Opozita në Shkodër: Moshapja e kutive është tregues i manipulimit

0
49

Nga Tema

Opozita vijoi dje protestat e saj për hapjen e kutive dhe transparencën e procesit zgjedhor në qytetin e Shkodrës. Mijëra qytetarë mbushën sallën e pallatit të sportit të qytetit. Shiu nuk ka lejuar mbajtjen e tubimit jashtë, megjithatë kanë qenë të shumtë shkodranët që kanë marrë pjesë në protestë, ashtu siç vepruan dhe gjatë fushatës elektorale, kur opozita realizoi një nga mitingjet më të mëdha të bëra ndonjëherë në këtë qytet. Shkodra, qyteti që ka vuajtur më shumë manipulimet zgjedhore në këtë proces, ka qenë ndalesa e radhës e partive të majta dhe të djathta.

Protesta është hapur nga deputeti socialist, Pandeli Majko, i cili i është referuar tipareve antikomuniste të Shkodrës për të sensibilizuar qytetarët e saj që të protestojnë për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Kërkojmë hapjen e kutive të 28 qershorit për të parë moralin e kësaj qeverie. Këtë protestë nuk e bëjmë për destabilizim, por për të nxjerrë të vërtetën e votës së vjedhur. Shkodra është termometër për çdo regjim. Ne jemi në Shkodër, sepse nuk duam regjim në Shqipëri, por dialog. Kërkojmë hapjen e kutive të 28 qershorit për të parë moralin e kësaj qeverie. Këtë protestë nuk e bëjmë për destabilizim, por për të nxjerrë të vërtetën e votës së vjedhur”, – tha Majko.

Ndërsa kryetari i PS, Edi Rama, tha se fakti që Berisha nuk pranon të hapë kutitë është një provë e manipulimeve.

“Mospranimi për t’i hapur kutitë e votimit dhe për t’i dhënë opozitës të drejtën të lexojë votat përpara popullit, është prova e frikës së madhe që ka Sali Berisha nga e vërteta. Por edhe prova e së vërtetës së madhe që ne do ta mbrojmë pa frikë dhe pa lodhje deri në fund, deri kur të realizohet kërkesa jonë legjitime, deri kur Shqipëria të jetë e lirë, dhe jo monopoli i klientëve dhe shërbëtorëve të Sali Berishës. Deri kur çdo shqiptar të ketë liri dhe të drejta njësoj si fëmijët e kryeministrit, njësoj si fëmijët e oborrit të klientëve, të shërbëtorëve të kryeministrit.

Ne nuk hyjmë dhe nuk do të hyjmë në Kuvend për t’u bërë bashkëfajtorë në mbylljen e syve përpara të vërtetës dramatike, e për të mbyllur kushedi për sa vite të tjera mundësinë që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme me Sali Berishën në pushtet, nëse sot pushteti i Sali Berishës nuk i hap rrugë hetimit të gjithë mekanizmit kriminal që goditi lirinë dhe cenoi ndershmërinë e këtyre zgjedhjeve, duke hapur kutitë e votimit, aty ku është e vërteta, aty ku fshihet krimi”, – tha Rama.

I pranishëm në protestën e djeshme në Shkodër, Spartak Ngjela, kryetar i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, e vlerësoi të paligjshme qeverinë Berisha duke theksuar se mungesa e legjitimitetit të kësaj qeverie është një motiv i mjaftueshëm për të vazhduar protestat në të gjithë Shqipërinë. “Kjo është një qeveri e jashtëligjshme, atmosfera e krijuar është e padurueshme dhe duhet të veprojmë për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje. Papunësia në Shkodër tregon abuzimin e këtij pushteti që ka manipuluar votat tuaja për interesat e tij. Le ta detyrojmë këtë qeveri të hapë kutitë e zgjedhjeve të 28 qershorit. Mos-hapja e kutive të votimit nga ana e qeverisë Berisha është turp ndërkombëtar”, – tha Ngjela.

“Nuk rrëzuam diktaturën e Hoxhës për të mbajtur në kurriz diktaturën e korrupsionit të Berishës”

Nga Edi Rama

Ajo që dua të them sot, me sigurinë më të madhe, është se asnjë qytet në Shqipëri nuk mund ta ndiejë më fort se Shkodra dhe qytetarët e qytetaret e saj rrezikun e afrimit të një regjimi të ri. Por Shkodra nuk e rrëzoi regjimin e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës për të mbajtur në kurriz 20 vjet më vonë regjimin e diktaturës korruptive të një sekretari ordiner të partisë së Enver Hoxhës. Mbi këtë qytet kanë vrarë e kanë prerë. Kanë gjuajtur me plumba në trupin e Shkodrës çdo gjë të bukur të këtij qyteti, por asnjëherë nuk kanë arritur të zhdukin rrënjët e shpirtit demokratik të shkodranëve e shkodraneve.

