Nje interviste e gjate e Mero Baze per Celeribity (Botim i gazetes Ballka
Intervistoi Elisabeta Ilnica
Zjarri, Uji dhe… Qeveria. Janë tri gjërat për të cilët njerëzit porositen aq shumë për të mos “lozur”. Cilësohen të rrezikshme për t’i përballluar, sa u përket fuqive njerëzore. Patjetër që duhet ta ketë dëgjuar këtë edhe Mero Baze, por siç duket, ai ka gjetur formulën për të bërë të mundshme gjithçka. Po përdor dy proceset e para natyrore, për t’iu kundërvënë të tretës – shpikjes njerëzore: Nxjerr “zjarr nga goja”, por që njëkohësisht bën për “ujë të ftohtë” atë – Qeverinë! Është nga ata që nuk rron për të treguar, por që tregon për të jetuar… Dhe, ky është një nga ato rrëfimet që do të mbahet mend gjatë jo vetëm për “odisenë” e gjatë si gazetar opozitar, por edhe për ato detajet e vogla të një jete që nuk ia dinim; atë të mikut, babait, por edhe bamirësit…
Z. Baze, i përkisni gjeneratës që u diplomuam vitin e fundit të komunizmit. Cilat janë mësimet dhe pësimet e kësaj gjenerate?
Besoj se kemi më shumë privilegje kronologjike se sa historike. Është e vërtetë që kemi jetuar dy sistemet, kemi parë si është rrënuar komunizmi në sytë tanë dhe si kemi tentuar me sendet e mbetura të komunizmit të mobilojmë një shtëpi për demokracinë në këtë vend. Është historia e një brezi që e ka pësuar nga dy regjime, më shumë se sa ka mësuar nga dy regjime. Është e dhimbshme që të rritesh deri në pjekuri në komunizëm dhe pastaj të provosh të ndërtosh të kundërtën ditën që del në jetë… Kjo ka bërë që shumë bashkëmoshatarë të mi të bëhen protagonistë të shoqërisë shqiptare në moshë të re, por edhe ta pësojnë nga ky protagonizëm, për shkak të mungesës së përvojës dhe idealizmit me të cilën e morën ndryshimin e sistemit në Shqipëri.
Jeni diplomuar në Gjeologji dhe me sa dimë, keni punuar edhe një vit si inxhinier gjeolog në Martanesh. E kujtoni ndonjëherë këtë periudhë dhe nëse po, si?
Është një pjesë e rëndësishme dhe thelbësore e jetës sime. Ishte viti 1990, një vit i cili ndryshoi dramatikisht fatet e vendit. Më ka shoqëruar gjatë në kujtesën time, mikëpritja e vendasve, dhe kulti që kishin për inxhineirët dhe të ardhurit në përgjithësi. Ishte një përzierje mes adhurimit dhe mikpritjes. Aq e fortë ishte kjo, sa shpesh punëtorët e mi, që ishin përgjithësisht nga Martaneshi dhe Maqellara, ngulnin këmbë se në Jug kishte vetëm diell, portokalle dhe qytetete të bukura, ndërkohë që e vërteta ishte shumë ndryshe. Malet e Jugut janë më të lartë, më të shëmtuar dhe më të egër se të Veriut dhe se varfëria ishte njësoj gjithandej… Madje, në Jug më e fortë, pasi mungonin minierat dhe industria e rëndë, e cila paguante më shumë se ndërmarrjet artizanale të Jugut.
Ishte po ashtu një periudhë ku kam parë me sytë e mi paralizimin e sistemit të ekonomisë së planifikuar. Kur unë shkova në Ndërmarrjen Gjeologjike në Burrel, duhet të bëja qysh në Janar të 1990 projektin për zbulimin e vitit 1991. Në projekt, duhet të planifikoje mes të tjerash edhe bazën materile. Pasi e dorëzuam projektin, na u kthye nga Ministria vetëm me kryqe të kuq. Thuajse gjithë bazën materiale që kishim kërkuar, përgjithësisht tuba shpimi, llamarinë, motorra pompash etj, nuk kishin mundësi të plotësoheshin. Evropa Lindore kishte rrëzuar Murin e Berlinit dhe ekonomia e planifikuar e Shqipërisë, nuk furnizohej dot më me “klering” (shkëmbim malli), forma e vetme e tregtisë së jashtme të saj. Për rrjedhojë, nuk shitej dot më krom dhe të merreshin psh tuba. Duhet të paguanim në valutë dhe për këtë gjë, nuk kishim as ligj dhe as valutë. Ishte e vetmja krizë që e përjetonim si shpresë. Dhe, brenda vitit erdhi kolapsi. Gjithë ndërmarrjet e industrisë së rëndë u paralizuan dhe qeveria u detyrua të shpikë vitin tjetër ligjin e famshëm të 80 për qindëshit, ku punëtorët paguheshin ndërkohë që ndërmarrja ishte e paralizuar nga mungesa e lëndës së parë. Krasta, po ashtu, ishte një shkollë e antikomunizmit.
