Ora e dorëheqjes si profesionist

0
68


Nga Preç Zogaj

Do ta kisha evituar fjalën ” profesionist” për ta zëvendësuar me togfjalëshin “burrë shteti”. Rrjedhimisht titulli i këtij shkrimi do të ishte “Ora e dorëheqjes si burrë shteti”. Më ketë rast do të kisha përmendur dy-tre shembuj të dorëheqjeve më të bujshme nga historia e qeverisjeve në vendet demokratike. Dhe do të kisha nënvizuar faktin se dorëheqjet e mëdha i kanë lartësuar autorët e tyre po aq sa fitoret e mëdha.

Por nuk mu duk e drejtë ta bëj këtë. E para, sepse Shqipëria është vend i vogël , me një popullsi gjithashtu të vogël në raport me shumicën e vendeve të Europës Perëndimore. Si i tillë, në një farë mënyre, ky vend nuk e bën ” burrin e shtetit”. Ka diçka komike, edhe pse ndoshta nuk mendohet, kur të mëdhenjtë e planetit cilësojnë burra shteti në vendet e vogla.

E dyta, sepse burrat e shtetit në këtë vend, kur pagëzohen të tillë prej servilizmit të pështirë apo kur ky apelativ u vjen në formën e një dekreti verbal nga një fuqi e madhe aleate, nuk bëhen më të mirë, por më të këqij; nuk relaksohen, por tërbohen; nuk priren ta tregojnë veten duke prodhuar më shumë demokraci dhe liri për të gjithë, por duke iu sulur opozitës, shtypit të lirë, popullit opozitar, institucioneve të pavarura .Për fat të keq, burrat e shtetit në këtë vend nuk i sigurojnë, por i trembin qytetarët.

Këtë tregon përvoja jonë. Mjafton të kujtojmë një fakt nga viti 2000: kur kryeministri i asaj kohe Ilir Meta ndalonte dhe shoqëronte në komisariat me forca policie shefin e opozitës së asaj kohe dhe policia e komanduar prej tij ndërmerrte një valë reprezaljesh kundër protestuesve dhe qytetarëve demokratë në ” emër të ligjit dhe vetëm ligjit”, vetë zoti Meta kishte marrë nga Departamenti Amerikan i Shtetit apo nga Shtëpia e Bardhë vlerësimin e lartë “burrë shteti dhe i zgjuar”.

Oh, tani e morën në qafë, më pati thënë atëherë me trishtim njëri prej këshilltarëve të tij të jashtëm Nuk po zgjatem më tej për të treguar pse preferoj fjalën “profesionist” në vend të ” burrë shteti”. Shqipërisë, kështu siç është dhe siç do të jetë, do t’i shkonin shumë politikanët modestë dhe profesionistë. Madje le të mos jenë modestë. Mjafton të jenë profesionistë dhe të sillen si profesionistë. Mjafton të zbatojnë në punën e tyre rregullat e zanatit, ku bën pjesë padyshim edhe dorëheqja si lëvizje politike e veçantë për zhbllokimin e situatave të ndërlikuara.

Ajo që vajtoj gjithnjë nga sjellja e sotme politike e ish- kryeministrit Fatos Nano ka të bëjë me faktin se ai është politikani që ka dhënë dy është i vetmi që ka dorëzuar pushtetin me zgjedhje të lira në vitin 2005, duke vërtetuar tezën e njohur se zgjedhjet janë parasëgjithash mjeti më e lënë pushtetin, jo me e marrë. Por në vend që t’i mbante lart me stoicizëm këto vlera, Fatosi i ka braktisur duke lënë të kuptohet se dorëheqjet të shkatërrojnë.
Do ta pranoja si përjashtim, por nuk e pranoj si rregull këtë fat.

Dorëheqjet në momentin e duhur nuk janë humbje, nuk janë rënie, nuk janë rrokullisje, nuk janë shkatërrim. Varësisht nga shkaku për të cilën jepen, ato janë rifillim, rimodelim, lartësim. Janë shërbim për shumicën , për vendin. Ndërsa kur jepen nga halli, nga pamundësia për të qëndruar, kuptohet se aftësia rekuperuese e të dorëhequrit zvogëlohet.

E kam shkruar disa herë: zgjedhjet e vitit 2009 nuk prodhuan fitues. Në kuptimin e votës së hedhur për ndryshimin ( opozitën) dhe mosndryshimin ( qeverinë) zgjedhjet , sipas rezultatit zyrtar, dolën barazim. Ky ishte verdikti, i deformuar sigurisht nga një numër parregullsish.

Por u pranua si i tillë edhe nga opozita. Berisha duhej të lexonte si profesionist këtë verdikt dhe të ofronte zgjidhjen adekuate. Ka gjithnjë matrapazë përtej verdiktit të zgjedhjeve, por profesionisti lexon verdiktin. Kjo do të thotë thjesht e qartë të shërbesh paqen. Tensioni që shkaktoi në PS koalicioni i pavotuar PD- LSI do të ishte zbutur e relativizuar po të ishte lejuar numërimi i votave në tre qarqet e kërkuara nga dy komisionerët e lartë të PS-së. Kjo nuk u pranua.

