Arjan Th. Kallço
Dialogu i Platonit – një nga klasikët e mendimit dhe filozofisë së lashtë
Kolana filozofike e një prej gazetave më të mëdha italiane që lidhet me mendimin e lirë, është një moment i rëndësishëm përsihatjesh në kohët që po kalojmë. Dialogu është dhe duhet të jetë lajtmotivi bazë I bashkëveprimit në shoqëri, ku secili të ketë rolin e vet dhe të japë kontributin e vet në sfidat e njerëzimit. Në fakt dialogu ka kohë që është zëvendësuar me antidialogun, me dhunën dhe komandën, duke e larguar edhe më shumë natyrën e idesë së lashtësisë ndaj dialogut. Mesa duket shoqëria e sotme, e kapur nga ethet e histerizmit, nuk ka më asnjë dëshirë ta inkuadrojë dialogun në zgjidhjen e problemeve.
Do të ishte mirë sikur dituria të ishte diçka që të mund të rridhte, në kontaktin më të thjeshtë, nga më i ploti në më të zbrazëtin prej nesh, si përmes një filli leshi ku rrjedh uji nga filxhani më i mbushur tek më boshi; batuta ironike e Sokratit që i drejtohet tragjediografit grek Agatoni, prek një prej nyjeve themelore të Simpoziumit të Platonit. Dashuria dhe dituria sa larg, por dhe sa afër njëra-tjetrës.
Dashuria – ndjenja më e bukur dhe fisnike e njeriut, ushqimi i shiprtit, që e rrethon ngado në jetë, që e lumturon dhe trishton, që e marron dhe e ftillon, është një dhuratë e çmuar që edhe të troket, e vetë karakterit shoqëror të tij dhe që askush nuk është refrektar ndaj saj. Dituria – libri më i madh dhe më me vlerë i njeriut që duhet ta shoqërojë në çdo hap, ushqimi i mendjes që e rrethon, por shpesh pa e lexuar, e mundon, e lodh, e mëson, është dhuratë që duhet ta marrësh se askush nuk ta ofron.
Por dituria, sipas pedagogjisë edoniste, nuk është një dhuratë, qorrsokak në të cilat hyri në dhjetëvjeçarët e fundit shkolla, ajo as mund të blihet, qoftë edhe në një shoqëri, ku gjithçka mund të blihet dhe shitet, gjithçka tashmë është shndërruar në mall, dashuria dhe dituria nuk bëjnë përjashtim, bile dhe vetë parlamentarët veprojnë ai tregtarë të këqinj, kur ua kërkon interesi elektoral i pushtetit. Njohja dhe zgjedhja e një jete të drejtë, të thjeshtë dhe të barabartë për të gjithë, presupozon një sforco të brendshme tek vetja, një pjesëmarrje aktive në të mirë të shoqërisë, një kërkim dhe synim të vazhdueshëm dhe të përhershëm.
Nuk është e rastësishme që protagonisti absolut i këtij dialogu platonik është Erosi. Për të diskutojnë dhe rrahin mendime të shtatë personazhet e librit dhe bëhen tetë, nëse përfshijmë priftëreshën Diotima e cila nuk hyn drejpërdrejt në debat, por përmes fjalëve të sjella nga Sokrati, duke na ofruar përcaktime të ndryshme : midis trupit dhe shpirtit, midis kënaqësisë që vjen nga seksi dhe bukurisë morale, midis njerëzores dhe hyjnores, midis vujatjes dhe lumturisë, midis ndarjes dhe bashkimit, midis të veçantës dhe të përgjithshmes.
Dashuria karakterizohet si shprehje e një mungese, e një privimi. Aristofani të futi një prej imazheve më poetike të evokuara në mitet platonike. Qëniet njerëzore të origjinës ishin të karakterizuara nga një formë sferike : një trup të dyfishtë të përbërë nga një fytyrë të dyfishtë, prej katër duarve dhe katër këmbëve. Të veçuar në tre sekse, burrë-grua, grua-grua, burrë grua, u ndanë prej Jupiterit që i preu mëdysh si ndëshkim për guximin që sulmuan qiellin.
