“Nuk shkohet gjithë jeta me dr. Berishën”

0
42

Intervistë nga Xhevdet Shehu, 11 Qershor 2013

Profesori i Universitetit të Oksfordit dhe akademiku anglez, Xhejms Pettifer, në këtë intervistë ekskluzive për gazetën ‘DITA’ paraqet këndvështrimin e tij për situatën politike në Shqipëri në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit. Para një jave ai ishte në Tiranë dhe në Prishtinë, ku promovoi librin e tij më të ri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. Gjatë një bisede që pata me të në “Tirana International” diskutuam gjatë rreth zgjedhjeve të pritshme të 23 qershorit, por këtë intervistë pranoi të ma dërgonte të shkruar. Nuk ishte befasi për mua njohja në detaje e zhvillimeve shqiptare, pasi atë Prof. Xhejmsi dhe Miranda Vickers i kanë dëshmuar në mënyrë të shkëlqyer në librat që kanë shkruar për Shqipërinë, Kosovën dhe Çamërinë.

Kur kanë mbetur edhe më pak se dy javë nga 23 qershori, sa të rëndësishme i shikoni ju këto zgjedhje për Shqipërinë?

Unë mendoj se, duke pasur parasysh krizën ekonomike evropiane në përgjithësi e cila vazhdon, si dhe dobësimin e ekonomive rajonale ballkanike, merret me mend se Shqipëria ka nevojë për një qeveri të fortë dhe efektive. Megjithëse Shqipëria ka shmangur më të keqen e krizës, shumë njerëz janë duke përjetuar një varfëri dhe vështirësi serioze ndërsa niveli në rritje i borxhit dhe ngecja e të ardhurave të qeverisë nga ekonomia mund të shqetësojnëgjithkënd. Unë mendoj se ne vetem sa kemi filluar te shikojme efektet tërësore të krizës greke në hapësirën rajonale.

Si një njohës shumë i mirë i ngjarjeve dhe zhvillimeve politike shqiptare, mendoni ju se klasa aktuale politike është e gatshme për një rotacion të pushtetit?

Unë nuk ndihem aq afër mjaftueshëm për të komentuar këtë, por mund të them se nuk shikoj ndonjë shenjë që Dr. Berisha personalisht dëshiron të kalojë në opozitë.

Prisni ju që rotacioni i pushtetit të ndodhë në këto zgjedhje dhe pse?

Është e vështirë të parashikosh se çfarë do të ndodhë. Përshtypja ime nga njerëzit që takova dhe bisedova javën e kaluar në Tiranë ishte që shumë, shumë njerëz janë të lodhur nga elita e vjetër politike, siç ka ndodhur në shumë vende evropiane dhe, ndërsa dita e votimit po afron, ne mund të shikojmë parti të vjetra dhe besnikëri rajonale të shfaqen në një mënyrë tradicionale. Është e vështirë për të pare se ndonje parti ka nje fitore te qarte, keshtu që një lloj koalicioni duket e pashmangshme. Unë mendoj se ka parti që mund të dalin më mirë nga sa parashikojnë sondazhet, prandaj dhe ato u drejtohen të rinjve të papunë, sidomos në Tiranë. Kjo ndodh nëse ata votojnë. Por po, nëse kjo pjesë njerëzish për të cilët fola për të qenë përfaqësues, unë mendoj se shumë njerëz e ndiejnë se është koha që Dr. Berisha të lerë udhëheqjen politike pas një karriere të gjatë dhe do të ishte një gjest i mirë taktik të arrihej me anë të votimit.

A e konsideroni ju alternativën socialiste dhe atë të opozitës më të mirë se atë të Berishës dhe pse?

Unë mendoj se Partia Socialiste ka një makinë politike shumë efektive në shumë pjesë te vendit, por zgjedhjet ka te ngjare te fitohen ose të humben në qarkun e Tiranës. Këtu ka ndoshta më shumë gjëra që shfaqen mbi atë që do të ndodhë. Ka shumë më tepër para nga sa janë përdorur dhe mbetet një çështje e hapur se sa klasa e mesme e të rinjve do të besojnë në politikat e taksimit të Partisë Socialiste. Nga ana tjetër unë jam i sigurt se këto politika do të jenë shumë popullore midis të varfërve gjithandej në vend. Ka gjithashtu çështje politike të cilat shkaktojnë probleme. Unë mendoj se udhëheqja e Partisë Socialiste ka një pikëpamje utopike në tërësi mbi atë çfarë Bashkimi Europian është duke pëlqyer tani në të vërtetë. Shikoni Bullgarinë, për shembull. Anëtarësimi në BE ka sjellë rezultate katastrofike dhe kaos ne qeverine e Sofjes dhe në ekonomi.