Aty kishte rreth 500 inxhinierë, ekonomistë dhe mësues që shërbenin në atë zonë dhe po aq familje të persekutuara që i kishin internuar aty. Mbaj mend familjen e peshëngritësit të njohur, Aleksandër Kondo dhe përpjekjet për t’i poshtëruar aty. Ndërkohë, i gjeja ende të gjalla legjendat për gazetarin e famshëm, Vangjush Gambeta, apo një nga ekonomistët më në zë të regjimit që kishte përfunduar aty pas ndëshkimeve, Vasil Katin. Ishte koha e duhur, vendi i duhur dhe njerëzit e duhur, që nuk e pranonin dot më atë rregjim. Dhe, këtë gjë e kujtoj si një nga vlerat e mëdha të jetës sime aty. Aty kam patur debatet e para publike për komunizmin me ish-zyrtarë të kohës, aty kam patur kërcënimet e para, por aty kam marrë edhe kurajo po ashtu nga njerëz të mësuar më komunizmin.
Nuk e harroj kurrë Ramazan Cenin, një kryeinxhiner të ndërmarrjes, të cilit dikush nga Dega e Brendshme dhe Komiteti i Partisë, i kishte tërhequr vërejtje se unë flisja shumë lart e poshtë. Më thirri në një kafe afër punës dhe më pyeti me takt, se ç’po ndodhte në Tiranë. I shpjegova se Ramiz Alia kishte thirrur disa intelektualë dhe se Sali Berisha, Ismail Kadareja dhe Gramoz Pashko kishin folur. I tregova dhe disa skeda nga shënimet nga ky takim, që m’i kishin dhënë miq të mi gazetarë te “Zëri i Rinisë”, në Tiranë. I pa i çuditur…
– Vetëm kaq? – më pyeti.
– Po, – kaq i thashë, – nuk është pak. Pastaj, çdo më bëjnë mua, – i thashë. Unë inxhiner jam, në Martanesh më kanë çuar, çdo më bëjnë më keq….?
– Qenke idiot, – tha. Në vitin 1946, tre inxhinerë kishte e gjithë Shqipëria. I vunë të thanin Kënetën e Maliqit dhe pastaj i pushkatuan, jo tani që ka nja 300 mijë si puna jote. Unë thashë se dije ndonjë gjë më shumë, po mbyll gojën se ua ke humb durimin.
Ishte një episod shumë njerëzor dhe një qëndrim shumë tokësor i një njeriu, që e njihte mirë sistemin dhe i kishte mbijetuar atij. Ata që më mbajnë mend dhe ata që mbaj mend aty, i mbaj si të tillë, me vlera personale dhe profesionale, më shumë se sa vlera politike.
Gjatë viteve të studimit keni qenë paralelisht pjesë e redaksisë së gazetës “Studenti”. Më pas, ’92-’93 – Drejtor i Lajmeve në ATSH e prej Janarit 1993 – Kryetar i Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë, derisa qeveria (1994) miratoi një ligj për shtypin për të cilin nuk ishit dakord dhe dhatë dorëheqjen. Çfarë nuk shkonte në atë ligj dhe a ka qenë ky veprim oponenca juaj e parë antiqeveritare?
