Opozita e opozitës nuk ka më kohë

0
23

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 20.04.2010

Kriza nuk i jep kohë as Fatos Nanos dhe askujt tjetër për të bërë opozitën e opozitës

Në verën e vitit 2005, pasi humbi zgjedhjet, Fatos Nano dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Socialiste, duke i hapur rrugën zgjedhjes në këtë post të Edi Ramës. Ishte një gjest i përzishëm ky i Fatos Nanos: kavaliereskt dhe sportiv, aventuresk dhe burrëror, fisnik dhe përtallës. Nuk ishte hera e parë që ky politikan i fluturonte në ajër pushtetet për t’i rimarrë në rastin më të parë të përshtatshëm, për të mos thënë kur t’i mbushej mendja.
Shumëkush mendonte se po bënte të njëjtën gjë, edhe pse kësaj radhe, në pamje të parë, dorëheqja e tij nuk ishte aq e befasishme apo e paparashikuar.

Ai kishte vënë një bast në zgjedhjet e atij viti: po humba, e le edhe partinë. Ai kishte ngecur pothuajse kot në lakun e këtij premtimi. Pas tetë vjetësh në pushtet, me një mal akuzash për korrupsion në kurriz dhe me gjithë atë gërryerje nga brenda prej LSI-së, PS e Nanos kishte shënuar një rezultat më të mirë se ai që pritej e meritonte. Por, për ato arsyet etike dhe morale që u qepen si rrodhe politikanëve në jetën e tyre, ishte i detyruar të jepte dorëheqjen. Që të mos thoshin rivalët dhe kundërshtarët e tij në parti: I hëngri fjalët! Burracaku!
Por nuk ishte vetëm kjo arsyeja që po largohej nga kreu i partisë. Kishte një rregull në politikën moderne. Kush votohej duke qenë kryeministër dhe humbte, nuk mund të bënte shefin e opozitës. Një kryeministër i rrëzuar me vota, konsiderohej i rrëzuar edhe si shef i opozitës. Opozita kishte nevojë për një udhëheqës të ri, përndryshe shanset e saj për t’u rikthyer në pushtet zvogëloheshin.

Nga ana tjetër, kthimi mbrapsht dhe vazhdimi i së njëjtës betejë për të cilën populli ishte shprehur me votë, e privonte politikën nga risitë, e bënte monotone, të mërzitshme, jofrymëzuese. Fatos Nanos s’kishte asnjë qëllim t’i bënte opozitë Sali Berishës. Nuk i shijonte ai rol. E përjetonte si një dënim, sapo e mendonte. Më mirë të tërhiqej për një fare kohe. Madje, të zhdukej fare nga ato aulat e shpifura ku me demek bëhej politika shqiptare.
Por, do të kthehej. Si gjithmonë. Ai e kishte të tijin këtë stilin që hapte krahun për të dalë në krye diku më tutje, më vonë. Aq me shumë, kur rezultati i Partisë Socialiste në ato zgjedhje nuk ishte i tillë që të përligjte një dorëheqje ende të huaj për zakonet politike shqiptare.
Mundet që edhe Nano e mendonte të përkohshme dorëheqjen e tij. Por, shumë shenja e tregonin më të menduar kësaj radhe, më pak sportiv, madje më të vrarë. Ajo që ai dhe enturazhi i tij nuk kishin besuar se do të ndodhte, kishte ndodhur. Sali Berisha ishte kthyer në pushtet. Edhe pse pa një fitore të qartë, edhe pse me numra të përfituar nga faktori “Meta”, Sali Berisha ishte gdhirë një mëngjes si një magjistar në karrigen e kryeministrit të vendit.

