Opozita, koha për një bilanc

0
47

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 02.07.2010

Dështimi i një përpjekjeje kaq të pazakonshme për hetimin parlamentar të zgjedhjeve të kaluara është garancia më e madhe që mund t’u jepet manipulatorëve të votës në një anë dhe ligjit të xhunglës në anën tjetër.

Banditizmi elektoral, i ngjitur pothuajse në sistem prej shumë vitesh në të gjitha hallkat e procesit elektoral në Shqipëri, mund të dyfishojë në zgjedhjet e ardhshme, duke parë se edhe Europa ngriti duart përballë refuzimit të kryeministrit Berisha për të arritur një marrëveshje me opozitën e tij.

Kjo është frika e madhe që pason kthimin e krizës në pikën zero. Në rrafshin popullor, sot për sot, kjo frikë zhurmohet dhe mpihet jo pak nga transmetimet, diskutimet dhe emisionet e shumta radiofonike për kampionatin botëror të futbollit në Afrikën e Jugut. Por, siç ndodh me disa lloj fatkeqësish, edhe frikës për të ardhmen e zgjedhjeve në Shqipëri do t’i dalë mpirja sapo të mbetemi përsëri me ngjarjet tona.

Njerëzit, sipas përkatësisë politike, formimit dhe informimit, kanë gjykimin e tyre të për lëvizjen disamujore të opozitës për transparencën e zgjedhjeve. Me përjashtim të budallenjve dhe ekstremistëve të sëmurë, të gjithë të tjerët besoj se mendojnë njëlloj së paku tre gjëra.

E para, ashtu si sëmundjet që nuk shërohen nëse nuk kurohen, edhe kriza nuk u shua meqenëse nuk u zgjidh. E dyta, duke qenë se çdo krizë e tregon natyrën e saj në rezistencën që ndesh dhe duhet të thyejë, është e qartë se kriza aktuale është më e thellë dhe më komplekse se sa është menduar në
fillim.

Fakti që as protestat popullore, as përpjekjet e opozitës në parlament, as greva e urisë dhe, së fundi, as ndërmjetësimi i Europës nuk e mundësuan gjer me sot hetimin parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit në bazë të një marrëveshjeje të negociuar mes palëve, e dëshmon më së miri këtë që themi.

E treta, opozita që ndërmori për herë të parë në historinë e tranzicionit një lëvizje të re për standardet zgjedhore në Shqipëri, duhet të bëjë një bilanc dhe një refleksion sa me të shpejtë për ecurinë e deritanishme dhe perspektivën e kësaj lëvizjeje. Opozita, realisht, as mund të ndalet, as mund të vazhdojë kuturu pa një analizë të thellë, prej nga do të përcaktonte hapat për më tutje.

Nuk ka dyshim se kundërshtarët e transparencës, sikurse edhe kundërshtarët par excellance të shefit të opozitës, Edi Rama, dëshirojnë dhe presin që PS, si partia kryesore e opozitës, të gjejë një dalje elegante nga tuneli i krizës, të ulë me kujdes flamurin e transparencës dhe të përfshihet paskëtaj në betejën e gjatë që kush të marrë drejtimin e saj.

Kurse mbështetësit e transparencës, partiakë dhe jo partiakë, të majtë dhe të djathtë, përfshirë ata që nuk e konsiderojnë monopol të PS-së, por një çështje madhore të demokracisë lëvizjen për standardet zgjedhore, dëshirojnë dhe presin vendime të pjekura që shërbejnë zgjidhjen.

Tërheqja apo pajtimi me dështimin janë vetëvrasës për opozitën dhe një ogur i keq për demokracinë. Suksesi i një lëvizjeje politike nuk është një send që t’i e fut ose jo në dorë për t’ua treguar ndjekësve të t’u si trofe.

Ca më tepër kur bëhet fjalë për një lëvizje politike, si kjo për hetimin e zgjedhjeve, që mund të realizohet vetëm në Kuvend dhe detyrimisht me palën tjetër, domethënë me shumicën. Refuzimi i shumicës me lloj-lloj argumentesh e pretekstesh nuk është automatikisht një dështim për opozitën. Këtu nuk shtrohet çështja për të marrë diçka me zor. As për ta mbajtur me zor. Kjo betejë nuk lexohet si një lojë regbie pa rregulla. Politika ka veçoritë e veta.

Disfata fare mirë mund t’i shkojë atij që nuk lëshon asgjë deri në fund, sikurse mund t’i shkojë suksesi atij që i është afruar fitores hap pas hapi, “nga një humbje në tjetrën”.

