“O shqiptar… që s’ju mora vesh asnjëherë”

0
42

Nga Arben Manaj, 18 Korrik 2012
Londër

Ka një diskurs të ndjerë dhe kuptueshëm këto ditë në Shqipëri në lidhje me atë qe po konceptohet si letargji e popullit ndaj gjendjes së krijuar në vend dhe mungesë ndjeshmërie ndaj të ardhmes. Inaktiviteti dhe letargjia aktuale shqiptare është një konstatim me shume të njohura, por edhe të panjohura, shpjegimi i plote i të cilit nuk është kurrsesi fundor. Gjithsesi një e vërtetë e madhe mbizotëron.

Shqiptaret, (mos harroni të më shënoni edhe mua këtu, ju lutem), pavarësisht nga arsyet dhe shkaqet, janë shënuesit e autogolit më të madh për të tashmen dhe të ardhmen e tyre. Dhe le të mos fshihemi pas gishtit.

Ka disa pikëpyetje të mëdha, përgjigjet e të cilave nënkuptohen, por janë sensitive për tu formuluar për shkak të hidhësisë dhe rrezikut të perceptimit të tyre si personale. Gjithsesi…

Mos valle ne shqiptaret për shkak te varfërisë historike kënaqemi me pak? Dhe me këtë pasuri dhe katandi të fituar në këto 20 vite, ndihemi të vetëplotësuar ne minimalizmin tonë tragjik?

Mos vallë në letargjinë dhe mosngritjen e kryes qytetare, ndikojnë edhe remitancat që vijnë nga emigrantët, që mbajnë familjet, motrat dhe vëllezërit e tyre, ku një pjesë e kalojnë kohën kafeneve, duke prishur parat e ardhura nga jashtë? Dhe për pasoje nuk ia dinë aq vlerën nxjerrjes së parasë dhe përdorimit apo shpërdorimit të saj?

Mos vallë ne jemi në mase të madhe të padale dhe nuk kemi pikë referimi me çfarë të krahasojmë kërkesat tona dhe nuk dimë ndoshta se çfarë është e pranueshme apo masën deri ku nuk pranon një popull shkelmin ne fyt të pushteteve të ditës?

Mos vallë jemi keqtrajtuar dhe shtypur aq shume ndër shekuj, saqë na është bërë natyrë e dytë nënshtrimi dhe kokeulja?

Nisur nga shume reagime të viteve të fundit, që nga Gërdeci që rivoton shkaktarët, shndërrimi i Shkodrës në Venecie, post 21 Janari, protestat e munguara kundër rritjes konstante të çmimeve te shërbimeve që nga dritat, uji, telefonia e tarifa të tjera, apo në invers të saj, sheshet plot të mitingjeve politike, të çojnë në një konkluzion të dhimbshëm.

Qartësisht ne si komb nuk kemi një kulturë të konsoliduar, qoftë demokratike, qofte civile, për të reaguar si perëndimorët në shumicën e rasteve, apo të ngremë instrumente efektivë ndikimi, ndaj defekteve dhe imperfeksioneve të imponuara nga pushtetet dhe qeveritë e ditës, apo atyre të mbartura nga historia.

Në këtë sens, është paska si shumë që ne si shqiptarë të reagojmë menjëherë dhe të korrigjojmë apo ndryshojmë status-quo-t me të njëjtin rendiment si të banorëve horizontalë apo veriorë të kontinentit tonë.

Kemi vetëm 100 vjet që kemi shtetin tonë, ndërkohë që në Pragë, p.sh kalaja e qytetit ka qenë rezidenca e qeverisë përpara 1000 e ca vjetëve. Kaq mjafton për të mos kaluar më në Perëndim apo veri të Pragës.

Pjesa e parë e shekullit të kaluar vërtitej mes mushkonjave, kininave e butaforisë mbretërore sesa nga librat dhe Oksidenti real, ndërkohe pjesa e dyte e shekullit, paradoksalisht drejt elektrifikimit dhe errësirës së izolimit absurd, të fiksuar pas mosmbajtjes së barsetave dhe mjekrës dhe dënimit me burg se dëgjoje Çelentanon.

Shtoi kësaj edhe tollonat në vitet e fundit të komunizmit, dhe shpëlarjen unikale të truve, çka bën që ne si komb sërish të ishim të fundit kur duhet të ishim të parët në mesin e ish-Perandorisë së Lindjes në luftën për ndryshim.

Sakaq, në post-diktaturë gjithçka ishte dhe mbetet një rënie e lire dhe e pamenaxhuar, ku një brez i tërë është rritur me mosbindjen ndaj ligjit ose në mungesën thuajse totale të saj, ndaj dhe nuk ka mosbindje qytetare në përkufizimin klasik të aksionit.

