Pa keqardhje per Sllobon

0
36

Nga Christopher Hitchens, 17 Dhjetor 2011

Kujdes nga askushët e mllefosur inatçorë që hyjnë në politikë për arsye terapeutike.

Në kohën e rrethimit të Sarajevës ose dëbimeve masive nga Kosova, lajmi për ndaljen e papritur të zemrës së Slobodan Milosevicit do të kishte shkaktuar festë të gëzueshme në shumë zemra tjera. Ideja se ai një ditë mund të vdiste në burg – dhe që ky ishte synimi i gjykimit të tij të gjatë dhe të komplikuar – do të ishte lajm i mrekullueshëm për gjeneratën e ardhshme. Por, lajmi se ai është dorëzuar rastësisht është një lajm i keq, njashtu si sëmundja e cila e mori njërin prej gjykatësve të parë dhe e vonoi procesin. Mund ta shohim mitin e martirizimit duke u formësuar mjegullueshëm në moçalin e nacionalizmit dhe besëtytnisë. Ky do të ishte rezultati më i keq, pasi Milosevici u nis dhe u bitis – siç bëjnë të gjithë diktatorët e tillë – duke e shkatërruar popullin e vet dhe duke e rrënuar shtetin e tij.

Ishte 24 Prilli i vitit 1987, kur si një burokrat ambicioz stalinoid ai mori udhë për në Kosovë dhe iu drejtua pakicës serbe me një fjalim të helmatisur demagogjik.

Ishte 28 Qershori i vitit 1989 – 600 vjetori i humbjes serbe prej turqve në Kosovë – kur ai u kthye në vend dhe mbajti një fjalim histerik në tubimin masiv.

Gjatë presidencës së tij të turpshme, Serbia u shndërrua në banana republikë, kurse paraardhësi i tij Ivan Stambolic, më vonë “u zhduk” dhe u gjet në një varr cekëtine. Togat serbe të vdekjes u përdorën edhe ndaj serbëve të tij, por gjithashtu “mohueshëm” u dërguan në Bosnje dhe tjetërkund. Në fund, pakicat serbe – në emër të të cilave ai e kishte nxitur luftën rajonale – ishin përzënë poshtërueshëm nga shtëpitë e tyre të lashta në rajonin e Krajinës dhe vetë Kosovës. Vetëm qytetari serb është në gjendje që çiltërsisht ta ndjejë thellësinë e zararit të tij kulturor dhe ekonomik. Turmat e guximshme të studentëve që demonstronin në Beograd, në Marsin e vitit 1991, ia kishin qëlluar saktësisht kur brohorisnin: “Slobo Saddam”.

Ose, pothuajse ia kishin qëlluar saktësisht. Milosevici nuk e kishte fuqinë psikopatike të Saddam Husseinit ose të Osama Bin Ladenit. Ai ishte nga soji më i rrezikshëm: zyrtar mediokër dhe konformist, i cili e pret kohën e tij dhe i fshehë pakënaqësitë e veta. Nga një aparatçik u shndërrua në pushtetar suprem. Ndonëse u ngrit përmes shfrytëzimit të entuziazmit religjioz dhe ksenofobik, qartësisht mund të merret me mend se asnjëherë nuk merakosej për totemët dhe simbolet që i eksploatoi.

Si në zyrë, ashtu edhe në bankën e të akuzuarit, ai mishëronte banalitetin e së keqes. Në librin e mrekullueshëm “Vdekja e Jugosllavisë” (“The Death of Yugoslavia”), shkruar nga Laura Silber dhe Allan Little, botuar në vitin 1995, si dhe në serialin shumë të mirë të dokumentarëve të BBC’së që u xhirua sipas librit, mund të shihen taktikat e ulëta dhe oportunizmi cinik që e aplikonte si të ishte një larvë e ngadalshme në zemër të shtetit të cilin vazhdon ta hajë pa mëshirë.

Duket se ai e kishte vetëm një mik/e të vërtetë – ideologen e tij të adhuruar prej gruaje, Mirjana Markovic – që e dispononte duke bërë shaka me imazhin e tij veshëmadh dhe fytyrëgur, por edhe e ngushëllonte për vetëvrasjen e dy prindërve të tij. Kujdes nga askushët e mllefosur inatçorë që hyjnë në politikë për arsye terapeutike.

Pikat kryesore të karrierës së tij tmerruese kriminale duhet të bëhen të ditura përpara se ndokush të përpiqet t’i retushojë ato.

Ai e aranzhoi sulmin me gurë ndaj shpurës së vet në Kosovë, në vitin 1987 (këtë e kemi në film), ashtu që provokimi të mund të shihej në Televizionin e Beogradit dhe kësisoj t’i izolonte elementët e qytetëruar të partisë në pushtet. Ai bëri marrëveshje të fshehtë të stilit Stalin-Hitler me homologun e tij po aq të neveritshëm nga Kroacia, Franjo Tudjman, për një lloj ndarjeje të Bosnjës, duke i fuqizuar kështu ekstremistët kroatë, që pastaj i sulmuan civilët serbë.