Historia e ligjit për shtypin, ishte një histori tipike e prodhuar për të shpërdoruar shanset për të bërë ligje të mira, siç ndodh rëndom në Shqipëri dhe siç ka ndodhur me ligjin e lustracionit. Genc Pollo, që shërbente atëhere si këshilltar i Berishës, kishte përkthyer një ligj nga Landi i Vesfalisë në Gjermani. Si ligj gjerman ishte i mirë, por këtu ne nuk kishim as sistemin e drejtësisë së Gjermanisë dhe as kulturën demokratike të institucioneve gjermane. Ligji kishte dy defekte thelbësore. Në nenin 4 të tij, kufizohej e drejta për informacion dhe në një nen tjetër sankionohej e drejta për kontroll mbi median në emër të “Sigurisë Kombëtare”. Për shembull, SHIK sipas ligjit, mund të bllokonte gazetën në shtypshkronjë, nëse sinjalizohej se kishte shkrime që preknin sigurinë kombëtare. Ishte pra një situatë që linte shumë vend për spekullime.
Tentova t’ua përcjell shqetësimin tim në rrugë zyrtare, por nuk më përfillën. Më sulmuan publikisht tek “RD” dhe në “TVSH”. Atëherë u detyrova t’i bëj Berishës një letër të hapur, që nuk kisha ku ta botoja, veçse te një gazete minore e “Ballit Kombëtar”. I thashë se ligji do të faktorizonte median kritike dhe do të njolloste pushtetin si censor i lirisë së medias. Pas kësaj, u krijua një klimë edhe më armiqësore. Një ditë pas miratimit në Kuvend të Ligjit, mblodha atë që quhej kryesi e Lidhjes së Gazetarëve dhe dhashë dorëheqjen. Kjo i bëri dhe më keq punët, por unë së paku u ndjeva i lirë.
Më 1995 filloni punë si reporter i “Zëri i Amerikës” në Tiranë. Intervista juaj në burg me ish-liderin e PS, Fatos Nano dhe raportimet direkte nga trazirat në qytetin e Vlorës në vitin 1997, kanë lënë gjurmë asokohe. Por pas këtyre viteve, cilat raportime tuaja mendoni se do të bëhen “histori”?
Është një periudhë që e kujtoj gjithnjë për mirë. Atëherë “Zëri i Amerikës” ishte jo vetëm institucion informimi, por edhe autoritet informimi në vend. Nuk ka qenë kjo media që është sot dhe kjo larmi. Kishte vetëm një TVSH, po kaq i keq sa tani, dhe një media e copëzuar dhe e varfër. “Zëri i Amerikës” dhe “BBC” ishin stacionet që ndanin të vërtetën nga spekullimi. Fati im dhe i kolegëve të mi ishte se në atë kohë kishim drejtor Elez Biberaj, tashmë nëndrejtor i përgjithshëm i “Zërit të Amerikës”. Në jetën time nuk kam pas kurrë një shef të tillë, që të ketë fuqinë të mbaj distancë mes gjërave personale dhe raporteve njerëzore, mes njerëzve që personalisht i çmonte shumë dhe profesionit të tij. S’kisha parë asnjë njeri që të ishte 8 orë amerikan dhe 16 orë shqiptar. S’kisha parë kur një njeri që interesohej dhe për hallet më të vogla të jetës tënde personale dhe ishte aq i largët dhe i ftohtë në punën tënde si gazetar.
Ishte e pabesuehsme për kulturën tonë të mangët demokratike dhe perëndimore, se si një gazetar që në Shqipëri ishte simbol i rrëzimit të komunizmit dhe mbështës i fortë i lëvzijes antikomuniste, ishte i pamëshirshëm dhe i rreptë si gazetar me Sali Berishën dhe PD-në, kur devijoi në rrugë antidemokratike në vitin 1996, pas manipulimit të zgjedhjeve dhe më pas, anarkisë në vend. Dhe një njeri i tillë, natyrisht që të frymëzonte në punë. Gjithçka të dukej më e lehtë, edhe të shkoje në burg te Fatos Nano, dhe të shkoje mes grupeve të armatosura në Vlorë… Por, edhe pas kësaj përvoje, një gazetar gjithmonë ka gjëra që duhet t’i kujtojë. Unë kujtoj jo pa nostalgji hyrjen në Kosovë si gazetar i “Evropës së Lirë”, bashkë me trupat e NATO-s në Qershor të vitit 1999 dhe reportazhet nga qytetet e braktisura. Kujtoj raportet e mia nga Kështjella e Rambuje-së, ku isha po ashtu si gazetar i “Evropa e Lirë” dhe disa mediave shqiptare. Më pas, historia me gazetën “Tema”…
Keni qenë ndër themeluesit e PD-së. Si e shihni tashmë këtë godinë nga “jashtë”?
