Eduard Zaloshnja, 31.10.2009
Që shumica e qeveritarëve dhe ligjvënësve shqiptarë e ka të qartë se valuta e emigracionit dhe e trafiqeve ilegale eventualisht do të shterojë një ditë, nuk duhet vënë në dyshim.
Dhe kur ajo ditë të vijë, ata do ta kuptojnë se valuta që futet aktualisht në Shqipëri nga burime normale nuk do të jetë në gjendje të mbulojë as gjysmën e importit të mallrave që krijojnë atë pak mirëqënie që gëzojnë sot shqiptarët.
Por problemi është se pak prej qeveritarëve dhe ligjvënësve e kanë të qartë se sa urgjente është të fillohet të mendohet e të punohet që sot për ditën kur valuta e emigracionit dhe trafiqeve ilegale do të shterojë.
Kështu, ka 18 vjet që qeveritarët shqiptarë deklarojnë se turizmi do të përbëjë burimin afatgjatë më të rëndësishëm për futjen e valutës në Shqipëri. Por shumë pak është bërë për ta kthyer në realitet këtë deklarim. Bujqësia dhe industria ushqimore gjithashtu janë parë që në fillim të viteve ’90 si degë me goxha potencial për të zbutur deficitin tregtar. Por akoma sot e kësaj dite, shumica e shqiptarëve konsumojnë perime, fruta dhe ushqime të importuara nga shtetet fqinj.
Në themel të mungesës së zhvillimit të këtyre dy sektorëve jetikë për të ardhmen e ekonomisë shqiptare është padyshim çështja e pazgjidhur e pronësisë së tokës. Tërheqja e investitorëve seriozë në fushën e turizmit, të ngjashëm me ata që kanë kthyer Karaibet ose Antalian në destinacione fitimprurëse turizmi, kërkon një qartësi të padiskutueshme të titujve të pronësisë.
Gjithashtu, edhe investimet serioze në bujqësi dhe në industrinë ushqimore, të cilat do të furnizonin turistët dhe popullsinë shqiptare me perime, fruta dhe ushqime të freskëta, kërkojnë tituj të qartë pronësie.
Por ç’ndodh në realitet? Ditët e fundit, mësojmë se në Orikum ka një mbivendosje të titujve të pronësisë.
Atje del pronar toke Rahman Selmanllari, miku i ngushtë i djalit të kryeministrit, i cili nuk ka asnjë lidhje farefisnore me Vlorën, ndërkohë që ajo tokë ka qenë dikur kënetë dhe i është dhënë në përdorim banorëve të Orikumit (në bazë të ligjit 7501). Si rezultat, banorët përleshen me policinë e shtetit dhe rrihen prej saj para kamerave të të gjithë televizioneve kombëtare. Por, a mund të presësh që investitorë seriozë të investojnë për një turizëm cilësor në gjirin e Vlorës, kur informohen për skena të tilla?
Orikumi është një shembull i gjurmës së ujkut. Por ekziston një tjetër shembull, që përfaqëson ujkun vetë. Është fjala për Kakomenë, e cila ndodhet në një gji tjetër me potencial të lartë turistik – në gjirin e Sarandës.
Atje nuk diskutohet për një investitor serioz potencial të së ardhmes, si në Orikum, por për një investitor serioz aktual. Quhet Club Méditerranée, dhe njihet kudo në botë si Club Med. Kjo kompani administron mbi 80 fshatra turistikë cilësorë në Evropë, Afrikë, SHBA, Karaibe, Brazil, Azi Juglindore, Polinezi dhe Australi.
Në vitin 2004, Club Med nënshkroi një marrëveshje me kompaninë lokale Riviera për administrimin e një fshati turistik që kjo e fundit do të ndërtonte në Kakome. Sipas kompanisë Riviera, toka ku do të ndërtohej fshati turistik ishte në pronësi të shtetit dhe ajo e kishte marrë me qira për 99 vjet. Por fill pasi marrëveshja u bë publike, 129 familje të Nivicës, fshatit pranë Kakomesë, u ngritën në protestë kundër saj.
Arsyeja? Sipas dokumenteve që zotëronin familjet niviciote, toka ku do të ndërtohej fshati turistik ishte blerë prej tyre që në vitin 1876, ishte konfiskuar nga shteti shqiptar në vitet 1927-32 (por kishte mbetur përsëri në pronësi të tyre), figuronte në pronësi të niviciotëve në kadastrën e vitit 1945, ishte konfiskuar nga shteti komunist në vitin 1946, u ishte rinjohur me vendim Gjykate si pronë e niviciotëve në vitin 1996, dhe tani duhej t’u kthehej fizikisht atyre në bazë të ligjeve aktuale.
Protestat dhe konfrontimet me policinë të familjeve niviciote kanë vazhduar papushim që prej vitit 2004, dhe në mes të janarit të këtij viti, një konfrontim me policinë përfundoi me arrestimin e disa protestuesve.
Ndërkohë, në 2007-ën, familjet niviciote humbën një gjyq për këtë çështje në shkallën e parë me arsyetimin absurd se toka ishte blerë origjinalisht nga Perandoria Osmane!!!
Ndërsa në Gjykatën e Apelit, kërkesa e niviciotëve u rrëzua për arsye proceduriale. Sipas Vladimir Kumit, një prej nënshkruesve të padisë gjyqësore dhe kryetar i Komunës që përfshin Kakomenë, çështja ka kaluar tani në Gjykatën e Lartë dhe mund të shkojë edhe në Gjykatën e Strasburgut po nuk gjeti zgjidhje.
Sipas një njoftimi të agjensisë Rojters të datës 16 qershor 2009, Club Med është tërhequr përfundimisht nga projekti i Kakomesë. Kjo, kryesisht për shkak të ngatërresave me pronësinë e tokës.
“Nuk ekziston një projekt i Club Med në Shqipëri”,- citon Rojters në një letër dërguar niviciotëve nga zj. Florence Le Gall, drejtoreshë e zhvillimit rajonal të Club Med. Më tej, ajo u shkruan niviciotëve: “Ne nuk kemi më lidhje kontraktore me kompaninë Riviera.
Ne nuk jemi në dijeni se çfarë po ndërtohet në Kakome, prandaj ju lutemi të mos dërgoni më e-maile për një projekt që për ne nuk ekziston”. Chrystel Baude, zëdhënëse e Club Med, ia konfirmoi Rojtersit autenticitetin e letrës së zj. Le Gall.
Tërheqja e e Club Med nga projekti i Kakomesë përbën një goditje pothuaj vdekjeprurëse për perspektivën e kthimit të bregdetit jonian në një destinacion të turizmit cilësor, i cili zakonisht ndjek hapjen e fshatrave turistikë të kësaj kompanie. Dhe pse ndodh kjo? Sepse qeveritarët dhe ligjvënësit tanë akoma nuk i kanë dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes së titujve të pronësisë.
Në rast se niviciotëve do t’u ishte dhënë titull i qartë i pronësisë, një marrëveshje treshe mes tyre, kompanisë Riviera e Club Med do të kishte qenë e mundur, dhe sot do të kishim në Kakome një fshat turistik cilësor, i cili do të bëhej magnet jo vetëm për turistët perëndimorë, por edhe për kompani të tjera serioze që mund të ndërtonin fshatra të ngjashme turistikë në bregdetin tonë…