Ju analistët britanikë kini qenë shumë kritikë me Berishën në periudhën e parë të sundimit të tij në gjysmën e parë të viteve ’90. Cilat shikoni ju si gabimet më serioze të Berishës në të kaluarën dhe më vonë?

Vendi nuk u demokratizua asnjëherë tërësisht në atë periudhë dhe Partia Demokratike dhe udhëheqja e saj ishte shumë larg nga demokracia zgjedhore dhe prirej drejt autoritarizmit ekstrem. Ata lejuan shkatërrimin e ushtrisë dhe u angazhuan në veprime hakmarrëse ndaj kundërshtarëve politikë dhe ata nuk i kuptuan shanset politike që ishin hapur në Ballkan me shpërbërjen e Jugosllavisë. Ata nuk arritën të menaxhonin ashtu si duhej sistemin bankar.

– Kryeministri aktual Sali Berisha, pas tetë vjetësh në qeverisje, është duke luftuar fort për një mandat të tretë. A ka motive që ai ta kërkojë këtë?

Për këtë çështje unë mund të përsëris atë që thashë pak më lart. Shumë njerëz kanë shpenzuar tërë jetën e tyre me Dr Berishën në qeveri ose në përpjekjet e tij për të marrë drejtimin e saj. Çështja shtrohet nëse ata do ta kenë kurajën e mjaftueshme për të pranuar ndryshimin.

Ju keni bërë një analizë të plotë të trazirave të vitit 1997 në Shqipëri. Këto ngjarje ndodhën për shkak të manipulimit të madh që iu bë zgjedhjeve të vitit 1996 dhe me rënien e mëvonshme të skemave piramidale. Sipas mendimit tuaj, cilat janë shanset për përsëritjen e një manipulimi të ri në këto zgjedhje?

Jo, në ditët e sotme, unë mendoj se cilësia e zgjedhjeve është shumë më e mirë dhe me zgjedhje shumë shumëpartiake si tani, do të jetë e vështirë për ndonjë manipulim zgjedhor të konsiderueshëm që mund të ndodhë. Unë jam i sigurt se do të ketë probleme në disa zona dhe komuna, por këto ndodhin në shumë vende. Tani ka gjithashtu një media mjaft të lirë dhe të pavarur. Kjo e ndihmon procesin.

Gjatë qeverisë Berisha kanë ndodhur dy ngjarje të rënda: tragjedia e Gërdecit, në të cilin 26 njerëz humbën jetën e tyre, dhe vrasja e katër protestuesve të opozitës më 21 janar 2011. A mendoni se kujtesa e tyre do të ndikojë në rezultatin e këtyre zgjedhjeve?

Unë nuk jam plotësisht i informuar dhe nuk jam njeriu i përshtatshëm për të komentuar mbi ngjarjen e Gërdecit, përveç të them se kjo shkaktoi një humbje shumë të trishtuar jetësh njerëzore. Sa u përket të shtënave në janar 2011, kjo mund të them se ishte një ngjarje e tmerrshme. Unë kisha qenë në Shqipëri një ditë më parë, ndërsa isha në Kosovë, kur ajo ndodhi. E ndjeva që ajo që ndodhi ishte e gjitha shumë shqetësuese. Kjo nuk mund të merret me mend se mund të ndodhë në një vend normal demokratik. Unë jam befasuar me komunitetin ndërkombëtar në Tiranë nuk këmbëngul për një hetim shumë më rigoroz. Personeli i aparatit të sigurisë u trajtuan sikur të ishin mbi ligjin, dhe disa ambasadorë të huaj ishin shumë të dobët mbi këtë ngjarje.

Përpara këtyre zgjedhjeve, Kryeministri Berisha është prononcuar fuqishëm në çështjen e nacionalizmit dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes shqiptare. Sa serioz mendoni se është Berisha në këtë pozicion, apo e bën këtë për qëllime elektorale?

Kjo mendoj se është një prej aseteve të forta elektorale të PD-së përballë problemeve me të cilat përballen shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë, si dhe të çështjes së re kyçe kombëtare, në një mënyrë që PS nuk e ka. Edhe Z. Meta duket se tani ka një interes të mirënjohur në krizën e Preshevës, për shembull. Çështje si rruga e re Tiranë-Prishtinë kanë transformuar vendin. Unë nuk e shoh Z. Rama ta rrokë ashtu si duhet këtë realitet.