Gjatë kësaj periudhe 20 e ca vjeçare, edhe ajo shtrese pro-aktive dhe e ndërgjegjësuar për vlerat perëndimore mori rrugët e vështira të emigrimit. Ndërkohë, një pjese e kësaj shtrese e gjeti veten, ku me vështirësi, ku me meritë dhe idealizëm, apo edhe me përshtatshmëri me realitetet e brendshme, për të ndërtuar te ardhmen e tyre brenda territorit, bashkë me një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, e cila dogji shumë etapa qytetërimi.

Ndaj sot njerëzit nuk e kuptojnë të famshmin slogan atlantikas, “Act now” ose i rrinë indiferent atij apo edhe i nënqeshin.

Në këtë indiferentizëm, për të qenë të sinqerte, ndihmë kanë dhëne dhe japin sa pseudo-menaxherët politikë të zgjedhur në vend, apo udhëheqësit e vetëshpallur “jo-politikanë”, aq edhe ndërkombëtarët me dieta të majme, si dhe diplomatët e shndërruar në “guvernatorë” të vendit, nga Rinasi e këtej doganës, pasi që në momentin që vënë këmbët në shkallët e avionit dhe aty ku zbresin, as komshinjtë e tyre nuk i njohin.

Ajo që është e frikshme në tërë këtë letargji dhe vegjetim janë të rinjtë, që nuk kanë fuqinë për të kuptuar fatkeqësisht se po u kalon jeta “nëpër shale” dhe po humbasin shanse mbijetese në tregun e egër të kapitalizmit shqiptar, apo austeritetit evropian.

Janë ata që në shumice do të përballen një ditë me realitetin e ditës së pas-dehjes, kur do të jetë shumë vonë, për shkak të diplomave “Kristalore” të financuara çuditërisht nga prindër të dhimbshëm si çdo prind për fëmijët, por realisht naiv në përzgjedhjet universitare për fëmijët e tyre.

Këtu, natyrisht nuk përfshihen ata fëmijë etërish që i kanë sjellë fëmijët deri në Kembrixh ku studion edhe im bir, duke paguar qimet e kokës, ku një pjesë e “përballojnë” me rrogat e shtetit apo bizneset e lidhura me fijet e pushtetit.

Të pashpjegueshëm janë dhe ata të rinj, me ç’fokusimin e tyre, që edhe 20 vjet nga rënia e komunizmit, e vërtisin jetën në pjesë të madhe me gjëra periferike dhe harxhojnë çuditërisht sot aq shume kohë me vanitete si tifozllëku për ekipet evropiane të futbollit, sa rrallë bashkëmoshatarë të tyre në Perëndim.

Faktikisht këta janë të rinj, që kanë shumë më shumë halle sesa brezi im, që asokohe kishte kush mendonte për ne, brenda budallallëkut tonë kolektiv, por të sigurt po themi, deri diku.

Madje këta të rinj, realisht kanë pak shanse të dalin nga familjet patriarkale shqiptare, ku jetojnë me “kuç e me maç” brenda dy apo tre dhomave e një kuzhine, me një problematikë të kuptueshme, dhe me pak shpresa për të qenë pronar shtëpish, sesa qiraxhinj të tyre në rastin më të mirë.

E sërish nuk kurajohen dhe bëhen me vokal e më perëndimor në qasjen dhe përshtatjen me globalizmin e sotëm.

Moderniteti i sotëm nuk qëndron ne anakronizmin e tangërllikun e duhanpirjes skandaloze të një pjese jo të vogël të të rinjve shqiptarë, as në dembelizmin dhe përtacllëkun e tejskajshëm të “një kafe e tre ujë pa gaz” nëpër kafenetë apo bilardot e qyteteve apo Metropolit.

Aq sa nuk është e tille, as vetëm pasja e një açount në Facebook, dhe as lyerja apo pispillosja vanitoze që në pikë të sabahut, majë takave nëpër rrugët jo perfekte shqiptare.

Moderniteti dhe të qenit perëndimor qëndron në ndërgjegjësimin, pse jo edhe egoizmin, dhe të vepruarit për interesat e tyre dhe të së ardhmes së tyre në radhë të parë, për të mos lejuar të deleguarit e tyre përmes votës, që të abuzojnë me fatet e tyre.

Personalisht, me dhimbje e them, nuk kam shume besim dhe iluzion se do te ndryshoje ndonjë qasje, pasi inercia historike është dhe do mbetet fatkeqësisht dominonte dhe rezultante e konstitucionit tonë shpirtëror dhe sivik, si një nga gjërat që nuk na bën dhe aq krenar, krahasueshmerisht me të tjerët, në këtë vetëm 100 vjetor, të pasjes formalisht të shtetit.

Mungesa e protagonizmit ose ndryshe, siç së fundmi ka gjetur shprehje në zhargonit publik “Act Now”, nuk është dhe nuk do të jete me faji i atyre që shpërdorojnë dhe luajnë me destinin e shumicës, pasi ata për nga natyra, do të bëjnë përshesh sa herë të gjejnë shesh, që s’mbushet nga zëri i zdrugasjes dhe latimit demokratik e të vazhdueshëm të praktikave imperfekte.