Nga ky këndshikim, që mëtoj të jetë ndër më të pagabueshmit për natyrën e krizës që jetojmë, opozita nuk e ka të vështirë të rendisë disa arritje të lëvizjes së saj, siç janë: kapja për brirësh e problemit madhor që pengon, vonon dhe mundon Shqipërinë e shqiptarët në rrugën e tyre drejt normalitetit demokratik; distancimi i qartë dhe demaskimi i manipulimeve të 28 qershorit edhe kur në përmbushjen e tyre janë përfshirë zyrtarë të opozitës; leximi i plotë i raportit të OSBE-ODHIRI-it dhe jo vetëm i dy-tre fjalive të shtuara në Vjenë, siç bën qeveria; nxjerrja në pah me forma të forta shprehëse i parregullsive dhe shkeljeve të shumta të kartës së Kopengagenit të evidentuara në atë raport; rritja e shkallës së ndjeshmërisë popullore për zgjedhjet; mbajtja gjallë e konceptit dhe shijes së standardeve kundër pikëpamjes dhe praktikës së shndërrimit të zgjedhjeve në një biznes të pështirë; rritja e ndjeshmërisë ndërkombëtare, vënia e kryeministrit Berisha dhe qeverisë së tij në pozitën e pakëndshme të refuzimit sistematik dhe autodemaskues të një marrëveshjeje me opozitën e madhe të vendit për një çështje elementare dhe thelbësore për demokracinë… Pika të tjera mund të shtohen.

E rëndësishme është që bilanci të jetë realist dhe qëndrimi ndaj tij të jetë gjithashtu realist. Nuk ka vend as për disfatizëm, meqenëse marrëveshja nuk është arritur, por as për t’u ndier të shpaguar prej krizës, meqenëse e mori vesh gjithë bota se qeveria nuk hap kutitë. Pjesë thelbësore e bilancit të lëvizjes është analiza e qëndrimeve të mbajtura, e mjeteve dhe metodave të përdorura, e mundësive të harxhuara e të paharxhuara.

Pika e parë e këtij refleksioni lidhet me pyetjen pse dështoi përpjekja e Parlamentit Europian dhe a është dështimi i zotërinjve Daul dhe Shulz dështimi i Europës me krizën shqiptare. Nuk është fjala për të paragjykuar apo prapagjykuar ndërmjetësit dhe institucionet që ata përfaqësojnë. Realisht, ata kishin qëllime të mira. Ata meritojnë mirënjohje për aq sa bënë. Ndoshta ata ecën symbyllur dhe ngecën në krizën shqiptare si në një grackë.

Normalisht, ata duhet ta vuajnë këtë, sepse është një dështim që lë gjurmë në karrierën e tyre. Dështimi i tyre, ndërkaq, thërret në kauzë edhe peshën e institucioneve politike të Europës, siç është Parlamenti Europian. Nga ferra e vogël del lepuri i madh.

Nga Shqipëria e vogël, Europa mund të shohë dobësitë e saj dhe të politikanëve të saj. Por, kjo nuk është puna jonë. Puna jonë është tjetër. Opozita ndërpreu grevën e urisë dhe protestat me marrjen e ftesës për bisedime në Strasburg. Shefi i opozitës, zoti Rama, po qortohet tani nga disa zëra brenda opozitës, pse shkoi pa kushte dhe pa një marrëveshje paraprake në ato bisedime.

Me fjalë të tjera, ai që kishte prapa forcën e protestave popullore, nuk duhej të mbështetej vetëm në mirëbesimin dhe dashamirësinë e ftuesve nga Parlamenti Europian. Ai duhej të mbante parasysh postulatin e liberalit Benedeto Kroçse se në politikë forca dhe mirëkuptimi janë skaje të bashkëlidhura.

Ai nuk jeton në një planet tjetër që të mos kuptojë sa i ha krahu Parlamentit Europian dhe sa mund të sugjestionohet kryeministri i Shqipërisë nga këto gjëra.

Kjo analizë mund të thellohet, por nuk besoj se të çon gjëkundi. Personalisht, mendoj se Rama nuk mund të qortohet pse nuk vuri kushte. Po të kishte venë kushte, Berisha mund të mos kishte shkuar fare në bisedime. Në këtë mënyrë, Ramës do t’i shkonte përgjegjësia e djegies së shansit që ofroi Strasburgu.

Djegia e opozitës sonë në Europë do të ishte për ne një humbje shumë më e madhe se “djegia” simbolike e Europës në krizën shqiptare. Në fund të fundit, opozita e ka nisur vetë lëvizjen e saj, me bindjen se standardi i kutive të hapura është standard perëndimor. Europa deshi, pa u përfshi. Ne të gjithë deshëm.

Midis një zgjidhje të ndërmjetësuar nga Europa dhe një zgjidhje nga rruga, kemi parapëlqyer të parën. Në figurën e zotërinjve, Daul dhe Shulz, Europa tregoi se kishte dëshirën, por nuk kishte forcë, mjete dhe madje as qartësi për të na ndihmuar.

Dështimi i Europës, aq sa ç’është një lajm i keq për krizën, është edhe një zhvillim i ri për fatin e saj. Në fund të fundit, kjo është një krizë, që ka nevojë t’i provojë të gjithë, t’u japë mundësi të gjithë miqve dhe partnerëve të provojnë për të na ndihmuar. Ajo u ngjan atyre padrejtësive që duhet të shkojnë në kulm, pa të marrin fund.