Ai u bë bashkë me grupet fashiste dhe irredentiste, përfshirë serbët e Bosnjës dhe serbët e Beogradit, të cilat qëllimshëm e dërguan Bosnjën në luftë civile dhe na dhanë termin modern (dhe eufemist) – “spastrimi etnik”. Ai e mori peng armatën kombëtare të shtetit unitar dhe e shfrytëzoi atë për t’i sulmuar republikat autonome brenda tij. Ai për pak sa nuk i shkatërroi dy pasuritë urbane kulturore të Europës: Dubrovnikun dhe Sarajevën.

Ai e zbrazi thesarin e Serbisë dhe i bëri qytetarët e saj të varfër dhe paranojakë. Ai dhe Saddami ishin të vetmit udhëheqës qeverish që e përgëzuan puçin e dështuar ndaj Mikhail Gorbachev. Në fund, ai shkoi edhe më tutje, duke urdhëruar dëbimin masiv të shumicës së popullsisë së Kosovës, të cilët u tubuan në trena dhe me zor u qitën në rrugë, një veprim që – po të kishte pasur sukses – do t’i destabilizonte në mënyrë fatale dy shtetet fqinje, Shqipërinë dhe Maqedoninë. Dhe, në këtë moment të vonuar, fuqitë perëndimore vendosën se ishin ngopur me të, prandaj e larguan edhe nga Kosova, edhe nga pushteti.

Sidoqoftë, ia vlen të përmendet se sa shumë mbështeteshin “realistët” në të deri atëherë. Negociatorët David Owen, përfaqësues i Bashkim Europan, dhe Cyrus Vance, ish Sekretar i Shtetit Amerikan, menduan se ai ishte “partner i domosdoshëm për paqe”. Henry Kissinger dhe Lawrence Eagleburger e shpallën atë si njeri me të cilin mund të bashkëpunohej dhe kundërshtuan fuqishëm çfarëdolloj intervenimi. U desh një veprim përfundimtar irracional nga ana e Milosevicit para se NATO të vendoste ta tejkalonte Rusinë, Kinën dhe kundërshtimet e UN’it, dhe t’i jepte fund fashizmit dhe vrasjeve raciste në oborrin e saj. Natyrisht, deri atëherë shumica e dëmit ishte bërë, dhe tash anti-realistët janë ata që e trashëgojnë detyrën e tmerrshme dhe të mundimshme të rregullimit të rrëmujës, gërmimit të varrezave masive, rimëkëmbjen e shërbimeve themelore dhe paqësimin e ndjenjave të përflakura fisnore dhe religjioze.

Disa miq dhe kolegë të mi kanë dëshmuar kundër Milosevicit dhe xhelatëve të tij në Hagë. Ata kanë pasur kënaqësinë t’i shohin vrasësit dhe torturuesit duke u ballafaquar me viktimat e tyre. Një arkiv enorm i mizorive është mbledhur, videoincizuar dhe katalogizuar, dhe një ditë historia do të jetë shumë falënderuese për të. Në këtë rast, nuk do të jetë i mundshëm mohimi apo revizionizmi.

Do të ishte mirë të mendohej se ishte pikërisht ky akumulim i pamëshirshëm i dëshmive ai që e parandaloi Milosevicin – i cili shpesh ballafaqohej me kolegët e dikurshëm në karrigen e dëshmitarëve – të bënte fjalime të gjata dhe vetëmëshiruese, të cilat Saddam Husseinit i shërbyen si model taktik. Gjithashtu, do të ishte mirë të mendohej se ishte kjo që e vrau atë në fund. Por, ai mbase e vuajti spazmën e tij të fundit duke ndjerë keqardhje vetëm për vetveten. Ne, tash, do ta kemi detyrën e fundit të gërditshme që t’i parandalojmë të tjerët nga ndjenja e gabuar e keqardhjes për të.

(Slate, 13 Mars 2006).

Shkrimtari Christopher Hitchens ka vdekur të mërkurën, më 15 Dhjetor 2011, në moshën 62 vjeçare. Ai ka qenë njëri prej intelektualëve më të famshëm botërorë, i njohur për qasjen kritike ndaj religjionit, artikulimin e mprehtë dhe stilin e veçantë të argumentimit. Është marrë edhe me zhvillimet në Ballkan, kryesisht me Kosovën dhe Bosnjën. Ka botuar 25 libra dhe ka qenë kolumnist i rregullt i revistave Slate, Vanity Fair, The Atlantic Monthly dhe The Nation.

Përktheu: Artan Muhaxhiri. /Jeta ne Kosove/