OSBE: Fletët e hedhura në kutinë e gabuar, të pavlefshme

0
62

Ngatërrimi i kutive ku hidhen fletët e votimit dhe shpallja e kandidatit fitues nga vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk është rasti i parë në Shqipëri. Katër vite më parë ky institucion ka marrë vendimin për shpalljen fitues të kandidatit socialist në Durrës, Vangjush Dako pasi Komisioni Zonal i Administrimit te Zgjedhjeve nuk ka pranuar që të miratojë tabelën përmbledhëse, rast identik me atë të njësisë numër pesë.

Gjatë miratimit të këtij vendimi kanë qenë pjesëmarrës tre nga anëtarët e sotëm Arben Ristani, Klement Zguri dhe Dëshira Subashi. Komisioni është kryesuar nga Çlirim Gjata, një personazh ky që ditët e fundit është bërë avokat i Berishës dhe ka dalë kundër vendimit te firmosur prej tij në 2007.

Për ironi të fatit situata ngjan në mënyrë identike me rastin Basha-Rama. Edhe në këtë rast diferenca ishte aq e vogël (227 vota) sa nëse KQZ pranonte ankimin e Telitit, ky i fundit shpallej fitues. Në Vendimin Nr 1575 datë 13.03.2007 është hedhur poshtë kërkesa e kandidatit demokrat për Bashkinë Durrës Armand Teliti, i cili kërkonte rivlerësimin e votave që ishin hedhur jo në kutinë e kryetarit, por atë të këshillit.

Nga ana e tij Vangjush Dako kundërshtonte vendimit të KZAS-së Durrës, e cila kishte marrë vendimin “Për mosmiratimin e tabelës së rezultateve për kandidatët për kryetar në Bashkinë Durrës duke sjellë për pasojë një pengesë procedurale për të miratuar si fitues kandidatin e Partisë Socialiste Vangjush Dako.

Pretendimet e demokratit Teliti janë identike me pretendimet e Berishës për mos shpalljen fitues të Edi Ramës për zgjedhjet për kryetar Bashkie. Ja si shprehet Teliti në kërkesën e tij: “Një fakt tjetër është se sipas numërimit dhe vlerësimit të votave për partitë dhe kualicionet kanë rezultuar një numër tepër i madh votash të deklaruara si të pavlefshme, të hedhura në kutinë e gabuar të votimit, në fakt këto fletë votimi ishin

për kandidatin për kryetar dhe jo vota për partitë dhe kualicionet, të cilat nuk janë pasqyruar në rezultatin përfundimtar dhe nuk u janë shpërndarë kandidatëve, përkatës të cilët ishin në garë në këtë zonë zgjedhore”.

Në përfundim të shqyrtimit, KQZ vendosi mospranimin dhe rrëzimin e ankimimit të kandidatit demokrat Armando Teliti i cili kërkonte rivlerësimin e votave të cilat janë hedhur gabimisht në kutinë për këshill.

Rasti Temali s’ka lidhje me çështjen

Ditën e djeshme, disa media proqeveritare kanë sjellë si shembull një rast të vitit 2007, ku kandidati demokrat për komunën Temal, Nard Marku, kërkoi pavlefshmërinë e zgjedhjeve në këtë komunë të qarkut të Shkodrës.

Ky rast nuk ka asnjë lloj lidhje me hedhjen e një numri fletësh në kutinë e gabuar, të cilat për pasojë bëhen të pavlefshme. Ky rast është përdorur në mënyrë mashtruese nga Tv Klan në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, me synimin e vetëm për të përhapur konfuzion dhe si kundërpeshë pas publikimit nga ana e “Shekullit të disa vendimeve, ku duket qartë se në raste të ngjashme KQZ i ka cilësuar fletët të pavlefshme për sa kohë që qytetarët i kanë hedhur ato jo në kutinë për kandidatë por në atë për këshilltarët e bashkisë.

Konkretisht, në rastin “Temali” ankuesi, që ishte kandidati demokrat, ka pretenduar se rezultati për 5 QV e numëruara nxirrte fitues kandidatin e koalicionit të majtë, ndërkohë që po të numërohej kutia e Qendrës së Votimit me numër 144 përmbysej rezultati, duke u kthyer në favor të kandidatit të mbështetur nga PD.

Ndërkohë, kandidati i Partisë Socialiste ka sqaruar se kutitë e Qendrës së Votimit

me numër 144 nuk janë përfshirë në tabelën e rezultateve, pasi janë konsideruar të parregullta. KQZ nga ana e saj verifikoi kutitë në fjalë të cilat rezultuan të thyera dhe jashtë çdo kushti për t’u marrë në konsideratë.

Për pasojë, të gjithë anëtarët me konsensus të plotë vendosën që të rrëzojnë animimin e kandidatit të mbështetur nga Partia Demokratike për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Komunën Temal të Qarkut Shkodër, duke e cilësuar atë si të pabazuar.

OSBE: Fletët e hedhura në kutinë e gabuar, të pavlefshme

Numri i lartë i fletëve të pavlefshme si rezultat e ngatërrimit të kutisë së votimit është pasqyruar edhe në raportin final të OSBE/ODIHR-it të 18 shkurtit 2007. Raporti i cilëson fletët të pavlefshme për sa kohë që qytetarët i kanë hedhur ato jo në kutinë për kandidatët, por në atë për këshilltarët e bashkisë.

Pikërisht në faqen 18 të këtij raporti përfaqësuesit e OSBE ODIHR shprehen: “Në Tiranë fletë votimit me ngjyra të ngjashme janë përdorur për gara të ndryshme. Kjo ka sjell konfuzion dhe mund të ketë sjellë si rezultat hedhjen e një numri të madh fletësh të kutinë e gabuar të cilat për pasojë bëhen të pavlefshme”.

Në atë kohë kjo organizatë akuzonte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për punën e dobët për prodhimin e fletëve të votimit me ngjyra të ngjashme që sillte edhe ngatërrimin e personave. Pavarësisht gabimit të ardhur si pasojë e punës së dobët të KQZ, OSBE ODIHR nuk shprehet për rivlerësimin e këtyre votave, përkundrazi i konsideron ato qartësisht si të pavlefshme pasi janë hedhur në kutinë e gabuar.

SHEKULLI