Opozita nis sot protestat kundër qeverisë

0
28

TIRANE – Opozita nis sot nga Elbasani protestën për rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga kryeministri Sali Berisha. Tubimet e opozitës këtë herë do të kenë “një gjuhë ultimative” për Berishën dhe maxhorancën, sipas njërit prej aleatëve të PS-së, Spartak Ngjela. Ndërsa nga mënyra e organizimit do të ruhet modeli i protestave të mëparshme. Do të ketë fjalime të të gjithë drejtuesve të koalicionit opozitar, deputetëve socialistëve të qarkut të Elbasanit.

Protesta e parë nis sot në orën 17:00 para Prefekturës, me sloganin “Luftë kundër korrupsionit, keqqeverisjes, varfërisë dhe krizës totale”. Në të gjitha fjalimet do të tregohet se “Berisha ka dështuar” dhe qeveria duhet të largohet. Pas Elbasanit, opozita do të bëjë disa ditë pushimi me rastin e festave kombëtare të 28-29 Nëntorit. Më pas, sipas një përcaktimi ende të pazyrtarizuar, do të jetë fundjavën që vjen Pogradeci që do të presë Opozitën e Bashkuar.

Më pas në datën 6 dhjetor është menduar një tubim në Durrës. Ndërsa në 21 dhjetor, në Fier. Deri në fund të këtij muaji mësohet se do të zhvillohen protesta pothuaj në të gjitha qytetet kryesore të vendit, por ende nuk janë fiksuar datat konkrete. Ndërsa për sa i përket Tiranës, data e protestës do të diskutohet në ditët në vijim, ose mund të mbetet për në muajin janar, pas Vitit të Ri. Moti i keq duket se nuk po i favorizon opozitarët, të cilët deri më tani pritën një reagim nga kryeministri Berisha për ofertën e re të Ramës, ndaj edhe shtynë fillimin e tubimeve.

(s.g/GSH/BalkanWeb)