Orhan Pamuku dhe shikimi oriental i romaneve

0
58

Përgatiti Arjan Th. Kallço

Kryeveprat e letërsisë ekzaltojnë të gjitha ndijimet, por mbi të gjitha shikimin

Romancierë të pafajshëm dhe sentimentalë – është një libër i magjishëm për nga bardhësia dhe freskia. Edhe pse vetë Pamuku ka shkruar romane shumë të komplikuar dhe zotëron një kulturë të pafund, në këto leksione ai ruan gjendjen e djalit 15, 18 apo 20 vjeçar dhe për herë të parë lexon Lufta dhe Paqja, Demonët apo Kërkimi dhe përhumbet krejtësisht në lexim. Si atëherë për të ekziston vetëm romani që ethshëm rrjedh dhe lëviz në duart e tij. Leximi për të është lumturi : të shkruash është një lumturi edhe më e madhe dhe e shkëlqyer që e ushqen dhe e zotëron plotësisht.

Duhet të rritet dhe të mësojë se letërsia është zbatim, lodhje, vështirësi, vuajtje dhe na hedh në një ankth që na shpëton nga dëshpërimi absolut. Kur Pamuku lexon një roman i ndodh ajo që i ndodhte në fëmijëri. Papritur duart prekën faqen 3 të librit, braktis jetën e përditshme : të gjitha gjërat që shikonte dhe dëgjonte deri në atë çast, zhduken : nuk e ndjen më kolltukun ku është ulur, dhomën plot me tapete turke, thirrjet e fëmijëve që luajnë me top në rrugët e Stambollit, fishkëllimën e vaporëve larg dhe mbi të gjitha përhumbet tek vetvetja, ajo tek e cila ishte i burgosur deri pak kohë më parë.

I duket se ëndërron : e shikon botën me sytë e personazheve të Ana Kareninës, shëtit në pejsazhet që ata frekuentojnë. Nuk ka asnjë rëndësi se libri i tij nuk tregon gjëra të jashtëzakonshme : Madam Bovarinë dhe Edukimi sentimental tregojnë ngjarje të përditshme, megjithatë nëse era e romanit fillon të lëvizë realitetin, hyjmë në një tjetër botë nga e cila nuk shohim më botën e zakonit. Të gjitha ndijimet janë në punë : shikimi, nuhatja, dëgjimi, shija, prekja dhe të gjitha venat e tij jetojnë tek romani që po mëson ta njohë. Ka një ndijim që Pamukun e preferon : shikimi.

Nuk na çudit, sepse ishte ndjenja që grekët ua paravendosnin të tjerave. Ndoshta shikimi i tij nuk është ai grek : por ai oriental, sidomos ai persian që krijoi në shekuj, mijëra miniatura të vogla të mrekullueshme që ai në fund të shpirtit i preferon ndaj pikturës europiane, ndaj së cilës vazhdon të mos ketë besim. Adhuron Luftën dhe Paqen dhe Kareninën të gjitha romanet e Dikensit dhe të Tomas Hardit dhe atë kombinim mrekullues të shikimit dhe nuhatjes që është Kërkimi në të cilën shihen aromat. Shpesh provon një lloj zilie për piktorët edhe perëndimorë : do të donte të ishte Eyck, Bellin, Pontrom, Pusin, Karden, Monet të shkrirë në një lloj afresku përbindësh.

Ndonjëherë është i padrejtë : as Demonët e Dostojevskit, as Kështjella e Kafkës nuk janë romane të dukshëm. Janë romane të shkruar me syrin e mendjes : megjithatë nuk mund të dalim të paprekur nga leximi i dy librave të mësipërm. Ndoshta Pamuku shikon me tepëri : realiteti nuk është për të një sasi e pafund e prekjeve minimale të dukshme që më në fund formojnë një pejsazh apo një panoramë. Realiteti është një arkiv : dhjetëra, mijëra sende dhe pikutra e popullojnë si tek Muzeumi Viktoria dhe Alberti apo muzeu Ufici i Firences.

Gjithçka bëhet arkiv : stacioni i autobusit në fund të rrugës, gazeta që lexoj, një film që më pëlqen, pamja e perëndimit nga dritarja ime, çaji që pi, rrugica ku eci në Stamboll. Përmes një hinke të mendjes mund të hedhim në thesin e gjerë të romanit lista dhe inventare, orare dhe hekurudha, poezi, komente poezish, komente komenteve, përmbledhje romanesh, ese’ historike dhe shkencore, tekste filozofike, përralla, anekdoda : romani pranon çdo gjë, edhe jo reale, të pamundshme dhe gjithçka që i përket mbretërisë së qiellit. Ndërsa lexon, Pamuku kryen një veprim të veçantë : pyet sa pjesë të romanit reflekton tek mendimet dhe ndjenjat e tregimtarit dhe sa pjesë e realitetit që ai vrojtoi : cilat faqe të Bovarisë apo tek Krim dhe ndëshkim hipin pa ndërmjetës në mendjen e Floberit dhe të Dostojevskit?

Pamuku kërkon qendrën e çdo romani : atë pikë të padukshme nga e cila i gjithë libri doli dhe vazhdon ta mbajë sekretin. A ekziston me të vërtetë qendra e romanit? I gjithë romani është qendër : personazhet kryesorë, më të vegjëlit, pejsazhet, kapitujt, imazhet, deri dhe pikat dhe presjet. Pjesërisht Pamuku ka të drejtë. Lexuesi i vërtetë nuk e lexon kurrë librin e dukshëm që shkëlqen në sipërfaqe, por librin sekret që është i fshehur në shtresat më të thella, si në shtresat e mëpasme të një torte. Lexuesi vepron në errësirë, duke prekur, i ndriçuar vetëm nga një llampë e vogël dore. Nëse dëshiron të kuptojë, formulat e shpejta dhe joshëse nuk i duhen shumë. Atje poshtë çdo gjë është e vogël, kaq delikate, e brishtë. Me llampën e tij të dorës, lexuesi ndjek kuptimin e çdo elementi, lidhjet që vendosen mes elementëve, asocimet dhe kombinimet, përkimet, transformimet dhe kondesimet e materialit.

Mungon vetëm një gjë në librin e këndshëm të Pamukut. Nuk flitet kurrë për ritmin e romanve, ndërsa ai është frymëzim i përkohshëm që i mban. Çdo roman i madh lindi nga shpikja e një ritmi që mund të jetë shumë i lehtë, i lehtë, i moderuar, i prerë, i pafuqi, i shpejtë, tepër i shpejtë. Pa shpikjen e një ritmi Manxoni nuk do të kishte shkruar Të fejuarit, Stevensoni Ishullin e thesarit, Henri Xhejmsi Krahët e pëllumbit. Lexuesi i ndjek në mendje : i provon me intuitë, u bën të vetët, i lind në vetvete, duke provuar çdo herë një formë ndryshe të lumturisë së përkohëshme.