Opinion i botuar sot në T. Observer: Kinezëritë e Saliut dhe mençuria e plakut të Dibrës

0
32

Aleksander Ndoja, 19 shkurt 2012

Shumë kohë më parë në një fshat të Dibrës ndodhi një ngjarje e rëndë. Një burri të njohur në krahinë i vrasin dy djemtë, e për pasojë atë familje e kishte pushtuar zija e madhe. Një ndër pleqtë e krahinës, i njohur për mençurinë e rrallë tipike për dibranët, niset për të marrë pjesë në këtë ceremoni që kishte trondit gjithë krahinën. Rrugës mendohet për të gjetur fjalët sa më ngushëlluese për babain e dy vëllezërve të vrarë, por të gjitha i dukeshin të pa efektshme për gjëmën që kishte ndodhur.

Ashtu i menduar gjendet në familjen ku shtriheshin trupat e dy vëllezërve të vrarë, por çuditërisht në këto momente të vështira ai vendos mos me ju drejtuar të zotit të shtëpisë, babait të dy djemve me fjalë ngushëlluese si “ju lashtë zoti të tjerët” por me shprehjen: “sa mirë kanë bërë që ti janë vra djemtë”. Babai i djemve ligështohet sa nuk ka më prej kësaj fyerje të rëndë, aq më tepër kur kjo vinte nga një burrë i njohur për mendjen e tij mprehtë. Për pasojë nuk vonon dhe fillon hasmëria me plakun që e fyeu aq rëndë.

Pasi kalojnë disa kohë në këtë gjëndje, plaku i fjalëve të rënda i shkon përsëri në shtëpi babait të djemve të vrarë, dhe i thotë: A e din pse ti thashë ato fjalë të rënda në atë moment shumë të vështirë për ty? – Jo përgjigjet plaku i mbytur në dëshpërim. Atëherë më dëgjo i thotë bashkëbiseduesi, “ato fjalë ti thashë me qëllim me ta heq sado pak mendjen prej hakmarrjes për vrasjen e djemve, e me e humb kohën sado pak tu mendue vetëm për arsyen pse unë ti kam thënë këto fjalë”. Atëherë i zoti i shtëpisë ngrihet dhe përqafon plakun e urtë dhe të mençur, duke i thënë se më të vërtetë prej atij momenti që i kishte dëgjuar ato fjalë të rënda mendja nuk më rrinte askund tjetër, përvecse te sjellja jote e asaj dite të vështirë për familjen time.

Duket se nga ndodhi të tilla është inspiruar kryeministri i Shqipërisë i cili në momente krizash të rënda nxjerr nga sirtari i tij, mufka të tilla që tërheqin vemendjen e opinionit nga situata e rëndë ku i ka paraprirë me qeverisjen tij.

Në kulmin e krizës së ditëve të fundit, ku moti i acartë dhe bora e shumtë u bënë zotër të afërsisht gjysmës së territorit të Shqipërisë, jo vetëm falë sasisë së konsiderueshme që ra në tokë, por edhe inaktivitetit total të qeverisë i cila nuk kishte as kripë të maleve të Vlorës, Berisha hodhi në tregun mediatik dhe opinion idenë e të mësuarit në mënyrë të detyrueshme të gjuhës kineze. U deshën vetëm pak minuta pas deklarimit gjatë një fjalimi të gjatë në mbledhjen e qeverisë, që i gjithë opinioni të ‘harrojë” situatën e rëndë nga moti i acartë, dhe të diskutojë në lidhje me kinezërinë më të fundit të dalë nga goja e kryeministrit.

Tashmë të gjithë e dinë se Kina po bën ekspansion të fuqishëm ekonomik në botë, por nuk besohet se ndonjë shtet, aq më tepër europian, të këtë bërë të detyrueshme mësimin e gjuhës kineze në shkollat e tyre. Një ide e tillë të çon edhe më herët, atëherë kur rregjimi komunist në Shqipëri u mundua të na nguliste idenë e çmendur përmes frazës së shumë përdorur “vëllezërit kinezë dhe miqtë kosovarë”, por falë këtij vëllazërimi çmenduaria nuk shkoi deri në atë masë sa gjuha e tyre të diktohej nëpër shkolla, por mbeti thjesht në kuadër të kopjimit të modelit të fletë-rrufeve dhe gjimnastikës së mengjesit, deri edhe në ndërmarrjet prodhuese të kohës.

Një arsye tjetër për mos realizimin e kësaj ideje, lidhet me faktin se Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ka të pa mundur të gjejë 400 mësues për gjuhën kineze, ndërkohë që në jo pak shkolla sidomos të periferisë, edhe gjuha angleze me traditë të hershme edhe në Shqipëri është plotësuar me mësues part-time, që më së shumti shqiptojnë me “dhiz iz” pa zbritur në nivele humori të vërtetë por të hidhur, kur nxnësi i kërkon mësuesit të përkthejë fjalën “ulliri” dhe mësuesi i zënë ngusht i tha “ullains”.

A nuk u habit në të njëjtën mënyrë opinioni kur në kulmin e protestave dhe presionit ndërkombëtar për parrregullësitë e zgjedhjeve të vitit 2009, kryeministri i vëndit bëri që kush e dëgjoi të mbante frymën thellë, teksa ai u deklarua mbi një ligj për lejimin e ushtrimit të aktivitetit të homoseksualëve.

Nëse vijojmë të ndjekim deklarimet e cuditshme të kryeministrit, pa përjashtuar edhe deklaratat për mbjelljen e arrave dhe lajthiave, në çdo rast rezulton të jenë bërë në momente krizash të forta që kalon vendi, e për pasojë askush nuk duhet të harrohet gjatë me diskutime që në fund rezultojnë të jenë të kota, pasi vetë deklarimet kryemistrit tjetër kund rezultojnë ta kenë shënjestrën, e jo në atë që lexohet në rrjeshtat deklarativë.