Kam një copë letër me makinë shkrimi në formë autorizimi, që i lëshonte në atë kohë Azem Hajdari, si kryetar i Komisionit Nismëtar të PD-së, që na autorizonte të themelonim PD-në në rrethe të caktuara. Është e dhjetorit 1990. Mua më autorizoi të shkoja për të themeluar PD-në në Burrel, meqë më kishin emëruar aty. Duhet një libër i tërë të përshkruash peripecitë e refuzimit të njerëzve të frikësuar dhe të disa intelektualëve, që tani bëjnë si antikomunistë. Keqkuptimet e mëdha, mungesa e kulturës demokratike, frika nga regjimi, paqartësia për të ardhmen, e kishin bërë atë qytet, një bunkier komunist. Vetëm 2 vetë, kanë pranuar të afrohen që javën e parë, Hysen Kuka që e bëmë dhe kryetar dhe një ish-mik i tij, që u bë Sekretar i Degës. Të tjerët u afruan në javët që pasuan.
Kishte pyetje torturese që sot të vjen për t’i qeshur t’i kujtosh. Psh. njëri, i cili tani punon në hipotekë në Tiranë dhe nuk të jep as vërtetim për shtëpi po i the “nuk jam me Sali Berishën”, më thoshte atëherë: “Vij, nëse do të keni edhe ju si parti dhjetë cilësi të demokratit, siç ka dhjetë cilësi të komunistit”. Një tjetër thoshte: “Vij në parti, por të mos kritikojmë shokun Enver”. Por, nuk harroj kurrë ditën që arrita të bëj mbledhjen themeluese, në një sallë, në Burrel. Unë mora fjalën, po sqaroja procedurat dhe po u thosha se, ne, shumica aty, ishim të ardhur dhe duheshin deomos njerëz nga Bureli të drejtonin degën e partisë. Këtë e përsërita dhjetra here, me qëllim që t’i inkurajoja të kandidonin. Natyrisht, flisja pak shpejt, pak “toskërisht” dhe me fjalor të ngarkuar. Një burrë i këndshëm në pamje, me mustaqe, që i ishte bashkuar Hysen Kukës që ditën e parë, nxorri një thikë, e vuri mbi tavolinë dhe kërkoi të fliste.
– Një minute, – tha, – se s’jam ka marr vesh çfarë po thua. Flet shpejt dhe s’po di ç’po luhet këtu. Sekretarin e parë të Partisë e kena nga Vlora (ishte Qerim Riba), kryetarin e Komitetit e kena pas nga Gjirokastra (Ishte Nedin Hoxha), më pas dhe të parin e PD-së në Burrel nga Tepelena, ja kam q… nënën kësaj partie…
Ishte një situatë shumë komike, por edhe tragjike njëkohësisht. Për herë të parë ndjeva se të qënit jugor, ishte padrejtësisht dhe një taksë e regjimit komunist, edhe pse në Jug komunizmi kishte bërë po aq dëm sa në Veri, edhe pse shumica e komunistëve më fanatikë dhe sekretarëve të partisë më dogmatikë, ishin nga Veriu. Mes hakërrimit të atij burri të sinqertë që dukej që e urrente komunizmin dhe keqkuptimit qesharak, duhej deomos një ndërprerje mbledhjeje, që situata të sqarohej. Më pas, u bëmë miq për kokë, por kurrë nuk e harroj, sa u frikësova nga ajo skenë. Tani, kanë kaluar 20 vite nga ajo kohë. Brenda asaj partie ka gjithnjë e më pak njerëz idealistë dhe janë shtuar shumë njerëz, që në vitin 1990 madje dhe më pas, ishin kundër ndryshimeve. Mjafton t’ju kujtoj se tani ka deputetë në atë parti, që në vitin 1999 ose 2000, kanë kërkuar eleminimin e Sali Berishës.
Hapni arkivat dhe ridëgjoni konferencat e shtypit të Mesila Dodës kundër “kriminelit” Sali Berisha. Kjo nuk është ndonjë fatkeqësi e madhe, por thjesht tregon se është një ndërtesë që po përdor hipotekën e antikomunizmit në shërbim të shumë ish-komunistëve, që janë aty për shkak të lidhjeve personale, familjare apo financiare, dhe jo si idealistë të një partie, që rrëzoi komunizmin. Aty i ke të gjithë ata, që kanë qenë kundërshtarë të PD-së këto 15 vitet e parafundit, deri më 2005. Ndaj, je më koherent me veten, të jesh prapë kundër tyre….
