Orteku nga Veriu

0
70

Nga Beqë Cufaj, 13 Shkurt 2012

Derisa vendi ende vazhdon të jetë i shokuar me tragjedinë e rëndë të Restelicës dhe përgjithësisht me përmasat e egërsisë së këtij dimri të dekadës, nuk do të shkojnë as më shumë se dy ditë nga sot dhe Republikën e Kosovës e pret një ortek tjetër, këso radhe politik, që mund ta trandë jo vetëm për “simbolikën” por edhe të tashmen dhe të ardhmen e saj.

Gati se në mënyrë simbolike dhe për këtë edhe të frikshme, ka mbretëruar një qetësi që ka përcjellë përgatitjen e 35.000 fletëvotimeve për të ashtuquajturin referendum të katër komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës, kur të mërkurën që vjen ata do të dalin para kutive për t’u përgjigjur në pyetjen “nëse i pranojnë institucionet e së ashtuquajturës Republikë e Kosovës”. Që ta konstatojmë menjëherë: përgjigjja në këtë pyetje dihet se cila do të jetë. Edhe (jo)legjitimiteti i rezultateve që do shpallen dihet qysh tashti.

Por, ajo që do jo veç vështrim, por edhe qëndrim është nëse ky i ashtuquajtur referendum po heshtet në mënyrë të koordinuar nga të tre faktorët a aktorët kryesorë të krejt problemit në fjalë: Beogradi, Prishtina dhe e ashtuquajtura bashkësi ndërkombëtare.

Të shkojmë me radhë. Nuk është aspak e vërtetë që hapi i së mërkurës i serbëve në veri është vetëm një defilim i Koshtunicës (DSS) e Nikoliqit (SNS). Vetëm fakti sesi është formuluar pyetja për qytetarët serbë të Kosovës tregon për atë që prapa “referendumit” qëndron edhe, apo sidomos, Tadiqi. Tekefundit, për këtë flasin shumë e shumë elemente.

Së pari krejt mediat serbe të Beogradit nuk janë duke i dhënë shumë hapësirë këtij hapi të serbëve. Së paku jo deri të mërkurën. Ndërlidhur me këtë, Jeremiqi dhe krejt diplomacia serbe, sidomos në prapavijë, janë duke punuar që t’i bindin miqtë e Beogradit por sidomos kundërshtarët e marrjes së statusit të kandidatit për anëtarësim në BE që vetë formulimi i pyetjes së serbëve të veriut nuk bën asgjë tjetër pos vërteton politikën e Tadiqit për bashkëpunim dhe dialog- por para se të bëhet kjo duhet pikërisht legjitimiteti legal i qëndrimit dhe avokimit të Beogradit për atë që serbët e veriut nuk i pranojnë institucionet e Prishtinës.

Dhe fare në fund, me këtë formulim, i cili të mërkurën do ta ketë edhe qëndrimin me letra, Tadiqi mund të jetë vetëm fitues- e mori apo jo statusin e kandidatit tashti në mars… Sepse të mos harrojmë: në Serbi në maj pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe ato ai duhet t’i fitojë. Jo edhe aq për vete sa për partinë e tij. Për vete, Tadiçi edhe ashtu zor që do ta ketë ndonjë kundërshtar të denjë kur të mbahen zgjedhjet presidenciale- deri në fund të këtij viti… Thënë shkurt- Tadiqi është në pozitë komode dhe për këtë edhe i ka të gjitha kartat në tryezë- përfshirë, ose sidomos, atë të Prishtinës me të cilën luan kur dhe si të dojë.

Që të jemi edhe më të saktë, Prishtina nuk është gjë tjetër pos sinomim për partnerin e tij kryesor: Hashim Thaçin. Është më tepër se për keqardhje sesi opozita e Prishtinës, ose një pjesë e saj, pranojnë të hyjnë në këtë valle, e cila atyre jo vetëm që u kushton, por sidomos do t’u kushtojë. Për t’u parë me Thaçin në restorante apo edhe takime konspirative, mundet secili. Puna është që kjo opozitë e ka për detyrë që opinionin dhe qytetarët t’i informojë saktësisht se çfarë po përgatitet dhe ku do të dalë tërë kjo lojë e re dhe sipas gjasës tragjike për vendin në veri. Sepse interesat dhe problemet e Hashim Thaçit dallojnë rrënjësisht prej atyre që Kosova dhe qytetarët e saj i kanë.

Nëse Thaçi e ka ta shpëtojë kokën nga dy- tri halle të mëdha që po e ndjekin si hije të paikshme, Kosova ka tjera prioritete dhe punë. Në këtë frymë, ka ardhur koha dhe do të vijë çasti t’u iket provokimeve dhe inskenimeve ditore të kësaj politike, e cila është e gatshme të bëjë çdo gjë, nga SHIK-u e deri tek SHIK-u, vetëm e vetëm që të mos e prishë planin… për dorëzimin edhe me letra, të veriut të vendit.

Dimensioni i tretë i së mërkurës quhet bashkësi ndërkombëtare. Dhe ajo tashmë ka folur. Përmes komandantit të KFOR-it Drews këtë fundjavë dhe shefit për zgjerim të BE-së Fühles, javën e kaluar.

Nuk na mbetet gjë tjetër pos ta pyesim veten: kë do ta zërë përfundi ky ortek i së mërkurës që vjen në veri të vendit…