Sa të përgatitur e shihni Partinë Socialiste dhe Edi Ramën për të marrë pushtetin? Perse ata duhet te fitojne dhe mendoni se fenomenet negative të qeverisë së tanishme do të jetë më pak të pranishme në të ardhmen?

Po, unë mendoj se Edi Rama dhe PS-ja mund të udhëheqin një qeveri të re. Pjesa më e madhe e çështjes që shtrohet do të varet nga fakti se kush do të jetë në koalicion, dhe se si njerëzit do ta shohin atë. Mendoj se rreziku është se ata kanë pak optimizëm nga e kaluara, me këshilltarët e ditëve të shkuara, ndërsa ekziston një mungesë e dukshme perspektive për thellësinë e krizës ekonomike në Europë.

Kush eshte prof. Pettifer?

Prej më shumë se 20 vjetësh emri i akademikut anglez Xhejms Petiferit është mjaft i njohur në Shqipëri dhe hapësirat mabrëshqiptare. Pas ndërprerjes drastike të marrëdhënieve me Mbretërinë e Bashkuar gjatë gjysmë shekullit të regjimit komunist, Xhejms Petifer dhe Miranda Vickers ishin anglezët e parë që shkelnin në Shqipëri dhe shkruanin për Shqipërinë.

Prof. James Pettifer ka lindur në vitin 1949 në Hereford dhe është arsimuar në Shkollën e Mbretit (King’s School), në Uorçester dhe në Hertford Kollege në Oksford. Ai ka udhëtuar shumë shpesh në Shqipëri, Greqi, Turqi dhe në Ballkan, duke raportuar për ngjarjet kryesore për ‘The Times’ dhe ‘The Scotsman’. Ai është anëtar i Institutit për Çështjet Ndërkombëtare, si dhe një komentator dhe transmetues i rregullt mbi vendet ballkanike në radio dhe televizion.

Prof. Petifer është autor i këtyre librave të përkthyer në gjuhën shqipe: “Shqipëria, nga anarkia tek një identitet ballkanik”, “Çështja shqiptare, riformësimi i Ballkanit” (me bashkautor Miranda Vickers), “Ekspresi i Kosovës”, “Udhauz, Zerva dhe Çamët”, ndërkohë që sapo është botuar libri i tij “Ushtria Çlirimtare e Kosovës”. Por ai ka botuar edhe shumë libra të tjerë për rajonin e Ballkanit, ndërsa pritet që së shpejti të botohet në gjuhën shqipe libri “Grekët”, një libër shterues për historinë e grekëve nga antikiteti deri në ditët tona.

Petifer: Sikur të isha 5 minuta çam, nuk do kisha dyshim për kë do votoja

Nga kjo intervistë e mikut tim anglez, Prof. Xhejms Petifer do të më ngelet në mendje kjo shprehje: “Sikur të isha 5 minuta çam…”. Si një nga njohësit më të shkëlqyer të zhvillimeve shqiptare, ai në të gjitha bisedat do ta trajtojë me doemos edhe çështjen çame, në një përpjekje titanike për të ndrequr një gabim të madh të historisë dhe politikës, ku vendi i tij, Britania e Madhe ka luajtur një rol kyç… Ja pyetje-përgjigja me prof Petifer për këtë pjesë:

– Profesor, a mendoni se çështja çame është në rrugën e duhur? Tani në spektrin politik ka një tjetër parti çame, Aleanca Popullore kryesuar nga Artur Dojaka, sepse partia e Shpëtim Idrizit është në të njëjtën linjë me qeverinë Berisha dhe Idrizi personalisht është në listën e Partisë Demokratike si kandidat për deputet në zgjedhjet e 23 qershorit…

– Unë besoj se Partia Demokratike e përdor çështjen çame në një mënyrë shumë oportuniste dhe për qëllime afatshkurtra, kurse udhëheqja e Partisë Socialiste duket se është gjithnjë e frikësuar nga Athina në ngritjen e kësaj çështjeje. Por në qoftë se unë do të isha çam, do të më duheshim vetëm 5 minuta për të mos e votuar PD-në. Mendoj se nisma e re kombëtare për Çamërinë dhe përgjithësisht për të drejtat njerëzore të shqiptarëve në Greqi, është e nevojshme.