Opozita në Kuvend: Të shkarkohet Topalli

0
45

Erjon Ajazi

Deputetët e PS-së në kor: Je keqpërdorur. Kryetarja: Gënjeni! Bëni detyrën tuaj

Partia Socialiste kërkon shkarkimin nga detyra të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Kërkimi i hapësirave për kapërcimin e ngërçit politik është shoqëruar dje nga akuza e radhës së opozitës për të kërkuar jo dorëheqjen, por shkarkimin e Kryetares së Kuvendit. Deputetët e PS-së janë treguar të ashpër ndaj kryeparlamentares Topalli, e cila ishte e vetme në mbrojtje përballë akuzave në breshëri të Partisë Socialiste.

Kryeministri Berisha mungoi gjatë gjithë seancës, ndërsa deputetët Arben Ahmetaj, Taulant Balla, Asllan Dogjani, Fatmir Toçi dhe Erion Braçe e fokusuan debatin te numri dy i PD-së, njëkohësisht drejtuese e seancave parlamentare, Jozefina Topalli. Sipas deputetëve socialistë, Kryetarja e Kuvendit është fajtore pse Shqipërisë iu refuzua statusi i vendit kandidat. “Qeveria është përgjegjëse për të gjitha të këqijat që po i ndodhin këtij vendi”, tha deputeti Ahmetaj, duke drejtuar gishtin e ‘fajtorit’ nga Kryetarja e Kuvendit në mungesë të anëtarëve të kabinetit qeveritar në sallë. “Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, po abuzon me postin ndaj edhe vetë duhet ta kuptojë se nuk duhet të dorëhiqet, por të shkarkohet”, tha Ahmetaj.

“Gënjeni kur thoni se kush është i akuzuari. Pjesa themelore, fondamentale, arsyeja qenësore për të cilën ai raport flet për mosfunksionimin e Parlamentit, sepse ju keni bojkotuar për gjashtë muaj. Ju donit të votonit në Parlament, por iu nuk la Edi Rama dhe nuk e gjetët dot kurrë guximin”, tha Topalli, duke u bërë ftesë deputetëve socialistë të votojnë qoftë edhe kundër për projektligjet. Nga ana tjetër, edhe deputeti Taulant Balla e cilësoi postin e Kryetares së Parlamentit si të keqpërdorur. Deputeti socialist, Taulant Balla, duke interpretuar opinionin e KE-së, theksoi nga foltorja e Kuvendit se refuzimi i statusit kishte një mesazh të qartë. “E keni rrugën e hapur për integrim, por pa Sali Berishën”.

Deputeti Balla gjithashtu akuzoi Kryetaren e Parlamentit se keqpërdoret nga Kryeministri. Sipas Ballës, duhet larguar keqpërdorja dhe i keqpërdoruri. “Po si mund të ankohesh se raporti i Komisionit nuk është transparent? Pse çfarë kujton ti Sali Berisha, se raporti i Komisionit Europian duhet të jetë si ajo pasqyra e shtrigës te ‘Borbardha dhe shtatë xhuxhat’, që mund të fshehë realitetin e hidhur. Raporti i Komisionit është pasqyrë e realitetit shqiptar”, tha deputeti Balla. Si kundërpërgjigje, deputeti demokrat, Flamur Noka, duke iu drejtuar deputetit Balla, tha se “të kanë keqpërdorur të gjithë kryetarët që kanë hyrë dhe kanë dalë në PS. Duhet të flasësh më parë për Fatos Gjurën, çlidhje ka me trafikun e drogës dhe trafikun e femrave në Qafë-Thanë”.

Në formë replike, deputeti i PS-së, Namik Dokle, ka zbutur debatin duke iu drejtuar deputetit Noka me fjalët se “bashkëpatriotit tim t’i them një gjë, talenti politik nuk është grip që të ngjitet, prandaj se u rri disa politikanëve hapur nuk të zë gripi i politikës”. Por, pavarësisht akuzave reciproke, debate u fokusua sërish te drejtuesja e seancës. “Për çfarë ankohesh ti moj zonja Xhozefinë? Raporti thotë se është keqpërdorur pozicioni i Kryetarit të Kuvendit. Ne nuk ulemi në atë karrige, aty ulesh ti dhe keqpërdoresh ti, nganjëherë edhe me telefon. Mos duhet që raporti të bëjë transparentë urdhrat që merr ti me telefon, hap votimin, mbyll votimin, ribëje votimin, prit se s’ka ardhur Iliri, hiqja fjalën këtij, pse s’ia jep fjalën Lulit etj., etj., me radhë. Këtë thotë raporti zonja Xhozefinë”, tha Balla. Duke përshkallëzuar akuzat, deputeti Balla theksoi se “po shet nja 100 makina ti moj zonjë. Çfarë transparence duhet të bëjë raporti? Që aktet noteriale të shitjeve duhen bërë te zoti noter Topalli.

Raporti i Komisionit Europian thotë se politizimi i stafit parlamentar është i dëmshëm për organizimin e punës së Kuvendit. Mos ju duket gjë normal keqpërdorimi i nëpunësit më të lartë civil në Kuvend, sekretarit të përgjithshëm. Si ka mundësi që një nëpunës civil t’i drejtojë këtë letër një institucioni shtetëror të zgjedhur me votë, njëkohësisht kryetar i opozitës. Kodi i nëpunësit civil ia ndalon keqpërdorimin politik. Apo kjo ndodh sepse meqenëse Kryetarja e Kuvendit keqpërdoret nga Kryeministri, vetë kryetarja keqpërdor sekretarin e përgjithshëm. Kjo situatë e ka një zgjidhje, duhen larguar medoemos keqpërdorësit dhe të keqpërdorurit”.