
Nga: Brikena Shllaku
SHKODER – Fati për dikë është i pamëshirshëm gjatë gjithë jetës. Fati i keq mund të të ndjekë edhe pas vdekjes. Trupi mund të mos gjejë rehati dhe pasi ke dhënë shpirt. Kështu ndodhi me Albina Gocajn nga fshati Obot i Shkodrës, e cila dje humbi jetën tragjikisht në një aksident automobilistik. Mjerimi dhe udhëtimi me varkë shoqëruan ditët e fundit të jetës nënën e dy fëmijëve dhe po e shoqërojnë dhe orët e fundit mbi tokë. Arkivoli me trupin e saj u vendos mbi varkë dhe bëri rrugëtimin e fundit për në fshatin Mushan, aty ku dhe do të varroset. Për familjarët dhimbja nuk ka fund.
Ka vdekur e zonja e shtëpisë – hall i madh, por një tjetër hall është edhe varrosja. Fshati Obot ku ndodhet shtëpia e viktimës, është i përmbytur prej më shumë se një jave. I shoqi i saj Pjetri, ndërsa është traumatizuar nga humbja e papritur e gruas, vë duart mbi kokë, ngre kokën lart dhe kërkon ndihmë nga Zoti në qiell dhe nga njerëzit në tokë. “Po ku ta varrosi, shpinë e kam në ujë, o Zot ça t’kam ba?”, bërtet herë pas here me zë të fuqishëm burri, Pjetri. Njerëz të shumtë i afrohen, mundohen ta qetësojnë, por a mund të qetësohet ai mes kësaj gjëme?
Kryetari i Komunës së Anës së Malit, Arben Ceni e merr mënjanë Pjetrin dhe nisin të bisedojnë për ceremoninë e varrimit. Mësohet se gjithçka do të merret përsipër nga Komuna Ana e Malit dhe Komuna e Dajçit.
Aksidenti
Oboti është një nga zonat më të dëmtuara nga përmbytja e madhe e këtyre ditëve. Banorët e këtij fshati u evakuuan që para një jave nga banesat e tyre. Mes tyre dhe familja Gocaj. Që prej 6 ditësh Albina Gocaj nuk e kishte parë të shoqin që kishte qëndruar në fshat mes ujërave dhe ishte kujdesur për shtëpinë e mbushur me ujë dhe bagëtinë. Mëngjesin e djeshëm 48-vjeçarja është nisur nga fshati i Paqes (rrëzë malit të Taraboshit) ku ishte strehuar, për të shkuar tek bashkëshorti i saj në Obot.
Donte të takonte të shoqin dhe të shikonte se çfarë ishte bërë me shtëpinë dhe atë pak mall që kishin sipër shpirtit. Por nuk ka mundur të shikojë për të fundit herë as babain e fëmijëve të saj dhe as shtëpinë. Ajo ka vdekur në aksident. Ngjarja ndodhi rreth orës 08:45, në aksin rrugor Shkodër–Muriqan, në afërsi të fshatit Zus të Komunës Rrethina. Sipas burimeve policore, në vendin e quajtur “Gurorja” janë përplasur furgoni me targa SH 9253 C dhe furgoni me targa SH 2669 D. Mësohet se njëri po shkonte në drejtim të qytetit dhe tjetri në drejtim të Muriqanit. Si pasojë e përplasjes së fortë ka mbetur e vdekur në vend Albina Gocaj, ndërsa janë plagosur rëndë edhe dy kushërinjtë: V.Gocaj dhe V. Verri, përkatësisht 58 vjeç dhe 54 vjeç. 48-vjeçarja dhe dy të plagosurit janë dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës.
Mjekët kanë konfirmuar vdekjen e nënës së dy fëmijëve, ndërsa u kanë dhënë ndihmën e parë mjekësore dy të plagosurve. Menjëherë forcat e policisë kanë nisur punën për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Grupi i ekspertëve ka grumbulluar provat materiale, ndërkohë që është bërë dhe shoqërimi në ambientet e Komisariatit të Shkodrës i dy drejtuesve të furgonëve. Ende nuk është bërë asnjë deklaratë mbi shkaqet e këtij aksidenti. Rruga nacionale Shkodër-Muriqan, që lidh qytetin e Shkodrës dhe gjithë Shqipërinë me pikën e kalimit kufitar me Malin e Zi, është një rrugë shumë e ngushtë për një aks të tillë, ku lëvizjet e shumta të mjeteve janë një dukuri e përhershme. Shumë herë është kërkuar që të bëhet zgjerimi i rrugës, pasi ka pasur edhe raste të tjera aksidentesh.
Viktima
Në morgun e spitalit rajonal të Shkodrës janë bërë dhe ceremonitë fetare të besimit katolik. Më pas është bërë transportimi i arkivolit me trupin e pajetë të Albina Gocajt për në fshatin Mushan. Familja e Pjetër Zef Gocajt jeton në fshatin Obot. Në këtë fshat mysliman nuk ka varreza katolike. Në këto kushte, sa herë ka pasur të vdekur në familjet katolike, varrimi i tyre është bërë në fshatin Mushan që është pranë me Obotin. Fatmirësisht në këtë situatë, kur mijëra hektarë tokë janë të përmbytur nga uji, fshati Mushan ka shpëtuar dhe ceremonia mortore e Albina Gocajt do të bëhet aty. Gocaj do të varroset pranë të afërmve të vet. Ceremonia mortore u bë sot në orën 12:00.
(GSH/BalkanWeb)







