O regjimin, o krimin!

0
45

Nga Mero Baze, 11 Gusht 2012

Statistikat e vrasjeve në Shqipëri po barazohen me statistikat e pranverës së vitit 1997, ku së paku 3 persona në ditë humbasin jetën nga vrasje për hakmarrje, grabitje apo larje hesapesh. Por përtej statistikës së frikshme, ajo që po e bën situatën të frikshme është pafuqia e policisë për të parandaluar vrasje apo më keq akoma, për të zbuluar apo identifikuar autorët.

Në një situatë politike të ngarkuar nga makthi i mbipushtetit të një njeriu, makthi nga krimi i rrugës po qëndron si një terror rezervë ndaj qytetarëve, të cilët ndjejnë përkeqësimin e standardit të jetës së tyre dhe të lirive të tyre në përgjithësi. Krimi i rrugës dhe dalja jashtë loje e strukturave të policisë, është një kërcënim i madh për çdo qytetar, apo më keq akoma veprimtar politik në vend, për t’i kujtuar se jeta e tij është ose në dorë të Sali Berishës, ose në dorë të krimit të rrugës që nuk zbulohet kurrë.

Një situatë e tillë e lulëzimit të krimit dhe pafuqisë publike të shtetit ndaj tij nuk është parë në Shqipëri qysh prej pranverës së vitit 1997. Por nëse atëherë kishte arsye për pafuqinë e policisë së shkatërruar, sot nuk ka asnjë arsyetim normal përse policia të jetë jashtë loje dhe përse vdekjet nga vrasjet të arrijnë shifra të tilla të frikshme. I vetmi arsyetim normal është lëshimi me vetëdije i hapësirës për krimin e rrugës për ta pasur atë si një terror rezervë ndaj pakënaqësisë në rritje të shoqërisë, të cilës i duhet të zgjedhë o regjimin e Tiranës, o krimin e rrugës.

Ky është dhe i vetmi arsyetim përse Sali Berisha me qetësi vendosi një idiot ministër të Brendshëm. Të gjithë ata që qeshën apo bënë ironi me këtë emërim, tani kanë fatin e keq të ndeshen me bilancin e qeverisjes së tij dhe lulëzimin e krimit, i cili kërcënon çdo shqiptar. Në mungesë të një regjimi diktatorial zyrtar, në mungesë të një terrori të ligjëruar politik, Sali Berisha ka prodhuar përmes një idioti në krye të policisë, një terror edhe më pervers, i cili ka bërë me hije shoqërinë shqiptare.

Në këto statistika të frikshme krimi, ku çdo mëngjes fillon me dy- tre të vrarë dhe çdo mbrëmje përfundon me grabitje dhe dhunë, qytetarët shqiptarë ndjehen të gjithë të rrezikuar dhe prioritetet e jetës së tyre ndryshojnë nga standardi i një jete normale, tek një përpjekje për mbijetesë. Frikëra të tilla ngjallin vetëm regjimet diktatoriale zyrtare dhe regjimet e gangsterëve në pushtet, siç është ky i yni.

Rendi është gjithnjë një mekanizëm që Berisha e ka përdorur politikisht për të kompensuar politikat e tij. Në verën e vitit 1996, kur rrëmbeu gjithçka që nga zgjedhjet deri tek përçarja e opozitës, për të bërë qytetarët të ndjeheshin të qetë ai nisi një fushatë të pazakontë kundër bandave të rrugës dhe vrasësve në kërkim duke bërë arrestime spektakolare, bile dhe duke shpikur organizata kriminale me prapavijë politike siç ishte Hakmarrja për Drejtësi. E gjitha ajo bëhej që qytetarët, të cilët po e shikonin se pushteti kishte gjithçka nën kontroll, së paku të ndjeheshin të qetë për jetën e tyre. Kur erdhi në pushtet në vitin 2005, ai sërish nisi një fushatë të strukturuar edhe politikisht kundër disa bandave shëtitëse në qytetet kryesore të vendit dhe krimit të rrugës duke krijuar një imazh pozitiv tek qytetarët.

Tani që kredencialet e pushtetit të tij kanë rënë në fund, dhe kur perspektiva e ringritjes së tij politike është e largët, ai po bën të kundërtën, duke i lëshuar terren krimit të rrugës, që po vepron si një element terrori mbi shoqërinë. Alibinë e kësaj situate natyrisht që e ka të gatshme, për shkak të atij që ka bërë ministër të Brendshëm. Një emërim i tillë mjafton për të demotivuar policinë në punën e saj vetëm me idenë e të pasurit të një ministri si ai.

Profili i tij i ulët, dhe shpesh qesharak, përfshirja e tij në pazare për poste e grada, ryshfetet në emërimet e drejtuesve të policisë dhe dekonspirimi i policisë tek elementët kriminalë, janë sinjale të tërthorta që e degradojnë vetiu nivelin e kontrollit të krimit nga policia. Tashmë besoj se ia ka arritur qëllimit. Çdo ditë ne gdhihemi dhe erremi me statistika vrasjesh të frikshme dhe një regjim që kontrollon gjithçka përveç kriminelëve, të cilët janë në rrugë si element shtesë për terrorin ndaj shoqërisë.