë intensive dhe tendencioze kundër personalitetit tim, bile duke shkuar edhe më tutje me përdorimin e gjuhës së urrejtjes. Kjo pos që tenton të denigrojë personalitetin tim, nxit urrejtje duke rrezikuar jetën time dhe të familjes sime. Publikimet e përdorura në mediumet e lartpërmendura janë të montuara dhe të shtrembëruara tërësisht. Unë nuk kisha ndërmend të reagoja ndaj kësaj fushatë tendencioze, por një letër e dy organizatave të veteranëve lidhura me luftën, të cilën unë e respektoj shumë dhe për të cilën kam bërë shumë, më shtyu të përgjigjem”, thuhet në reagimin e Pacollit.
“Me përgjegjësinë time të plotë morale dhe politike deklaroj se unë asnjëherë nuk kam thënë, as nuk kam menduar që: “Serbia është nëna e Kosovës! Se unë do të bëhem ndonjëherë Tito i Kosovës! Se i kam quajtur serbët vëllezërit tanë!”. Siç opinioni është sqaruar shumë herë për takimin me Millosheviqin, ai takim është pasuar me takimin me udhëheqësinë më të lartë të Kosovës. Në atë takim jam dakorduar me udhëheqësit prezentë dhe qasjen e tyre lidhur me çështjen e Kosovës dhe lidhur me proceset që do të zhvilloheshin rreth Kosovës. Unë nuk kam kërkuar nga Milloshevici bashkëjetesë, por ndarje. Ditët e ardhshme intervistat origjinale do t`i ofrohen opinionit publik, dhe të gjithë të interesuarve”, përfundon reagimi i Pacollit.
Shoqatat e luftës kërkojnë sqarime nga Pacolli
Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së përmes një letre të hapur drejtuar kryetarit, kryesisë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kërkojnë që kandidati për postin e presidentit Behgjet Pacolli para seancës konstituive të Kuvendit më 21 shkurt të japë sqarime në lidhje me deklaratat e tija dhënë mediave të ndryshme të huaja, të cilat kohëve të fundit janë duke u publikuar edhe në mediat vendore.
“Duke përcjellë në vazhdimësi zhvillimet në skenën politike të Kosovës, krijimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, duke qenë të vetëdijshëm se është i domosdoshëm funksionalizimi i shtetit të Kosovës, ne jemi të detyruar që për hir të vlerave që përfaqësojmë, t’i drejtohemi kryetarit dhe Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, që do të zgjidhen të hënën me 21 shkurt, njëkohësisht edhe deputetëve të këtij legjislacioni. Ne konsiderojmë se është e domosdoshme që në rend të ditës, para zgjedhjes së presidentit, kandidati për këtë post, Behgjet Pacolli, të japë sqarime para deputetëve dhe popullit të Kosovës, në lidhje me deklaratat e tija dhënë mediave të ndryshme të huaja, të cilat kohëve të fundit janë duke u publikuar edhe në mediat vendore”, thuhet në këtë letër.
Duke i konsideruar deklaratat e Pacollit si antikombëtare, të papërgjegjshme dhe të padenja për një njeri që pretendon të jetë përfaqësues i popullit, shoqatat e luftës kërkojnë që Pacolli të sqarojë se kënd e konsideron ai nënë të Kosovës: Serbinë apo Shqipërinë, çfarë do të thotë Pacolli me fjalën “do të jem Tito i Kosovës”, në cilin kontest Pacolli e gjen vëllazërinë e popujve shqiptar dhe serb, në kontest etnik, fetar, kulturor apo gjuhësor.
Po ashtu, shoqatat e luftës kërkojnë që Pacolli të japë shpjegime në lidhje me atë se cili është qëndrimi i tij për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çfarë ishte roli i tij në takimet me Millosheviqin gjatë kohës së luftës, por edhe për atë se çfarë iu sugjeroi Pacolli politikanëve shqiptarë në shtëpinë e tij në Hajvali gjatë kohës së luftës, si zgjidhje të çështjes së Kosovës.
“Ne, do t’i përcjellim me kujdes zhvillimet e ditëve në vijim, dhe reagimi ynë do të jetë në përputhshmëri me Programin dhe Statutin e OVL të UÇK-së, dhe nëse nuk do të ketë përgjigje në pyetjet e parashtruara, për ne do të jetë i papranueshëm dhe do t’i përdorim të gjitha mjetet demokratike për të kundërshtuar një president të tillë”, përfundon komunikata, e nënshkruar nga Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli.