TemA, 5 Qershor 2012
Gazeta ekonomike austriake shkruan se qeveria mund të shesë katër hidrocentralet shtetërore për 80 milion euro. Qeveria po nxiton të mbyllë kontratën me fituesin para gushtit. Gazeta austriake: Vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme
Qeveria shqiptare shpreson që të shesë në verë katër hidrocentralet shtetërore. Të katër hidrocentralet, Ulza, Shkopeti, Bistrica 1 dhe Bistrica 2 kanë fuqi të instaluar prej rreth 80 megavat.
Siç raporton gazeta austriake, e vetmja e përditshme ekonomike, “Wirtschaftsblatt”, dy emra të njohur në këtë fushë në Austri, Verbund dhe EVN janë të interesuar për blerjen e këtyre katër hidrocentraleve. Gazeta austriake thotë se hidrocentralet e ndërtuara në vitet 1957, 1965 dhe 1970, prodhojnë për momentin 5.5 përqind të totalit të energjisë së prodhuar në Shqipëri. Po çmimi? Sipas Wirtschaftsblatt bëhet fjalë për një çmim rreth 80 milion euro. Edhe Bloomberg citon çmimin 1 milion euro për megavat.
Qeveria shqiptare shpresonte që të fuste në arkën e shtetit nga 100 deri në 150 milion euro nga shitja e këtyre hidrocentraleve.
Por ajo që bie në sy tek shkrimi i Wirtschaftsblatt është se ajo shkruan se ministria e Ekonomisë parashikon të nënshkruajë kontratën me fituesin brenda gushtit. “Qeveria e Berishës mund të tronditet në rast se nuk bien dakord me opozitën për një kandidat për kreun e shtetit. Nëse dështojnë raundet për zgjedhjen e presidentit, do ketë zgjedhje të parakohshme,” shkruan gazeta.