Moikom Zeqo, 23.10.2010
Po troket ora e opozitës. Në fakt ka trokitur edhe më parë. Tani trokitja zotëron tërë politikën e demonizuar shqiptare. Kjo është krejt e natyrshme dhe jetike. Në shtetin totalitar ka pushtet, por nuk ka opozitë. Opozita është shpikje konceptuale e demokracisë, ajo e kushtëzon, e zhvillon, e pasuron, e dlirëson dhe e garanton demokracinë. Në të kundërtën nuk ka demokraci, por tautologji, ose demokraci. Opozita është kriticizmi i pushtetit aktual, d.m.th. mundësia reale e variantit të pushtetit të ardhshëm. Alternimi i domosdoshëm i pushteteve qeverisës brenda të njëjtit shtet dhe shoqëri. Pa këtë alternim logjik dhe juridik nuk ka shpresë, as kuptimshmëri të jetës në të gjitha aspektet.
Pushteti aktual po e mbaron ciklin kushtetues. Ndonëse ende jo mandatin kohor kalendarik. Kriza politike është kaq e shumëfishtë, e ngatërruar dhe e rëndë, sa mund ta kapërcejë vetveten me zgjedhje të parakohshme. Pse e them këtë? A është kështu? A mund të jetë ndryshe? Zgjedhjet e parakohshme janë një zgjidhje racionale dhe e mençur kombëtare.
Zgjedhjet e parakohshme janë të dobishme për të dyja partitë e mëdha dhe krejt spektrin politik shqiptar. Ato mund dhe duhet të korrigjojnë në emër të progresit dhe europianizimit emancipues shumë mangësi të tmerrshme.
Së pari, të vendosin përfundimisht statusin demokratik, të saktë, të pakontestueshëm më, të rezultateve autentike të votimeve në tërësi dhe të çdo vote në veçanësi. Manipulimi dhe vjedhjet e votave të marrin fund njëherë e përgjithmonë. Besoj se kjo do të arrihet dhe ngulmimi i paepur për këtë gjë, nuk do të jetë thjesht meritë e PS-së, por e krejt shoqërisë shqiptare, një meritë historike e jashtëzakonshme.
Së dyti, zgjedhjet e parakohshme do të japin rast për një konceptim më të zgjuar, të thellë, të përfaqësimit politik, si në kompozimin e emrave të deputetëve nga të dyja anët, ashtu dhe të ndërtimit të aleancave dhe koalicioneve politike, pra të parlamentarizmit të vërtetë dhe jo të parlamentarizmit koniunktural, të intrigave klanore, të vogla, klienteliste dhe qesharake. Po ky është një thelb i madh i konceptualitetit dhe vizionarizmit, nuk është as i lehtë dhe as thjesht subjektiv. Këtu, në këtë pikë inkandeshente, do të reflektohet niveli më i vërtetë dhe i lartë intelektual, profesional dhe i modernitetit të avancuar politik. Pra të ndryshimit progresiv të klasës politike në përgjithësi, të emancipimit të ndërsjellë, të së majtës dhe të së djathtës. Kjo duhet ta bëjë klasën politike të shkëputet nga deliret, sepse vetëm të paditurit janë delirantë, kurse dituria, duke të dhënë shkallën e krahësimtarisë me të tjerët, me botën e qytetëruar, të bën më realist dhe me këmbët në tokë, pra më të vërtetë.
Së treti, zgjedhjet e parakohshme janë instrumenti i vetëm dhe i patjetërsueshëm i të vërtetës publike në raport me të vërtetat virtuale dhe subjektiviste të politikanëve si protagonistë kryesorë. Atë që nuk e zgjidhin dot përfaqësuesit kundërshtarë me gladiatorizmin mediatik ose edhe parlamentar, ose manifestativ, e ofron konkretisht veprimi autoritar dhe madhor zgjedhor. Ky instrument i prekshëm i testimit masiv është laboratori i vetëm publik, i pavarur dhe pa ekuivokë i së vërtetës, që është dhe jo i së vërtetës së pretenduar, të personalizuar, si dhe të monopolizuar.
Së katërti, kjo gjë lëvizëse, ndryshuese, do të vërtetojë se dinamika e politikës ekziston për hir të të gjithëve, të të gjitha partive politike pa përjashtim, pikërisht nga substanca dinamike e elektorateve dhe e shoqërisë në përgjithësi.
Së pesti, zgjedhjet e parakohshme (si edhe ato të afatshmet), janë prova e vitalitetit apo e vdekjes së ideve politike, janë ballafaqimi rigoroz dhe gati apokaliptik i vizioneve, i verifikimit të demokracisë së vërtetë dhe i shkatërrimit të iluzioneve primitive, provinciale, plot retrograde totalitariste të së kaluarës, pra hapja e portës së të ardhmes së ëndërruar si aspiratë, si shpresë, si moralitet dhe humanitet.
Së gjashti, klasa politike do të ketë mundësinë historike të korrigjojë vetveten, sipas parimit të katarsit aristetolian, për të mos gënjyer as popullin, as elektoratet, për të mos e institucionalizuar gënjeshtrën mashtruese, por të vërtetën.
Së shtati, një situatë e re paszgjedhore krejtësisht ligjore do të krijojë premisat e domosdoshme për një kriticizëm të ri, më të fuqishëm, pra edhe më dobiprurës dhe shumëfunksional, duke fuqizuar shoqërinë civile dhe shkatërruar klientelizmin ekonomik dhe politik të mediave, që përbën një fatkeqësi shoqërore shumë të rrezikshme.
Së teti, kriticizmi i ri që përmenda më sipër, mund të bëjë kontrollin shoqëror masiv dhe më të specializuar të ligjshmërisë kushtetuese si të pozitës ashtu dhe të opozitës. Kjo gjë do të ngjallë shpresë për të mos braktisur besimin njerëzor te demokracia institucionale.
Së nënti, duke i sanksionuar format ligjore të demokracisë njerëzit do të mendojnë më seriozisht dhe në mënyrë më krijuese për përmbajtjen e saj.
Së dhjeti, skena e politikës, sipas shprehjes së famshme të Hanah Arendit, do të bëhet më publike, më pak përjashtuese, pra rrjedhimisht edhe më njerëzore.
Pushteti i sotëm i alambikuar me një varak mediatik të neveritshëm dhe krejtësisht të kotë është thjesht virtual. Analizat le të vërtetojnë se çfarë bëri pozitive, çfarë nuk bëri pozitive, ose çfarë nuk deshi, ose nuk mundte dot të bënte gjatë mandatimit.
Ora troket për opozitën, pa harruar asnjëherë se çdo fitore elektorale nuk është fitore e vërtetë, nëse nuk parakupton ndryshimin vizionar, pozitiv të qeverisjes publike. Sot, arsyet e këtij ndryshimi janë për PS-në siç mund të jenë nesër për PD-në.