Nxënësit pyesin Berishën: Si do bëhet Shqipëria vend shumë i zhvilluar?

0
55

TemA, 5 Nëntor 2011

Ambasadori i OSBE, Eugen Volfart, këto tre ditë është parë rrugëve të Tiranës me një grumbull fëmijësh nga pas. Janë nxënës të dalluar të shkollave 9-vjeçare, që shkojnë për të takuar krerët e shtetit. Ishin tek kryetarja e Kuvendit, më pas shkuan tek presidenti Bamir Topi. Këtu e pyetën Topin me të drejtë për ligjin e plehrave. Nuk duhet të jetë ndjerë komod ambasadori Volfart, i cili mbrojti ligjin e plehrave, kur Topi tha se me votimin e ligjit humbën qytetarët dhe fitoi babëzia e interesat.

Pas takimit me Topin, Volfart i çoi fëmijët tek kryeministri. Të kuriozuar nga deklaratat e Berishës se Shqipëria në vendin 2017 do jetë një vend shumë i zhvilluar, fëmijët e pyetën si do e realizonte një gjë të tillë. Njësoj si tek ajo barsoleta e komunizmit, ku një fëmijë nis e qan kur dëgjon sa e mirë është Shqipëria e thotë ‘dua të shkoj në Shqipëri’. Nuk e dimë nëse ndonjë nga fëmijët ka thënë dua të shkoj në Shqipëri, pasi ka dëgjuar ato që ka thënë Berisha si përgjigje, por do jenë çuditur se sa shumë u foli Berisha për Shqipërinë e pastër në ditën kur vendosi të importojë plehra.

Ja përgjigja e Berishës për fëmijët:

“Shqipëria vend i zhvilluar nënkupton një zhvillim të gjithanshëm të vendit, por edhe një zhvillim që ka për rezultante vendosjen e Shqipërisë në grupin e vendeve me të ardhura të larta në botë. Do të thotë se Shqipëria ka qenë në grupin e vendeve me të ardhura më të ulëta, ndërsa sot është në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, duhet të kalojë në grupin e vendeve me të ardhura të larta. Objektivi i përcaktuar për vitin 2017 është objektivi më ambicioz i jetës sime dhe më frymëzuesi. Është kompleks si nocion, vetëkupton një zhvillim cilësor të sistemit të arsimit dhe disa hapa pozitivë të qartë ne i kemi bërë. Çfarë kemi arritur ne? Kemi shtrirë internetin në çdo shkollë, do ta shtrijmë në çdo klasë. Çfarë kemi arritur tjetër? 91 përqind e atyre që mbarojnë klasën e nëntë hyjnë në shkollat e mesme dhe kjo është nga shifrat më të larta, mbi bazë vullnetare. Ka vende që e kanë të detyrueshëm arsimin e mesëm. Ne nuk e kemi dhe nuk do ta bëjmë të detyrueshëm, sepse kjo shifër 91 përqind është e shkëlqyer si shifër. Kemi arritjen tjetër që 70 përqind e atyre që mbarojnë shkollat e mesme ndjekin universitetet. Tani, ne më të gjithë potencialin tonë duhet të angazhohemi në cilësinë e mësimit. Në arsimin parauniversitar ne duhet të bëjmë gjithçka të forcojmë leximin dhe matematikën, si baza e të gjitha bazave. Në arsimin universitar ne duhet të bëjmë gjithçka që të përshtatemi me kushtet e tregut, kërkesat e tij. Po kështu në fushën e shëndetit dhe ruajtjes së tij. Ne do të kapim brenda vitit 2017 dhe kemi kapur disa nga treguesit e vendeve të zhvilluara, siç është jetëgjatësia. Ka një të dhënë të fundit që ne kemi një jetëgjatësi prej 79.4 vjet. Ne kemi një vdekshmëri foshnjorë përsëri më të lartë se ç’duhet ta kemi, por këtë vit e kemi një shifrore, e kemi pasur dy shifrore dhe është shumë e papranueshme. Vendet e zhvilluara e kanë një shifrore. Ne kemi një vdekshmëri amtare shumë të ulët. Ne kemi një nivel kujdesi për fëmijët dhe vaksinimi shumë të lartë.

Unë u ndala në disa tregues, por janë një seri treguesish në rrugën e zhvillimit. Ne synojmë që jo vetëm të bëhemi një vend i zhvilluar, por një vend i zhvilluar i qëndrueshme, në rrugë jeshile. Ne nuk duhet të përsërisim gabimet që kanë bërë vendet e zhvilluara. Shumë vite më parë, në vendin e ambasadorit të OSBE-së, që është vendi më i zhvilluar i Evropës industria kimike krijonte shira acide apo në vendet tjera dhe për të gjitha këto janë marrë masa dhe janë eliminuar. Kancelarja Merkel vendosi të mbyllë të gjitha centralet nukleare, ndonëse ato janë një burim shumë i fuqishëm energjie. Pra, synohet që zhvillimi të ecë, por asgjë të mos komprometojë të ardhmen e atyre që vijnë pas. Ky është thelbi i zhvillimit të qëndrueshëm. Çfarë po bëjmë ne? Po bëjmë një përpjekje shumë të madhe për të zhvilluar të gjitha burimet tona energjetike. Ne jemi vend shumë i pasur me ujëra. Kukësi është një nga vendet më të pasura me ujëra. Unë sot po vij nga Librazhdi dhe isha në Stëblevë, një vend shumë i bukur në Fushë-Studen, në lartësi 1100 metra, por ndër të tjera një seri hidrocentralesh janë për tu ndërtuar në atë zonë. Ne nuk kemi lumenj të mëdhenj, por i kemi të shumtë dhe në tërësi bëjnë ujërat e të Danubit. Ne po bëjmë gjithçka që t’i shndërrojmë ato në energji elektrike, më e pastra. Nuk ka emetim të dioksidit të karbonit. Po në këtë kontekst po bëjmë shumë dhe do të bëjmë shumë për të shtuar sipërfaqet e pyllëzuara, por tashmë me dru frutorë, sepse për to ka shumë nevojë. Ne duhet të bëjmë gjithçka të shtojmë sipërfaqen e tokës prodhuese. Dhe rruga më e sigurt është që të shtojmë edhe gjelbërimin dhe të jenë dru frutorë. Çdo industri që do të zhvillojmë, ne do ta zhvillojmë në standardet më të mira Evropiane. Bashkimi Evropian ka standarde të shkëlqyera të ruajtjes së mjedisit. Këtu ka nxënës nga Vlora dhe ju e patë zhurmën që u bë për termocentralin. Grupe mjedisore protestonin. Kur u ndërtua termocentrali rezultoi se ai e kishte ndotjen dy herë më të vogël sesa lejonte ligji dhe kjo e monitoruar nga shoqëria civile. Ne i kemi këto cilësi dhe do të bëjmë gjithçka që të mos bëjmë hapa para, siç kanë bërë vendet e zhvilluara. Ne nuk jemi vend i zhvilluar, por duhet të zhvillohemi në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, i cili nënkupton jo hapa të gabuar, jo veprime që errësojnë të ardhmen e gjeneratës që vjen.”