Orkestra e çoroditur e PS-së

0
48

Nga Eduard Zaloshnja, 31 korrik 2012

Veglat e ndryshme muzikore të një orkestre kanë tinguj karakteristikë të vetët, të cilët i dallojnë nga veglat e tjera. Sidoqoftë, kur përdoren së bashku në një orkestër, ato ndjekin një vijë të harmonizuar melodike e ritmike, për të prodhuar një muzikë të caktuar. Në qoftë se orkestra përbëhet nga një numër veglash të të njëjtit lloj, është shumë e lehtë t’i sinkronizosh ato, por muzika që prodhohet është monotone. Ndërsa, nga ana tjetër, në qoftë se veglat e ndryshme të orkestrës ndjekin secila një vijë të ndryshme melodike e ritmike (për qejfin e vet), produkti është thjeshtë kakofoni.

Po ti përdorim dy skenarët e mësipërm si metafora për dy partitë kryesore shqiptare, mund të thuhet se ajo që është në pushtet, PD-ja, ngjan me një orkestër me shumë trumpeta, të cilat ndjekin të njëjtën vijë melodike e ritmike, të përcaktuar nga kryetrumpeta Berisha. Rrallë qëllon që ndonjë trumpetë PD-iste devijon nga vija e përcaktuar nga kryetrumpeta, dhe në ato raste, ajo futet në ngrirje ose përjashtohet nga orkestra.

Në anën tjetër, PS-ja i afrohet më tepër orkestrës me vegla të ndryshme që nuk ndjekin muzikën e shkruar në partitura, dhe që krijojnë herë pas here kakofoni për veshët e dëgjuesve. Pothuaj në çdo udhëkryq të rëndësishëm politik të PS-së, kemi dëgjuar ose lexuar deklarime të kundërta të figurave publike të saj, që qartazi nuk kanë ndjekur partiturat që normalisht duhet të kenë përgatitur specialistët e marrdhënieve me publikun në bashkëpunim me kryetarin e PS-së.

Shembuj?

“Berisha po të tërheq zvarrë pas imunitetit, or Qyq! Boll deri këtu,” i shkruan Kryetarit të PS-së në Facebook Erion Braçe, anëtari i Kryesisë së saj …

Edi Rama dhe Pandeli Majko mirëpresin publikisht bashkëpunimin me partitë e reja “anti-regjim”, ndërsa Taulant Balla dhe Erion Braçe i masakrojnë këto parti në faqet e tyre në Facebook…

Dhe me shembuj të tillë mund vazhdohet mbrapa në kohë deri në themelimin e PS-së, 21 vjet më parë. Dhe duhet thënë se janë të panumërt.

Përse ndodh kështu me PS-në? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje, ndoshta duhet bërë një studim i thellë politiko-antropologjik, i cili del përtej fokusit të një analize në një të përditshme. Por një gjë mund të thuhet me siguri – një parti e madhe nuk mund të futet në një vit elektoral me kaq kakofoni të mbartur nga e kaluara. Për më tepër, kur përballë ka një formacion tejet të disiplinuar dhe me mjetet mediatike në dispozicion për ta amplifikuar mesazhin e vet të disiplinuar.

Një parti e sukseshme në gara zgjedhore, kudo ku ato zhvillohen, shquhet për një harmonizim të mirë të zërave publikë të saj dhe të aleatëve të vet, nëse ka. Dhe merita për këtë i takon, së pari, specialistëve të mardhënieve me publikun, të cilët përgatisin strategjinë e fushatës zgjedhore. Më tej, merita i takon udhëheqësit të partisë, i cili, për t’u kthyer tek metafora e orkestrës, luan rolin e dirigjentit në harmonizimin e zërave publikë të partisë.

Deri më sot, PS-ja duket se ende nuk ka një partiturë të shkruar për fushatën zgjedhore që, praktikisht, do të fillojë në shtator. Dhe për më tepër, duket se ka një dirigjent që s’e ka marrë seriozisht drejtimin e orkestrës së tij të vështirë në koncertin më të rëndësishëm të jetës së vet. Nga zërat e ndryshëm socialiste që lëshohen në Tweeter, Facebook, blogje, gazeta, studio televizive etj., të krijohet përshtypja se secili ka nga një partiturë të shkruar individualisht dhe se një harmonizim i tyre fatlum do të ishte thjesht çështje rastësie.