Nga Ledi Shamku-Shkreli, 28 Prill 2012
Thonë se vdekja e shokut është si rrëzimi i një lisi të gjerë – lë një gropë të madhe zbuluar për nga qielli. Lisi ra e ma bëri zemrën gropë sot… U shihka qielli edhe përmes zgavrës në zemër! Por ty ende s’po të shoh.
Jam e pasprovuar me vdekjen. Përveç sime gjysheje, nuk kam përjetuar tjetër vdekje të afërt. Ty t’kam shok o Dan, më të mirin shok e mik, dhe kaq mjafton që ti të mos ikësh. Më i miri ik’ka i pari?! Prit, prit… . Nuk mjafton të çohesh me ikë, duhet edhe të të lënë me ikë. E mban mend që ishim bashkë para një jave, unë ti e Tani, në mbasdreken me gjurmë zanash e me fjalë arbërishte? Në mbasdreken ku na the vendimin për t’ia kthyer albanologjisë Ardian Klosin me gjithë sa ka dije e pasion.
Unë e hapa lajmin e mirë, e tash ka do djem e vajza që të presin, profesor! Oh ç’fat për ata, sikur ta dëgjojnë Shqipen e Vjetër nga një rilindës si ty; nga ty, veshur me jelekun e setrës e ngjeshur me dashurinë e zemrës për çdo tingull a rrëfenjë amtarishte. Nga ty që je më murg se Buzuku e më i ngrysur se Budi, por je po aq i ri sa Bardhi e me po aq vlagë pasioni sa Bogdani. Nga ty, Dan që di të prrallesh magjishëm si Reinholdi yt. Rri pra rri, se edhe koha dro’ zgjedh të ndalet po u ndale ti.
A mban mend që më the se po bëje gati më të mirat shkrime të Aleksandër Xhuvanit, një përmbledhje që askush tjetër veç teje s’mund ta bëjë më saktë, me përkushtim prej nipi? Sigurisht që e mban mend, se më premtove që do ta botonim shpejt-e-shpejt në Excipere, e unë po ashtu të dhashë fjalën se do t’i mblidhja e përmblidhja vetë në një vëllim gjithë shkrimet e tua për gjuhësinë, meqë ti lodhesh e zdrit shumëkënd veç vetes. Të dhash fjalën Dan, të t’i përmblidhja, se ashtu ku e ku, ndër kohë e gazeta, hapërdahen, ikin, treten, largohen e na largohen o Dan! T’i duam këtu fjalët. Dhe shpirtin ta duam këtu. Se kemi nevojë ta mbajmë prapë shok me tonin, sa herë që ky shpirti ynë na liget nga kurthet e antiqytetërimit. Kështu ka qenë përherë. Ti e di, ndaj mos e vër më kot cepin e buzës në gaz si për të thënë: “Unë forcë?! Ç’nemelazëm!”.
Vijmë tek ti, sekushi nga ne, sa herë ndjehemi fillikat në betejat me muzgun. Vijmë e nuk e bëjmë asfare atë pyetjen prej ngërçi marroq: “Ç’do bësh Dan, si e ke mendjen kësaj radhe”, se ti nisesh vetiu i pari për luftë. E ne të vijmë pas, të ngushëlluar nga prania jote. Ndaj nuk të lë të ikësh sot or Dan, a dëgjon? Nuk ikën dot. Kush niset i pari për në luftë, nuk mund të niset i pari edhe për në paqe.
Siç po të thoja, ta kam dhënë fjalën o shok, e kam me t’i përmbledhë të gjitha shtigjet e arsyes tënde për këtë shqipen tonë. Po ndërkohë kanë me rendë ditët e ka me ardhë sërish ajo tryeza jonë e përvitshme e gjuhësisë, e as aty Dan s’mund të mungosh. Pa ty jemi pak, edhe jemi të vobekët në shpirt e në frymë.
Lajmet e gazetat mizërijnë sot, Dan e të shoh gjithkund mbi letër a celuloid. Nderojnë, kujtojnë, çmojnë, rrëmojnë – si lajmet! E hutuar nga gjithë kjo paradë ngjyrë plumbi, më vjen t’u thërras si shën Luka: “Çfarë prisnit të gjenit në shkretëtirë? Një lastar të thyer më dysh nga stuhitë? Një burrë të veshur me tesha të çmuara? Hëë, po ata që vishen e ngjishen kësisoj e rrojnë majmërisht, ata i keni te sarajet e mbretit! Çfarë prisnit të gjenit në shkretëtirë? Një profet? Po, aty e keni, me të vërtetë e keni, dhe është më tepër se profet!”.
Aty e kishit, aty të kishim o Dan, aty… .
Rri me ne, e ndiqe veç me vështrim atë radhuan e mortit. Ka rrugën e vet ai, bart tjetër lëndë e nuk bart frymën. Ajo je ti. Ajo frymë e ngadaltë dhe e shtruar që lexohet në shqipen e Pouqueville-it – ajo je ti. Ai gaz deri me lot në tryezat tona, për të cilat ime bijë e madhja më tha sot se i ka pika referimi, ai gaz je ti. Ajo gatishmëri e qetë dhe natyrore për t’i dalë së keqes ballas, ajo je ti. Ai tingull qibar që të ka fjala e që sa herë e kam dëgjuar, më ka dhënë ndjesinë e strehës në rrebesh, ai je ti. Ai mundim rrëgjues e i përditshëm për t’i dhënë familjes sate dinjitet e qetësi, në këtë vend ku mendjet e skllavëruara janë në liri kurse mendjet e lira duhet të skllavërohen në punë, ai mundim je ti.
E shikon sa shumë arsye ka që mos të të lë të ikësh? Të rrish këtu si frymë e si kurajë – kjo është shortja jote. Ti je SHOKU. Gjithë të tjerët janë o miq, o thjesht të njohur.
Kam një gropë në zemër sot prej nga shoh qiellin. Po ty ende nuk të shoh aty n’eter, o Dan.







