O burra t’i shesim të gjitha/ Imami ofron për skrap avionët dhe helikopterët

0
44

TemA, 12.08.2013

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, do mbetet një nga figurat më të përfolura të këtij kabineti në largim.

Edhe pse kanë mbetur pak ditë nga largimi, Imami vazhdon që të përdorë postin për përfitime.

Kështu, siç raporton Shekulli, Ministria e Mbrojtjes synon që të shesë për skrap që përfitohet nga avionët, helikopterët dhe motorët e avionëve, të cilët nuk do përdoren më nga Forcat e Armatosura.

Vlera fillestare e sasisë është 15.959.224 lekë pa TVSH, sipas përllogaritjes së vlerës fillestare nga Komisioni i Posaçëm për këtë qëllim.

Tenderi do të mbahet më 26 gusht në orën 10:00 pranë Ministrisë së Mbrojtjes ku do të dorëzohen edhe ofertat.

Por shitja për skrap e avionëve , helikopterëve dhe të mjeteve të tjera të ushtrisë është vijim i politikës së ndjekur nga drejtuesit aktualë të Ministrisë së Mbrojtjes për të shitur pasuritë. Në të njëjtën ditë që do të shiten pjesët e avionëve dhe të helikopterëve për skrap, ministri Imami ka planifikuar që të shesë për skrap edhe dy anije silurkapëse dhe një tjetër polumbare. Ministria e Mbrojtjes synon të shesë anije për përdorim jo ushtarak të cilat nuk gjejnë përdorim të mëtejshëm në Forcat e Armatosura.

Një vit më parë, Ministria e Mbrojtjes nxori në shitje nëntë avionë ushtarak të Forcave të Armatosura Shqiptare, prodhim kinez./ep