Nga Dorina Bilbili, 22 Shtator 2012
Tiranë – Shqipëria ka numrin më të lartë të të burgosurve për numër popullsie krahasuar me shumë vende të Evropës e Botës dhe po ashtu futet në grupin e vendeve me përqindjen më të lartë të minorenëve të implikuar në krime.
Sipas të dhënave të Qëndrës Ndërkombëtare për Studime në Burgje, ICPS, vendi ynë numëron mbi 148 të burgosur për 100 mijë banorë, referuar të dhënave deri në fillim të vitit 2011.
ICPS-ja deri në këtë periudhë numëron 4750 të burgosur në Shqipëri, teksa sipas të dhënave të përditësuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, rezulton se deri në muajin prill 2012 ky numër ka shënuar rritje, pasi raporton afro 4813 të tillë.
Sipas të dhënave zyrtare të aksesuara nga IDEA, grupmosha 21 deri në 50 vjeç është ajo që popullon rëndom burgjet tona, veçanërisht ajo mes 25-40 vjeç. Burgu i Peqinit ka 616 të burgosur, Lezhës ka 416 dhe ai i Rrogozhinës numëron 321 të tillë. Këto tre institucione burgimi kanë edhe numrin më të lartë të personave që janë në paraburgim apo janë dënuar në Shqipëri.
Femrat përbëjnë rreth 2% të të burgosurve dhe personat nën 18 vjeç, 2.5%. Në Greqi minorenët përbëjnë 4.5%, Kovovë 3.1%, Itali, Serbi dhe Maqedoni përbëjnë vetëm 0.7% të popullsisë së burgjeve. Në Shqipëri deri sot ka 21 institucione për të burgosurit, me një okupim afro 107.5%, e një kapacitet 4,417 të burgosur. Pra ato kanë shkelur pragun e mbipopullimit.
Sipas ICPS-së trendi i popullimit të burgjeve shqiptare ndër vite ka ardhur duke u rritur, përveç periudhës së errët të 1997-ës ku gjithçka ishte kaotike dhe burgjet u hapen, si më poshtë:
1995 – 3,177
1998 – 2,922
2001 – 3,053
2003 – 3,778
2005 – 4,356
2008 – 4,857
Anglia dhe Uellsi regjistrojnë numrin më të lartë të popullsisë në burgje për frymë në Evropën Perëndimore, 143 për 100 mijë banorë. Greqia deri në vitin 2011 numëron 111 të burgosur për 100 mijë banorë, Kosova deri në nisje të 2011-ës numeroi 60 për 100 mijë banorë. Të gjitha këto shtete numërojnë më pak të burgosur për numër popullsie se Shqipëria.
Irani në Lindjen e Mesme numëron vetëm 115 të burgosur për 100 mijë banorë. Jemeni 48, Kina ka 121 për 100 mijë banorë. Në Australi ka 129, Afganistani 68, Pakistan deri në fillim të 2011-ës kishte 40 për 100 mijë banorë, Egjipti 80 deri në 2011-ën.
Shqipëria në Evropën Juglindore, Ballkan dhe pjesën tjetër të Evropës lihet pas vetëm nga Turqia, e cila ka afro 168 persona për 100 mijë banorë, nga Ukraina me 350 të tillë dhe Rusia 610 dhe Mali i Zi fqinj numeron 227. Serbia 154, Bullgaria 146, Spanja 150. Me tre të fundit me diferenca që numërohen me gishtat e dorës.
Sa i takon okupimit të institucioneve të burgjeve Shqipëria në Evropë rëndiet e e 18-ta, e para është Serbia me 172.3% dhe më me pak njerëz në burgje është Monako, në vendin e 56-të me 14.8%.
Debati mbi ndikimin e normave të krimit mbi normat e burgosjes është pjesë e një disktutimi të gjërë në mbarë botën e qytetëruar. Efekti i krimit mbi normat e burgimit mund të jetë i vështirë për t’u identifikuar por sipas një teorie të shkollës së Drejtësisë në Yale, thuhet se duke marrë në studim përshembull: Rastin e abortit, kanë dëshmuar se rënia e një krimi të tillë ka shënuar edhe uljen e popullsisë së burgjeve, të dënuar apo ndaluar pikërisht për këtë shkak. (Kjo gjithmonë kur drejtësia vepron bazuar në një shtet ligjor dhe jo arbitrar).
Kryeministri Berisha në mbledhjen e fundit të qeverisë tha vetëm se zbulueshmëria e krimit në Shqipëri është rritur ndjeshëm, duke e interpretuar këtë si rritje të forcës së shtetit ndaj kriminalitetit.
Në një studim të muajit gusht të këtij viti, në mbarë botën, një në 670 njerëz është duke e kaluar një pjesë të jetës së tij apo të saj prapa hekurave. Në shumë vende kushtet e jetesës në burg janë të varfëra. Shumë burgje janë të mbipopulluara dhe dhuna është pjesë e rutinës së përditshme e të burgosurve. Standardet e të drejtave të njeriut shpesh neglizhohen teksa vlerësohet se në Evropë vlerësohet se burgjet e Italisë janë të tejmbushur me të burgosur, në nivel 131.5%. Belgjika ka numrin më të lartë të të burgosurve nën gjykim dhe Holanda ka më shumë gra të burgosura.
Qendra Ndërkombëtare për Studime të Burgjeve (ICPS) paraqet një listë të përditësuar mujore të normave të popullsisë në burg për 100.000 të popullsive kombëtare. Si më poshtë:
10 vendet me më shumë të burgosur për banorë:
Virgin Islands (UK)-439; Anguila (UK)-480; Kuba-510; Rusia-511; Gjeorgjia-524; Ruanda-527; Seychelles-535; Virgin Islands (USA)-539; St Kitts & Nevis-649; Shtetet e Bashkuara-730.