Edhe njëherë zhvillimet kishin shkuar përpara inteligjencës natyrore të Fatos Nanos. Ai kishte humbur para së gjithash përballë atyre zgjedhësve dhe atyre miqve e partnerëve të huaj, të cilët i kishte siguruar më se njëherë se çdo gjë mund të bënte vaki në Shqipëri, por burgosësi i tij nuk do të kthehej kurrë t’i merrte karrigen.
Tani kur të gjitha profecitë dhe përbetimet e këtij lloji ishin përmbysur, ai s’kishte zemër dhe fytyrë t’u dilte përpara ndjekësve të tij, s’kishte çfarë t’i propozonte Partisë Socialiste, s’kishte për ku t’i printe. Duhej lënë të dështonin pasuesit e tij. Duhej lënë Berisha të dështonte si kryeministër. Mandej mund të hapej një spirale e re për një rilindje të tretë të tij në karrigen e kryesocialistit, rrjedhimisht të kryeministrit. Por, kjo ishte një rrugë e gjatë që kërkonte durim, freski, energji, përkushtim në pritje – gjëra që Fatos Nano nuk i kishte më, siç besohej se i kishte pasur dikur.
I ndihmuar prej rrethanave më shumë se prej ambicieve, ai kishte ndryshuar edhe më shumë gjatë viteve të qeverisjes, ishte bërë më dembel, më i dhënë pas qejfeve, veseve dhe mondanitetit. Ai e ndjente dhe e dinte se në rastin me të mirë do t’i qasej Sali Berishës për të ndarë ndonjë gjë me të, por asnjëherë më për të përplasur shpatat me të.
Prej çastit kur dha dorëheqjen, Fatos Nano u zhduk për shumë kohë nga skena politike, e la bosh karrigen e deputetit të Sarandës, me gjasë u vendos bashkë me gruan, Xhoanën, dhe thjeshtrin e tij në një lagje të Vjenës, jetonte atje me mbulimin e gruas biznesmene ky ish-kryeministër i Shqipërisë.

Kishte lënë pas kujtimin e një vepre politike plot kontraste. Ai ishte i pari politikan i lartë që kishte vendosur standardin e dorëheqjes nga qeveria dhe partia në një rrethanë të përligjur. Ishte i pari kryeministër dhe kryetar i një shumice politike që ishte larguar nga pushteti me zgjedhje të rregullta dhe të radhës, si për të ilustruar predikimin e dikurshëm të Akuarones për politikanët shqiptarë se zgjedhjet e lira janë para së gjithash mjeti me e lënë pushtetin. Falë këtyre standardeve, me cigaren e përdredhur në buzë dhe me autostimën tallëse, Fatos Nano kishte prenotuar në historinë politike të tranzicionit një vend për të cilin as që e vriste mendjen.
U zhduk, u vetësyrgjynos si asnjë kryeministër tjetër në historinë e shtetit shqiptar, kur papritur, një ditë dimri të vitit 2007, u shfaq prapa kryeministrit Sali Berisha duke dalë para mediave nga një zyrë e Pallatit të Brigadave.
Në atë shfaqje të parë publike pas kaq kohësh, për një çast u duk se gjatë gjithë kohës së zhdukjes kishte jetuar në zyrën nga doli.
Jo, nuk ishte Fatosi i dikurshëm i burgut të Bënçes. Ishte hija e tij ajo që u shfaq nga hapsanat e reja luksoze që nuk i dinte njeri.
Kryeministri Berisha dhe ish-kryeministri Nano dolën krah përkrah në një konferencë shtypi, pikërisht ditën kur në Presidencë, nën drejtimin e presidentit Alfred Moisiu, ishte mbledhur një tryezë e partive politike për zhbllokimin e zgjedhjeve vendore. Partinë Demokratike në atë tryezë e përfaqësonte nënkryetari Bamir Topi. Partinë Socialiste e përfaqësonte kryetari i saj, Edi Rama.
Në qendër të tryezës ishte vënë problemi i stërdebatuar i identifikimit të zgjedhësve, problem i cili mbante pezull zgjedhjet vendore. Partia Socialiste kishte kërkuar garanci të veçanta në lidhje me përdorimin e certifikatave si mjet identifikimi. Tryeza e thirrur nga Presidenti po përparonte drejt arritjes së një marrëveshjeje për certifikatat, kur me një gjest pothuajse bombastik, Berisha dhe Nano u shfaqen krah përkrah në pallatin e brigadave. Kuptohej qartë se përtej fjalëve që u thanë, dalja e tyre kërkonte të zhvlerësonte tryezën e Presidentit Moisiu dhe aktorët e saj, si dhe të tërhiqte vëmendjen nga pushteti dhe fuqia e vërtetë që ishte tandemi i “liderëve historikë”, Berisha-Nano.
Berisha ishte vërtetë fuqia në raport me të dërguarin e tij në tryezën e Presidentit të Republikës, sado që etika e dërguesit e shkëshillonte karshillëkun ndaj të dërguarit në rastin e dhënë. Po Nano çfarë ishte në raport me zotin Edi Rama që përfaqësonte PS-në në tryezë? Praktikisht, nuk ishte me shumë se një deputet që nuk shkonte në Kuvend. Nano ishte shfaqur përkrah Berishës si një kryetar hije i PS-së, Berisha e kishte pranuar si të tillë dhe, më tej, po e ekspozonte si të tillë në veprime politike aktive.
Dalja e tyre, me shumë se sa një karshillëk ndaj Presidentit të moshuar Alfred Moisiu, ishte shfaqja e një diversioni pa precedent ndaj opozitës politike.
Me statusin e kryetari hije të kësaj opozite, status i përçudnuar sigurisht, sa kohë që shprehej përkrah ose në linjën e shefit të ekzekutivit, Fatos Nano do të shfaqej si një lloj garabamboje në momente pikante të jetës politike dhe institucionale në vend. Kishte një ëndërr: të zgjidhej President i Republikës me mbarimin e mandatit të Moisiut.

