Nuk thotë askush janë kthyer “të kuqtë” (siç kam thëne edhe unë më ’97)

0
88

Nga Robert Papa, 29 Korrik 2013

Jam në Shqipëri, por më shumë e ndjek median kur jam në SHBA. Qëllova të shikoja Ramën kur deklaroi strukturën e re të qeverisë. Rama ishte i saktë, serioz dhe i përmbajtur. E ndoqa konferencën e tij si përfaqësues i një media që emeton në SHBA, pra isha i ftohtë.

Podi me “kryeministri i zgjedhur”, tregon profesionalizëm dhe kahje anglo-saksone. (Designate Prime Minister). Madje, protokolli shtetëror, Garda e Republikës duhet të kryejë gjithë protokollin ndaj një kryeministri, siç ngjet në gjithë vendet perëndimore. Rama po flet dhe vepron si kryeministër se në fakt është.

Është më se normale ristrukturimi i Qeverisë. Në SHBA, Presidenti (që njëkohësisht ka edhe rolin e kryeministrit) shton ose heq poste të Kabinetit. Bush shtoi një departament (barasvlerë e ministrive): Departamenti i Sigurisë Kombëtare, por shpesh presidenti i jep nivel ministri (sekretari) ambasadorit të SHBA në OKB. E ka bërë Klinton dhe e përsëriti Obama, pra ambasadorja në OKB ishte në kabinet, me post “ministror” t’i themi, me një vlerë sa Sekretarja e Shtetit.

Nëse do merrnim shembullin amerikan, do shpëtonim nga monologjet e mbledhjeve javore të Këshillit të Ministrave. Nuk ka shans në SHBA të shikosh në TV, mbledhjet e javore të kabinetit, pra mbledhjet e Presidentit me sekretarët e departamenteve. E kjo është diçka e rrallë e jo javore.

Në përgjithësi amerikanët tregohen “xhentëlmenë” duke i ofruar një post kabineti dikujt nga opozita. Pak më parë Obama emëroi një republikan në Pentagon, pasi mbajti Gates, ish-drejtor i CIA-s dhe një ikonë e së djathtës amerikane.

Ose rasti i Fullner, Drejtorit të FBI. A e kemi ne këtë kulturë? Rama mund të hyjë në histori si nismëtar. A nuk do ishte një tregues i lartë qytetar sikur Ministër i Drejtësisë të ishte një figurë e djathtë si Ngjela? Dikush mund të thotë se partia e tij nuk mori vota, por unë do sillja shembullin amerikan me rastin e shefit të ri të Pentagonit.

Unë kam një vit që nuk jetoj në Shqipëri dhe vërej se njerëzit janë të vetëdijshëm për këtë fitore shumë te thellë të koalicionit të drejtuar nga Rama. Nuk thotë askush se janë kthyer ”të kuqtë” siç kam thëne edhe unë më 97 dhe kjo, ndër të tjera edhe nga merita e Ramës apo edhe figurave si Ngjela që iu bashkuan ndryshimit që kërkonte koha.

Rama ishte i përmbajtur dhe i saktë ne argumentin e tij për ndarjen e ministrive, sipas përparësisë së vizionit të tij.

Ajo që më prek mua, si vëzhgues nga tej oqeanit, është se Ramës i mungon gjuha e urrejtjes apo hakmarrjes, ndërsa nga të ikurit dëgjoj sharje?! Kjo më habit, më çudit dhe më befason. Pse?! Kur mungon arsyeja, vizioni dhe idetë, nisin çjerrjet dhe sharjet.

Ndërkohë, përciptas, veshin ma shqetësoi shumë një fushatë habie: Kryetari i Ri i PD. Mbase unë jam i paditur, injorant, por në SHBA, as do t’ia dijë kush dhe as e din kush se cili është kryetar i partisë Republikane apo i asaj Demokrate. Janë anonimë që luajnë rolin e zëdhënësit të partisë. Forca qëndron në Kongres dhe Senat! Te ne: një anëtar një votë?! Jo!

Mua më rezultoi se kishte edhe një anëtar dy vota, por edhe dy anëtarë asnjë votë: nuk i lejuan të votojnë edhe pse ishin prindërit e një deputeti demokrat, se kishin frikë se votonin për Olldashin.

Më 2005 e kam takuar Berishën te “Sheratoni” bashkë me Ngjelën, dhe ai me konspiracion të madh kishte nisur bisedat për qeverinë duke peshkuar Xhuvelrat dhe deri te Milo, por pa vënë fare në dijeni zëvendësin e tij, Topi?! Kurse Rama, po vepron me stil perëndimor: Transparent dhe i përmbajtur.

Nuk ka pse të xhelozohet askush, se Rama flet me staturën e kryeministrit sepse më këtë “stof” e pritën me protokoll në Itali, pas vizitës në Angli, ku ai pranoi të ishte në Hard Talk.

Vizita në Itali, tregon qartazi se nga shikon qeveria e re dhe kjo duhet të na gëzojë të gjithëve.

Vota popullore kërkon ndryshim të madh, rrënjësor dhe përmbysës. Populli shikon se çfarë thotë kryeministri i ri: ndjek çdo fjale dhe veprim. Pret reforma të mëdha.

Ideja që INSTAT t’i jepet nën kontroll një institucioni të njëjtë nga një vend i BE, ishte shenja e parë e diçkaje ndryshe. Sa efikase do ishte sikur edhe doganat t’i kishim me këtë orientim apo edhe Prokurorinë ta ndërtonim nën një shembull perëndimor. Dhe pse jo, edhe drejtësinë?!

Votimi plebishitar kërkon përmbysje në mentalitet, organizim, menaxhim por edhe në Marrëdhënie me Publikun. Them se Rama e ka nisur mire, me transparencë dhe me fjalor shtetari: pa sharë e pa ulëritur, pa cinizma në FB e pa paragjykime në gjithëpërfshirje, madje edhe aleanca e tij me LSI po duket organike.

Kanë kaluar 23 vjet, ndaj edhe politika duhet të na shfaqet me stil profesionist dhe stil perëndimor: mjaft me mentalitetin e vjetër komunist, bizantin dhe anti-perëndimor!