Tensioni sërish do të ishte relativizuar dhe fusha e dyshimeve për zgjedhjet e ardhshme do të ishte pastruar, po të ishte lejuar transparenca e kërkuar përgjatë me shumë se një viti nga PS dhe opozita e bashkuar. Dihet fati i transparencës. Në kushtet e refuzimit të këtyre
kërkesave, nuk ka dyshim se koalicioni i pavotuar qeveritar ka shërbyer si katalizator diversioni, papërgjegjshmërie dhe abuzimesh në shkallë të lartë, si ato që ka denoncuar vetë aleati i parë i Berishës nga LSI-ja, zoti Dritan Prifti.

Nga ana tjetër, edhe po të mos ishte damkosur me skandale, duke refuzuar transparencën, koalicioni i pavotuar qeveritar vuri në dyshim të plotë ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme. Berisha dhe Meta janë dy liderë politikë që kanë organizuar zgjedhjet me të këqija në historinë e tranzicionit shqiptar. Berisha në vitin 1996 si ish-President i Republikës, Meta në vitin 2001 si ish-kryeministër.

Cila opozita në botë nuk do të shqetësohej në maksimum kur dy kampionë të manipulimit të votës nuk janë kundërshtarë , por aleatë në të njëjtën qeveri? Në verën e vitit 2009 Berisha humbi rastin e artë për të lënë në trashëgiminë e kulturës politiketë vendit veprën e një leximi demokratik dhe pa dredha të rezultatit të zgjedhjeve. Unë nuk e di a do të ishte pranuar ai si kryeministër i barazimit, apo do të ishte gjendur një kryeministër tjetër nga Partia Demokratike, e cila, megjithëse jo fituese,
kishte dalë e para.

Nuk paragjykoj asgjë. Por kam bindjen se vendit do t’i ishin kursyer shumë nga skandalet dhe telashet e kësaj periudhe. Berisha humbi një rast tjetër për të vepruar si politikan profesionist. Kur vendosi t’i refuzonte opozitës edhe kutitë e materialeve zgjedhore, që ia kishte premtuar solemnisht disa herë.

Nuk mund edhe t’i tundte grushtin kësaj opozite. Për këdo që ka një kuptim minimal për bashkëjetesën politike në demokraci, kjo ishte shumë. Refuzimi i një kërkesë aq të artikuluar, që kishte gjetur mbështetje konsensuale edhe në një rezolutë të Parlamentit Europian, nuk mund të bëhej pa paguar një çmim. Por kryeministri e imponoi në formë sfide për opozitën e Shqipërisë.

Kush mbjell erën do të korrë furtunën, – thotë populli. Protesta e 21 janarit erdhi me karikimin e kësaj historie dhe të efekteve që ka prodhuar në opinionin publik videoja “Meta-Prifti”. Prokuroria tani po heton për vrasjet e tre qytetarëve nga Garda e Republikës dhe për ekseset e demonstrimit të disa protestuesve para kryeministrisë. Berisha ngatërrohet kot me fanitjen e tij të grushtit të shtetit dhe me lloj-lloj çikërrimash e gënjeshtrash të vogla që i jep pa asnjë filtër logjik.

Asgjë nuk do të dalë nga ky shpenzim dhe shpërdorim i kotë energjish, që po riciklon tërë mendësinë e vjetër, por sterile të partisë- shtet, që nuk mund të veprojë për shkak të mjedisit demokratik europiano-perëndimor ku pulson jeta politike dhe shoqërore e Shqipërisë. Pushtetet në Shqipëri janë të ndara dhe nuk mund të bashkohen në një dorë.

Liria e shtypit është e garantuar, pavarësisht nga presionet dhe pengesat
e një regjimi që cilësohet demokraci hibride. Liria e organizimit, e tubimit, e manifestimit, e protestës dhe demonstrimit të lirë është e garantuar me Kushtetutë dhe nuk mund të kthehet prapa, pavarësisht nga plumbat e Gardës, gjë që u pa qartë në marshimin homazh të 28 janarit, që bëri histori.

Këto arritje nuk preken dot në thelbin e tyre, sado i zemëruar të jetë Berisha. Problemet reale të qeverisë së tij në këtë periudhë janë videoja “Meta-Prifti” dhe vrasjet në bulevard që kanë tronditur mbarë opinionin publik shqiptar dhe të huaj.

Amerikanët e kanë mbështetur Berishën, por hetimin dhe ndëshkimin e fajtorëve për vrasjet e presin nga organet e drejtësisë. Në këto kushte, pasi t’i ketë konsumuar kot të gjitha sulmet kundër Presidentit të Republikës, Prokurorisë dhe Opozitës, Berishës nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të mendojë për zgjidhjen e krizës .

Opozita kërkon prej tij një zgjidhje të re dhe zgjedhje të negociuara në horizont. Dy herë, minimumi, ka munguar ai në leximin si profesionist të situatave, duke u përgjigjur me dorëheqje. Mungesa për herë të tretë, në një situatë shumë me të ndërlikuar, do të rrisë shumëfish koston e daljes së vendit nga kriza.