Opozita, Edi Rama: Kërkojmë dorëheqjen e qeverisë Berisha

0
37

Denis Dedej, 15.01.2011

“Largimi i Metës është një manovër e detyruar në kushtet e presionit qytetar, politik dhe ndërkombëtar që e formalizon krizën e thellë ku e ka futur qeverisjen e vendit llumi i korrupsionit”. Ky është vlerësimi i dhënë dje nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mbi dorëheqjen e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë.

Në një komunikim me median, kryesocialisti theksoi se ky largim me turp dhe qëndrimi akoma më i turpshëm i të ashtuquajturit kryeministër pas largimit, si edhe lëvizjet tërësisht të komprometuara që pasuan, shtojnë arsyet për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe zgjidhjen e re politike që do t’u hapë rrugë zgjedhjeve të reja.

“U them sot nga kjo foltore, edhe Saliut edhe zëvendësit të tij, se çdo ditë që vonojnë dorëheqjen dhe pranimin e zgjedhjeve të reja, si të vetmen rrugë për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza totale ku e kanë zhytur, rëndojnë pa pushim pozitën e tyre para këtij populli. I hyjnë pa pushim më në hak këtij populli.

E shtyjnë pa pushim këtë popull drejt një ballafaqimi në rrugë me të dy bashkë. Ne ua kërkojmë sot dorëheqjen, jo për t’u ulur në karriget e tyre, po për të risjellë në jetën shqiptare lirinë e konkurrencës”, – tha Rama.

Kryesocialisti vlerësoi se përsëri paturpësisht, Saliu vazhdoi avazin fyes me popullin duke vazhduar të mohojë atë që çdo shqiptar e pa dhe e dëgjoi me zë e me figurë dhe që në fakt ndodh çdo ditë nën strehën e pushtetit të vjedhur për të vjedhur Shqipërinë.

“Kjo tallje sot kishte edhe një ngarkesë të re, përpjekjen, përsëri mafioze, për të vënë nën presion prokurorinë duke harruar qoftë edhe formalisht shprehjen hipokrite “le t’ia lemë drejtësisë” dhe duke përsëritur disa herë qëndrimin e mjerë se gjoja na qenkej montazh ai turp publik.

Turp, i cili do të jetë edhe turpi ynë, i çdo shqiptari të arsyeshëm pa dallim, nëse nuk reagojmë fuqishëm ndaj këtij degjenerimi total”, – reagoi Rama. Prandaj, tha ai, 21 janari është dita e kujtdo që nuk do ta mbajë këtë turp në kurriz duke ndenjur në shtëpi edhe më i varfër, edhe më i papunë, edhe më i pashpresë.

“Dhe si për ta futur talljen e përsëritur me popullin, të cilit Saliu pasi i ka vjedhur votat e pasurinë, kërkon ti vjedhë edhe dritën e syve bashkë me fijen e dëgjimit, duke i thënë atë që pe nuk e pe, e atë që dëgjove nuk e dëgjove, shtoi se rritja paska qenë 7%, ndërkohë që ky burrë tolerant pranuaka edhe 4.9% a thua se shifrat e ekonomisë janë si ato të bllokut të korrupsionit”, – vijoi kreu i socialistëve.

Rama i kujtoi kreut të mazhorancës se Banka Botërore deklaroi që për shkak të krizës së vitit 2009-2010 varfëria u rrit me 4 pikë në Shqipërinë e votave të vjedhura e shifrave të manipuluara.

Duke iu referuar akuzave të kryeministrit Berisha mbi mediat, Rama tha se Berisha iu adresua në mënyrë mafioze dhe publike duke dhënë sinjale kërcënuese për Drejtorin e televizionit si dhe atë të emisionit Fiks Fare. “Saliu tha që nuk i vë nofka drejtorit, ndërkohë që e quajti çakall gazetarin e njohur Filip Çakuli, duke folur jo si kryeministër po siç është në të vërtetë, kusar i zënë ngushtë nga drita e të vërtetës.

E konsiderojmë përdorimin sot të kësaj gjuhe aspak të panjohur për ne, si shprehjen më kuptimplotë të faktit që Saliu nuk është përfaqësuesi i një qeverie të zgjedhur, po i një bashkësie që e pengon popullin të zgjedhë, duke vepruar me çdo burim të lirisë së shtypit si një organizatë mafioze”, – u shpreh kreu i Partisë Socialiste.

***

Nderkaq ne Asamblene Kombetare te Partise Socialiste Rama u shpreh se “më 21 Janar kush do shpëtimin të ngrihet në këmbë”-

“I ftojmë pa flamuj, pa asnjë paragjykim që ndan këdo qoftë dhe pa asnjë ceremoni që të bashkohen secili me veten e tij me të afërmin e të dashurin e tij në mënyrë që ky vend të shpëtojë nga kusarët”- tha Rama.

Lideri I opozitës, kërkoi më më tej dorëheqjen e kryeministri Sali berisha dhe Zëvëndësit të tij Ilir Meta, pasi sipas tij, kjo dyshe e ka grabitur e vjedhur Shqipërinë, gënjyer e tallur.

“Ne kërkojmë dorëheqjen e tyre jo për t`u ulur në karriget e tyre por të sjellë lirinë e konkurencës në politikë përmes zgjedhjeve të reja dhe sipas meritës dhe jo sipas kritereve të bllokut”

Rama paralajmëroi publikim e një skandai, sipas tij të patolerueshëm që lidhet me manipulimin e shifrave të kriminalitetit në vend, ndërsa shtoi se do të publikohen edhe të vërtetat e përmbytjeve të fundit në Shkodër.