Deri ditën që solli një rrugë të re për gjithë Shqipërinë, për një rrugë të kërkuar me shumë mund, e përmes shumë sakrificash e ëndrrash, në radhën më të parë nga ata që e vuajtën më shumë mungesën e kësaj rruge, qytetaret e qytetarët e Shkodrës që e menduan veten të lirë, ndoshta shumë të lirë, aq sa humbën brenda vetë lirisë në turbullirën që gatoi pa pushim, duke sunduar përmes besimit të tyre, kjo parti, partia që sot kërkon të qëndrojë medoemos në pushtet, për të përmbushur nevojat e një familjeje të vetme përmes grabitjes së votave edhe këtu në Shkodër, ku është goditur me të njëjtën forcë, me të njëjtin fanatizëm, dhe me të njëjtën verbëri, si e majta, ashtu edhe e djathta, për t’i dhënë jetë një pushteti, i cili është pushteti i grabitësve të votës, i cili nuk është as i majtë dhe as i djathtë, por është vetëm një pushtet familjar që ka përqendruar të gjitha fuqitë, energjitë dhe të gjithë shtetin në përmbushjen e interesave të veta.

Dikush ka thënë: Të vërtetat që fshihen, kthehen në katastrofa. E vërteta që fshihet në kutitë e 28 qershorit, nuk mund të kthehet në katastrofë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe prandaj ky pushtet që buron nga ajo e vërtetë e fshehur, e cila kërkon ta mbajë me çdo kusht peng, nuk mund t’i qeverisë shqiptarët. Nëse ky pushtet nuk hap kutitë e votimit, do të mbyllet njëherë e mirë në kutinë e turpit dhe nuk do të jetë pushteti që do qeverisë qeverinë dhe shqiptarët.

Nëse Sali Berisha do ta mbajë forcërisht të mbyllur në burgun e kutive të votimit vendimin sovran të shumicës së popullit, ne do ta përballim pushtetin e hajdutëve të votës me pushtetin e popullit sovran. Ne nuk kërkojmë të përmbysim me dhunë një pushtet të dalë nga dhunimi i votës, por kërkojmë që dhunimi i votës të mbarojë bashkë me këtë pushtet dhunuesish.

Më 20 nëntor ne do të rimblidhemi të gjithë në Tiranë, do të jemi më shumë se asnjëherë, dhe do të kërkojmë me më shumë forcë se asnjëherë tjetër një të drejtë elementare që nuk na e mohon dot Sali Berisha dhe pushteti i tij. Sali Berisha thotë se hapja e kutive të votimit është ogurzezë. Por, nëse ka një mundësi të vetme që hapja e kutive e votimit është ogurzezë, ajo është ogurzezë vetëm për pushtetin e atyre që kanë grabitur votën, dhe jo për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Cili kryeministër, në cilin vend demokratik, do t’i refuzonte me forcë popullit të vet të drejtën për të parë votën? Do të pranonte të turpëronte vendin e vet, duke pranuar më mirë një parlament që rri me një këmbë sesa të drejtën e çdo qytetari e qytetareje për të parë votën e vet? Në cilin vend? Ku? Në NATO apo në BE mund të ndodhë që t’i mohohet opozitës dhe kujtdo tjetër e drejta për të hapur kutitë e votimit? As në Afganistan nuk mohohet kjo e drejtë, as në Iran madje nuk u mbajtën dot të mbyllura të gjitha kutitë e votimit. Edhe aty në një regjim tërësisht jodemokratik u detyruan të hapin një pjesë të kutive të votimit, kurse në Shqipëri, që po troket në BE, kryeministri thotë se kutitë nuk hapen, sepse hapja e tyre është ogurzezë.

Si mund të pranojmë ne në shekullin e 21, pasi i kemi dhënë fund diktaturës, pasi kemi bërë gjithçka, kemi mundur të ndahemi, jo thjesht nga diktatura, por edhe nga tabiatet e saj, sot të rigjendemi në kushtet e një farse që ngjan shumë me diktaturën dhe i vetmi ndryshim që ka, është se nuk është diktatura e komunizmit, por është diktatura e korrupsionit?

* * *

Nuk kam ardhur këtu t’ju them, as juve që jeni në sallë, dhe as atyre që e ndjekin këtë tubim, i cili është i jashtëzakonshëm në kushtet e rrebeshit të jashtëzakonshëm që është jashtë, që të bashkoheni me PS. Unë kam ardhur këtu t’ju them, që të bashkohemi të gjithë, pa dallim, pa kufij partish, pa kufij mes të majtës dhe së djathtës, për diçka që është mbi partitë, mbi të majtën e të djathtën, mbi programet dhe mbi idetë e zhvillimit, por që lidhet me të gjitha këto, dhe që është liria për të zgjedhur lirisht dhe liria dhe e drejta për ta parë të numërohet lirisht votën tënde.

20 nëntori është një ditë e shënuar në këtë përpjekje historike për t’u ndarë nga një traditë e shëmtuar që arriti kulmin më 28 qershor. Më 20 nëntor, jo vetëm ju që jeni këtu, por së bashku, të gjithë, me fqinjët, miqtë tuaj, me të afërmit, dhe së bashku me të gjithë ata që mund të lajmëroni, duhet të vini me çdo mjet në Tiranë, në sheshin “Skënderbej” për një manifestim të paharrueshëm, në emër të lirisë, që na e ka dhënë jo Sali Berisha, por që na e ka dhënë Zoti dhe e drejta jonë e fituar në një përpjekje kundër një diktature, e cila nuk mund të rikthehet si hije në rrugën tonë.