Pa keqardhje për njerëzit e LSI…

0
28

Nga Mero Baze, 13 Prill 2013

Një nga “tre ligjet” e famshme, për të cilët nuk po kujtohet më njeri, ishte ligji për nëpunësin civil dhe administratën publike. Ligji presupozon mosprekjen e nëpunësve civilë në administratë dhe garantimin e karrierës së tyre në bazë të aftësive profesionale dhe jo përkatësisë politike. Për të kuptuar se sa seriozisht e ka pasur Sali Berisha, dhe Ilir Meta si pjesë e pushtetit të tij këtë ligj, shikoni “operacionin fshesa” që ka një javë që ka ndërmarrë ndaj punonjësve të administratës civile, emëruar aty si pjesë e marrëveshjes politike me LSI katër vjet më parë.

Ndryshe nga çështja e KQZ, për të cilën Berisha tenton të gjejë një arsyetim politik si motiv, spastrimi në administratë publike me kritere politike, është tërësisht një fushatë fashistoide, e cila pason një traditë të kësaj qeverisjeje. Kur them këtë, nuk është se ndjej ndonjë keqardhje për njerëzit e LSI që po largohen nga puna, pasi ata kanë shkuar aty në të njëjtën mënyrë, por ndjehem keq për hipokrizinë publike të pushtetit ndaj starteve perëndimore të administratës civile.

Për të kuptuar se si ka funksionuar kjo administratë, po u sjell një shembull personal të përjetuar jo nga ndryshimi i pushtetit, por dhe nga ndryshimi i një drejtori të zakonshëm të LSI brenda pushtetit.

Disa muaj më parë, një kushërira ime në Përmet, sanitare prej 30 vjetësh në spitalin e qytetit, u pushua fare pritur nga puna. Merrte afërsisht 200 euro rrogë në muaj dhe mezi mbante tre fëmijë me të. E alarmuar, më qante në telefon duke qenë e tmerruar nga fakti se e kishte hequr nga puna drejtori i ri i LSI në spital. Nuk kishte shkurtime në administratë, por thjesht kishte marrë një shumë banale lekësh nga një sanitare tjetër, po aq në hall sa ajo, dhe e kishte zëvendësuar. Nuk dija si ta ngushëlloja, për më tepër që për ta justifikuar heqjen e saj nga puna i kishin kujtuar që ishte dhe kushëri me mua.

Mu kujtua këto ditë ky rast, kur Sali Berisha ka nisur një fushatë të pashembullt shkarkimesh, që mund të shkojë deri në 15 mijë vetë, nga administrata shtetërore, me arsyetimin se janë njerëz të LSI.

Që të jemi të sinqertë, emërimi i tyre në atë mënyrë përmes kuotave politike, ka qenë shkelja e parë e madhe flagrante e ligjit të administratës publike dhe shërbimit civil. Një sërë drejtorish të rëndësishme, agjenci shtetërore dhe poste me pritshmëri fitimprurëse, sipas logjikës së njerëzve të pushtetit, u morën si kuotë pushteti prej LSI dhe për katër vite ishin thuajse si pronë private e tyre. Për katër vite Sali Berisha as ka guxuar të kthejë kokën se ç’bëhet përtej atij gardhi që Ilir Meta kish vënë brenda bahçes së pushtetit të tij. Ai nuk kishte të drejtë të pyeste çfarë ndodhte në KESH, në ANTA, në dhjetëra drejtori të Ministrisë së Shëndetësisë, apo Ekonomisë, si dhe poste të tjera publike, duke shkelur në flagrancë standardet e një vendi që synon të ndërtojë një administratë publike.

Nga ana tjetër, standardi për emërimin e këtyre njerëzve në këto poste ishte dhe më skandaloz. Një pjesë emëroheshin si pjesë e shpërblimit që LSI u bënte aktivistëve të saj, kurse një pjesë emëroheshin për shkak të aftësisë së tyre për të paguar një kuotë mujore apo vjetore, sipas rastit, për të financuar po LSI. E njëjta gjë ndodhte dhe po ndodh dhe me shumë agjenci të tjera që drejtohen nga PD. Për shembull Fondi i Zhvillimit Rural, legalizimet, Drejtoria e Rrugëve, Task- Forca e Tatimeve etj, janë agjenci që shërbejnë thjesht si Departament i Financave i PD-së.

Tani që LSI u largua nga qeveria tre muaj para zgjedhjeve për të bërë “zborin tremujor” në opozitë, Partia Demokratike duket se e humbi tërësisht qetësinë dhe etikën për të respektuar disa rregulla formale të administratës publike dhe për të treguar së paku se e kishte seriozisht kur thoshte se tre ligjet që nuk po votonte opozita, po na linin jashtë Evropës. Mjaftoi një çarje në pushtet dhe PD dëshmoi se sa joseriozisht e ka ëndrrën për të ndërtuar një administratë të depolitizuar, një shërbim civil dhe një karrierë bazuar në aftësitë profesionale. Shumë njerëz të LSI, emëruar në administratë, meritojnë më shumë se largimin nga puna, ndoshta dhe ndjekje penale për mënyrën si kanë punuar. Njësoj si shumë drejtues të PD-së, ata e kanë parë dhe vazhdojnë ta shikojnë një vend pune në zyrat e shtetit si një ëndërr për të kthyer atë në pronë private.

Por kjo që po ndodh me spastrimin e tyre nuk është një lëvizje që vjen nga ndonjë ide progresive, por nga një ide më regresive se sa vetë realiteti. PD me këtë po dëshmon jo vetëm që është kundër administratës civile dhe zyrtarëve të depolitizuar, por po jep shembuj se gjithkush që nuk është ushtar i partisë në pushtet, nuk mund të punojë më në administratën publike. E ritheksoj se nuk ndjej asnjë keqardhje për njerëzit e LSI të punësuar në shtet, pasi po ikin ashtu siç shkuan. Ripremtimi i Ilir Metës që ata do të kthehen aty ku ishin, dhe sokëllimat e Sali Berishës se do t’i spastrojë me fshesë të hekurt, tregon se dy gramafonat e integrimit që na lodhën veshët tani e gjashtë muaj për tre ligjet nuk kanë seriozisht asgjë përveç shtetit të tyre privat, të cilin e kanë të ndarë në dy sinorë, dhe e rrjepin për hesap të tyre.

Masakra mbi administratën publike tre muaj para zgjedhjeve, heqja brenda natës e drejtorëve dhe zëvendësimi me militantë të hutuar të PD-së, spastrimi deri në qelizë i çdo anëtari të LSI nga administrata, është një gjë po aq e shëmtuar sa emërimi i tyre dhe një dëshmi e pafytyrësisë që klasa jonë politike tregon ndaj kërkesave dhe standardeve të vendosura nga Bashkimi Evropian për të marrë statusin e vendit kandidat. Boll të shikosh këtë fushatë diferencimi politik në administratë dhe spastrimi nga rrënja me kritere klasore politike, për të kuptuar sa seriozisht e ka Jozefina atë orën që po ikën pa u miratuar tre ligjet dhe sa seriozisht e ka Sali Berisha me Ilir Metën retorikën e integrimit, njëri kur premton spastrime dhe tjetri kur premton riemërime pas 23 qershorit.