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste është mbledhur sot për të vendosur mbi qëndrimin që do të mbajë ndaj mazhorancës dhe qeverisë Berish, pas publikimit të video-skandalit nga programi ‘Fiks fare’, që imlikonte në afera korruptive Ilir Metën.

***

Kreu i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar se Berisha dhe Meta po provokojnë rëndë shqiptarët. Rama i është përgjigjur deklaratave të Berishës dhe Metës, të cilët deklaruar se video skandaloze e Ilir Metës është montuar pikërisht nga Edi Rama.

Sipas këtij të fundit, Berisha-Meta po mohojnë një të vërtetë të zbuluar në dritë të diellit, duke u tallur me shqiptarët. Rama ka thënë se tashmë kjo dyshe duhet të largohet nga qeverisja, pasi nuk bëjnë gjë tjetër veçse përçmojnë popullin shqiptar.

Sipas Ramës, në vend që Berisha dhe Meta të reflektojnë dhe të marrin masa për këtë rast, akuzojnë opozitën, a thua se korrupsioni është bërë nga kjo e fundit.

Rama premton reagim të ashpër të opozitës

TIRANË – Pak orë pas daljes publike të zëvendëskryeministrit dhe kryeministrit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vlerësoi se ajo që populli pa u bë shumëfish më e rëndë dje duke dëgjuar Metën dhe Saliun.

Nga selia rozë, kryesocialisti, duke iu referuar përgjimit të publikuar, tha se u pa nga të gjithë, me zë e me figurë, një ndër episodet e panumërta që ndodhin prej kohësh nën çatinë e qeverisë së krijuar me vota të vjedhura për të vjedhur Shqipërinë.

“Ndërsa ndje, u panë e u dëgjuan, të dy bashkë, kryeministri dhe zëvendësi i tij, kusari i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe matrapazi i votave opozitare, t’u tregonin shqiptarëve se jo vetëm kanë vjedhur votat për të vjedhur Shqipërinë, po me fuqinë e shtetit të kapur e të parasë së pistë, duan të vazhdojnë të vjedhin votat e të plaçkitin gjithçka, madje duke u tallur me një popull të tërë”, – vlerësoi Rama.

Për kryesocialistin, dje ndodhi diçka edhe më e rëndë, sepse botërisht, ai që duhet të largohej dhe ai që duhet ta largonte, njëri zëvendës e tjetri kryeministër, i dhanë popullit provën tronditëse se pse janë bërë bashkë, pse rrinë bashkë, e madje, pse duan të vazhdojnë të rrinë bashke në koalicionin që kanë krijuar me vota të vjedhura për të vjedhur Shqipërinë. Sipas tij, është e padrejtë të thuhet se në atë episod të neveritshëm matrapazllëku ishte vetëm Ilir Meta.

“Sot mund të thuhet pa asnjë dyshim se aty ishte edhe Saliu dora vetë, i cili mesa duket, në këtë çift qeveritar të të hollit me të trashin, paska rolin e atij që mban popullin me muhabet duke folur për kumbulla të kuqe e për bllokun, sa në qeveri e sa në parlament, në ndërkohë që tjetri gjezdiska me bllok në dorë, nga ministria në ministri, për të bërë rrush e kumbulla lekët e shqiptarëve dhe leckosur e nxjerrë Shqipërinë me këpucë të kuqe siç thotë populli”, – deklaroi Rama.

Kryetari i Partisë Socialiste e cilësoi ngjarjen si episodin më të turpshëm që ka tronditur vendin dhe është thjesht një provë më shumë, në malin e provave, fakteve e grupfakteve të dokumentuara të keqqeverisjes së Saliut e Metës.

Të cilat, tha ai, PS i ka denoncuar e do të vazhdojnë t’i denoncojnë publikisht, pa u ndalur përpara asgjëje dhe pa u zmbrapsur asnjë fije nga furia e makinerisë qeveritare të baltës. “E di dhe e ndjej që shqiptaret presin një reagim të fortë, në lartësinë e detyrës sonë, prej nesh si partia më e madhe politike e vendit apo si koalicion opozitar.

Dhe premtoj se ky reagim nuk do të mungojë. Pasnesër Asambleja jonë Kombëtare do të shpalle konkluzionet e vendimet përkatëse”, – paralajmëroi kryetari i opozitës.

Gjatë fjalës së tij, Rama nënvizoi se sot më shumë se kurrë qysh se votat u vodhën për të vjedhur Shqipërinë, është dita që çdo shqiptar i arsyeshëm, jo vetëm të kuptojë, por edhe të jetë në lartësinë e detyrës qytetare për të larguar një qeveri që jo vetëm grabit përditë, jo vetëm vazhdon të provojë e të provohet se synon të vjedhë përsëri zgjedhjet për të vazhduar të vjedhë Shqipërinë, po ka edhe pafytyrësinë e paturpësinë e skajshme të tallet me shqiptarët, duke mohuar sy për sy, deri edhe gjëra që shihen e flasin vetë. “Jep normalisht dorëheqjen apo largohet një ministër ose një qeveri që del nga vota e popullit dhe varet prej votës së tij.

Sepse dihet që në demokraci dorëheqja apo largimi janë e vetmja mënyrë për të lehtësuar barrën e një faji të këtij lloji para zgjedhësve dhe pastaj edhe peshën e gjykimit të popullit në zgjedhjet e ardhshme”, – u shpreh kreu i selisë rozë.