Nga Kimete Berisha, 7 Gusht 2013
Presidentja Atifete Jahjaga është motra e Presidentit turk Abddullah Gul. Presidenten kosovare, motër e çmuar e quajti presidenti Gul në urimin e tij për Festën e Fitrit.
Vëllai i Presidentes Jahjaga, Abdullah Gul, në të njëjtin harxh, tha se i gjithë populli shqiptar është vëllai i tij.
Përveç Skënderbeut. Kuptohet.
Presidentja, e gjendur në mes vëllait të saj evropian Skënderbeut dhe vëllait tjetër turk Abdullahut, nuk ka nevojë të vendosë të anojë nga njëri vëlla, sepse Skënderbeu është i vdekur dhe askush nuk ka interes nga heronjtë e vdekur, prandaj shteti i saj nuk e gjen një polic që ta mbrojë shtatoren e Skënderbeut nga pshurranët publikë.
Meqenëse Shën Paul Apostoli ka lindur në Turqinë e sotme, Presidentja është edhe motra e Shën Paul Apostolit.
Të gjithë janë vëllezër e motra, vetëm Herodoti, që po ashtu ka lindur në Turqinë e sotme është “babai i historisë”.
Homeri, Ezopi e poet të tjerë të tjerë të lindur në Turqinë e sotme, janë kushërinjtë pak më të largët të presidentes Atifete Jahjaga.
Vajzat e Kosovës nuk janë motrat e Gul-it.
Motër e Abdullahut, në emrin tonë është Atifete Jahjaga.
Në urimin e tij për Festën e Fitrit, Presidenti amerikan Obama nuk e quajti presidenten e Kosovës motër, anipse ajo vërtet është “pasojë” e një ish-diplomati në pension të parakohshëm –Dell-it.
Pse Presidentja e ka adaptuar këtë terminologji folklorike, patetike dhe me tendenca vet-pushtuese.
Tani Turqia dëshiron ta “pushtojë” Kosovën familjarisht, me “dashuri” familjare. Dhe, me paré.
P.S. Në arkivat e Turqisë gjenden miliona dokumente që u dedikohen trojeve shqiptare. Këto dokumente duhet të përkthehen nga osmanishtja. Periudha pesëshekullore nën Perandorinë Osmane, nuk është studiuar, për shkak të mungesës së osmanologëve. Osmanologët është dashur të ekzistojnë dhe të merren me hulumtimin e të dhënave dhe fakteve që i përkasin popullit shqiptar për pesë shekuj nën Perandorinë Osmane. Pasi që të zbuloheshin tapitë dhe këto fakte pesëshekullore, atëherë do të shihej se a e ka Abdullah Gul presidenten motër apo vetëm homologe!