Ai bëri lojën e tij, ofroi si karrem për grupin e shumicës përçarjen e re të Partisë Socialiste. Siç e kemi shpjeguar në kapitullin e tretë, kjo ëndërr e tij e ligjshme u venit në pamundësinë objektive të realizimit të saj. PD, Berisha, grupi i deputetëve demokratë, edhe pse e çmonin kontributin e Nanos në përzierjen e lëmsheve në Partinë Socialiste dhe ishin të bindur se edhe më fort do të ndihej krisma e tij në atë parti, nëse zgjidhej President, nuk kishin si votonin nishanin e fushatës elektorale që i kishte sjellë në pushtet. Por edhe po të donin disa, nuk e bënin dot disa të tjerë.
Me imazhin që i ishte ngjitur si mallkim, sikur kryeministri e nxirrte nga mënga apo nga një kthinë luksoze, sa herë që kishte nevojë për të, Fatos Nano u shfaq në vigjilje të fushatës për zgjedhjet e 28 qershorit në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut dhe u intervistua kundër liderit të PS dhe koalicionit opozitar, Edi Rama. Sigurisht, e dinte se sistemi zgjedhor proporcional-rajonal e shumëfishonte vetvetiu efektin elektoral të deklaratave kundër liderit. Ndërkaq, u vu prapa Partisë Socialiste të Vërtetë (PSV 91) ,që kishin krijuar ndërkohë mbështetësit e tij socialistë me Petro Koçin në krye.

Qemerët dhe muret e rrugëve në gjithë jugun e vendit, ku e majta ka epërsi ndaj së djathtës, u mbushen me thirrje të shkruara me sprajt “Voto PSV, voto Nano-Koçi”. Në këto shpallje publike, megjithëse nuk ishte përfshirë në ndonjë listë, emri i Nanos vendosej përpara emrit të Koçit që ishte de jure kryetar i PSV-së. Kuptohej se Petro shpresonte të shtonte ndonjë votë me emrin e Nanos. Këtij, ndërkaq, nuk i konvenonte të testohej ballazi. Më mirë tërthorazi, nëpërmjet Petros. Po të dilte kalë, Nano i dilte zot kalit. Po të dilte kërkë, siç thonë kolonjarët, ia linte Petros.
Për njerëzit që mblodhi rreth vetes – figura publike mjaft prej tyre – dhe për kohën që pati në dispozicion, PSV 91 kaloi si një dështim në zgjedhjet e 28 qershorit. Pas zgjedhjeve, teksa ndoqi LSI-në koalicionin me PD-së dhe nuk pati ndonjë deklaratë distancimi nga ky koalicion, siç pati nga shumica e drejtuesve të lartë të LSI-së, doli në pah më qartë se shumica e socialistëve pragmatistë të mbledhur rreth PSV 91 kishin si motiv kryesor të pengonin suksesin politik dhe elektoral të PS-së së drejtuar nga Edi Rama. Në këtë mision, për shumëkënd të pashpjegueshëm, Fatos Nano u testua përsëri nëpërmjet mbështetësve të mbetur në PS me rastin e zgjedhjeve sipas parimit “një anëtar një votë” të kryetarit të ri të kësaj partie në shtator 2009. Thirrja e Nanos për të votuar nul u mbështet nga një numër i papërfillshëm zgjedhësish.
Në këto kushte, pa mbështetës të konsiderueshëm në elektoratin e majtë dhe në anëtarësinë e Partisë Socialiste, duket se Nano e ka humbur dhe do të vijë duke e humbur edhe më tej peshën dhe rëndësinë në llogaritë e shefit të mazhorancës. Ai është konsumuar pa sukses në dy-tre përpjekje si lider hije i së majtës. Në fund të fundit, ai nuk i duhet për gjë tjetër kësaj mazhorance. Po të kishte reflektuar me thellë rreth faktit të parashtruar në sa e sa analiza politike serioze se e majta shqiptare e ka fuqinë me shumë të historia e saj se sa te emrat e përveçëm që dalin në krye të saj, mund të ishte rezervuar në sprovat e tij për të dalë nga kostumi i liderit historik të së PS-së, çfarë është realisht, dhe për të hyrë në kostumin e liderit hije të PS-së, çfarë nuk mund të jetë, sidomos kur duket sikur e nxjerr… nga mënga kreu i qeverisë.