Kështu Erosi nuk është veç kërkimi i qëllimit të vet; një kërkim që i shtyn të dashurit të rigjejnë një njësi të humbur. Diotima më pas e vendos në një dimension të ndryshëm dhe më të lartë temën e privimit përmes mitit të ngjizjes së Erosit. Gjatë festës për lindjen e Afërditës, Porosi, zoti i mendjes, i dehur me nektar, i jepet Penisë, perëndeshës së varfërisë: nga bashkimi i tyre lind Erosi, i destinuar, për shkak të cilësive të kundërta të prindërve, të humbë dhe të fitojë çdo gjë.
As i vdekshëm, as i pavdekshëm, as i pasur, as i varfër, Dashuria, në rolin e vet si ndërmjetës, arrin ta përfaqësojë simbolikisht gjendjen e filozofit, gjithmonë pezull midis paditurisë dhe diturisë. Në fakt midis perëndive që nuk e kërkojnë diturinë, sepse e zotërojnë dhe të paditurve që nuk e kërkojnë, sepse besojnë se e zotërojnë, filozofi i vërtetë, që e do diturinë, do të përpiqet të afrohet me të, duke e ndjekur gjatë gjithë jetës. Dituria fitohet dhe nuk është e lindur, pavarësisht se në shekuj krijimi apo transmetimi i tyre tek njerëzit u dedikohet perëndive apo të vetmës që besohet se e qeveris botën.
Erosi përmes lindjes mund ta bëjë të pavdekshme qënien e vdekshme. Por nga Dashuria nuk lindin vetëm fëmijë, pasi lindin apo rilindin ndjenja të tjera, shpirtra binjakë që bëhen më të fortë në lidhjen e tyre, tashmë jo vetëm dyshe, por në praninë edhe të një fryti shumë të ëmbël të dashurisë. “Përveç fekondimit të trupit, fekondohen edhe shpirtrat që lindin, nga ana e tyre, virtytet. Një shpirt i ngjizur kalon nga bukuria e trupave tek bukuria e brendshme e një shpirti.
Dhe prej bashkimit të shpirtrave të bukur mund t’i jepet jetë atyre filozofëve, miq të së Mirës, në gjendje që të mbajnë shtetin, qyteti ideal i evokuar shumë herë prej Platonit”. Nuk duhet të mashtrohemi nga aparenca. Një trup jo i bukur mund të mbajë brenda vetes një shpirt me bukuri të jashtëzakonshme. Është shembulli i vetë Sokratit që Alçibiadi, në faqet e fundit plot pasion dhe prekëse, e krahason me një Sileno : bëhet fjalë për një statujë që në Greqinë e vjetër përfaqësonte nga jashtë një imazh komik, satiri dhe brenda përfaqësonte një hyjni.
Këtu Platoni na fton të eksplorojmë Silenin, të depërtojmë brenda tij, gjithmonë të mos i besojmë, pra, për atë që shohim në sipërfaqe. Thesari i Sokratit është i ruajtur brenda tij. Simpoziumi na propozon një hermeneutikë që mësyn edhe gjinitë letrare. Komiku – në të kundërt sesa do të mështetë më vonë Aristoteli – nuk mund të ndahet nga tragjiku : Sokrati i detyronte të pranonin që vetë autori duhet të dijë të kompozojë komedi dhe tragjedi, dhe ai që në artin e tij është tragjediograf duhet të jetë edhe komediograf.
Në tekste dhe në jetë ulje-ngritjet, tragjedia dhe komedia ndërveprojnë vazhdimisht mes tyre. Jo rastësisht imazhi i Silenit do të rishfaqet me shumë sukses në Rilindje nga autorë si Erasmosi, Rabëleja, Brunoja. Kështu si miti i Dashurisë-filozof, pavarësisht nga aderimi tek metafizika platonike, do të kthehet shumë herë në shumë refleksione të dedikuara ndaj natyrës së filozofisë. Pa Erosin, pa atë pasion përmbysës që trondit trupin dhe shpirtin, do të ishte e vështirë ta imagjinoje aventurën e njohjes-përfundon reçensioni.







