Në muajt e fundit të mandatit të dytë të Sali Berishës, në Uzinën e Mjekësit janë demontuar fshehtas municione kimike serbe.
Lajmin e bën të ditur e përditshmja Dita.
Dëshmia audio e një oficeri të zbulimit boshnjak, zbardh të vërtetën.
Predhat speciale të fabrikës së municioneve “Krusik”, të qytetit serb të Valkevos janë importuar nga Serbia në Shqipëri, duke përdorur firmën fasadë Montenegro Defence Industries.
Mund të verifikohen urdhrat e shërbimit dhe dietat e makinave tip “Kampanjola” të policisë ushtarake që kanë shoqëruar mjete transporti me ngarkesë ushtarake nga Bozaj- Hani Hotit për në thellësi të territorit shqiptar dhe hyrjet në magazinat e ULP Mjekës.
Sipas dëshmisë audio dhe me shkrim të majorit Semsudin Muminoviç, oficer zbulimi i divizionit numër 24 të ushtrisë myslimane boshnjake me vendzbatim në Zvinicë, në maj të vitit 1995 çetnikët e të ashtuquajturës “Republika Serbska”, goditën me mortaja kalibër 120 mm me municione kimike kolonat e përziera me refugjatë dhe me ushtarë myslimanë boshnjakë në dy lokacione, përkatësisht Konjeviç Polje dhe Nova Kasaba.
Majori beson se LHL-ja e përdorur nga serbët ishte një helm që vepron në sistemin nervor duke dëmtuar aftësitë e njeriut pa e vrarë atë.
Ambalazhet e evidentuara nga boshnjakët në pozicionet fushore të mortajave serbe mbanin të njëjtat numra me predhat e demontuara në Mjekës.
Mbetet i paqartë rrugëtimi i këtyre predhave me mbushje kimike, sepse para vitit 1990 ato bënin pjesë në bazën e armëve kimike të JNA-së në Haxhiç afër Sarajevës, pastaj kaluan në duart e serbëve të Bosnjës dhe më pas municionet e mbetura kimike përfunduan në grup depot e JV-as afër Zlati Borit në Serbi.
Ndërkohë Shqiptarja.com raporton se Mjekësi po bëhet gati për demontimin e armëve kimike siriane.
Madje mësohet se është marrë lista e të gjithë oficerëve madhorë kimistë në pension, në rezervë, në punë ose dhe në emigracion, të cilët do jenë në funksion të atij që quhet kontribut i Shqipërisë në demontimin e këtij arsenali kimik sirian, në kuadër të NATO-s, duke kontribuar jo thjesht me lëshimin e kësaj hapësire tokësore në Mjekës, por dhe me ekspertë, çka e bën të sigurt faktin se Shqipëria është përzgjedhur tashmë për të qenë vend pritës i një pjesë të armëve kimike./ep