Ndoshta po reflekton tani, atje në Vjenë apo në Athinë, ku duket ndonjëherë duke shëtitur me qenin e tij. Shqipëria politike dhe ndoshta edhe Shqipëria kulturore e kujtojnë frymën e re liberale, me të cilën ai kontrastoi traditat sektare të këtij vendi. Por lëvizjet e tij nuk u referohen më liberalizmit dhe liberalëve, djalli e mori; kthimet e tij sikur duan të tregojnë se disa njerëz që e provojnë njëherë pushtetin këtu në Shqipëri nuk mund të bëjnë më pa të, nuk mund të shkojnë askund tjetër veçse në pushtet; pushteti, sit ë ishte nektari i Çirçes mitologjike, i bën të ngjashëm e të njëjtë me njeri-tjetrin edhe po të kenë qenë kundërshtarë apo armiq politikë.

Fatos Nano është dikush që mungon për çfarë ka qenë, por jo për çfarë është e premton të jetë. Në epokën e fshatit botëror, siç quhet bota e sotme për shkak të internetit dhe teknologjive të tjera modern të informacionit dhe komunikimit, ai e ka shumë të lehtë të marrë vesh ç’po ndodh, si po rrokullisen dhe ç’drejtim kanë marrë zhvillimet politike dhe ekonomike në vendin e tij. Ai mund ta kundrojë me ironi dhe keqardhje tablonë e ekonomisë në krizë, sikurse mund të bashkohet me të gjithë ata që së paku nuk po krihen në festën tragjikomike të rënies. Por, mund të jetë sërish i ushqyer që nga Tirana me iluzionin sikur e presin deputetë, të zgjedhur, zgjedhës.

Një ironi e re mund t’i jetë taksuar këtij njeriu që ka krijuar, bashkë me standardet që i njoha më sipër, edhe nocionin e politikanit emigrant, domethënë inversin e emigrantit politik si një dukuri shumë e njohur e regjimeve diktatoriale shqiptare: Në vend që ta kërkojë Partia e tij apo opinioni publik, ta kërkojnë vetëm krerët e qeverisë. Në këtë rast, kriza nuk do të jetë e të kërkuarit, por e kërkuesve. Të kërkuarit Fatos Nano do t’i mbetet të kuptojë vetëm një gjë që kriza e gjithanshme shqiptare nuk i jep kohë askujt më për të vazhduar opozitën e opozitës.
Ndërsa janë lidhur në një fat, shumë njerëz kanë pyetur e vazhdojnë të pyesin se si është e mundur kjo, si mund të ndodhë që lideri historik i partisë socialiste të përfundojë në krahët e kundërshtarit të tij kryesor përgjatë katërmbëdhjetë vjetëve dhe të shërbejë interesat e tij, edhe pse ai i ka bërë keq personalisht, duke e burgosur pa të drejtë. Si një fetar, Nano mund jo vetëm ta falë, por edhe t’i ofrojë disa nderime keqbërësit të vet. Por rezignata e tij është politike, jo fetare. Ç’ka ndodhur?