A ju kanë mbetur ende miq aty brenda?
Nëse kam miq dhe armiq në këtë botë, i kam brenda asaj partie. Vetëm se ka ndryshuar rangu i tyre. Kam gjithnjë e më tepër miq nga ata militantët e asaj partie, që kanë qenë në ditë të vështira pranë asaj partie, nga ata që arrestonte Ilir Meta dhe mallkonte zëdhënësja e tij. Dhe, gjithnjë e më pak miq, nga ata që i janë ngjitur asaj partie, për para, pushtet dhe lidhje familjare. Por, edhe kjo nuk duhet marrë si tragjedi. Ajo është tani një bashkësi interesash, që komandohet nga një Familje, dhe si e tillë duhet pranuar.
Kur nisët serinë e shkrimeve denoncuese për korrupsionin qeveritar, që kishin të bënin me aktivitetin e mbesës së bashkëshortes së Kryeministrit, a e kishit “llogaritur” mirë se çfarë po bënit?
Natyrisht që isha shumë i qartë se çfarë po bëja dhe jam ende sot shumë i qartë se çfarë ka ndodhur. Nuk ka lidhje me mbesën e kryeministrit, por me mentalitetin e drejtimit të shtetit prej Familjes. Njeriu kyç i Familjes në të vërtet nuk është Sali Berisha, por gruaja e tij. Nëse shikoni rrethin e Sali Berishës, psh nipat e tij, janë njerëz të zakonshëm, pa privilegje, për të mos thënë me punë të rëndomta. Po të shikosh rrethin e Liri Berishës, edhe vajza e kushëririt të saj të shtatë, është Drejtoreshë e rëndësishme apo në pika kyçe të pushtetit. Dhe ndonjë i afërt i Berishës që ka bërë para, ka kaluar përmes saj dhe jo përmes Berishës. Distanca ime me këtë stukturë pushteti ka nisur qysh në vitin 2005 dhe 2006. Ka dhjetra shkrime të mia kritike, madje shpesh me zemërim për çfarë ndodhte, por siç e kanë shqiptarët, e merrnin për “lojë”.
Egërsia e familjes ndaj meje, nuk ka ardhur nga shkrimet për “mbesën e Lirisë”, por përmendja prej meje publikisht qysh në nëntor të vitit 2007, të përfshirjes së djalit të kryeministrit në aferën e fabrikës së Gërdecit. Ishte një intervistë e imja në ALSAT me gazetaren Eni Vasili dhe të nesërmen një shkrim në gazetën Tema, ku komentoja dorëheqjen e Ilir Rusmalit. E argumentova se është një standart shumë i lartë qeverisjeje, që të japë dorëheqjen një minister, vetëm pse i përflitet në mënyrë të inskenuar vëllai. Merreni me mend, thashë dhe shkruajta të nesmërmen, kur kryeministrit t’i dalë emri i djalit si sekser apo mbulesë biznesesh të dyshimta, etj… Kjo egërsoi Familjen. Prej asaj dite, humbi çdo komunikim dhe nisi një luftë e ndyrë personale. Humbën kohë një periudhë të gjenin dikë të më sulmonte nga brenda partisë.
Dikush prej tyre edhe guxonte dhe ma thoshte këtë kërkesë të Berishës. Më në fund, shpërtheu vetë, pas një debati që pata me Jozefina Topallin tek emisioni “Opinion”. Shpërtheu në mesnatë në grup parlamentar dhe mua më sqaroi gjatë me një SMS Genc Ruli, i cili më shkruante se sot hyra në histori me atë betejë, që po nisja me Berishën. Pastaj, gjithçka shkoi siç e dini… Si çdo stukturë mafioze dhe stuktrua mafioze e një familje në pushtet, nuk ndalet pa shkatërruar gjithçka!
Nga gjithë këto denoncime që bëtë dhe vazhdoni të bëni, ndjeheni i humbur apo i fituar? Të mos harrojmë që gazeta juaj “Tema” u mbyll, të tjera incidente me pronat tuaja ndodhën, etj…
Gazeta u mbyll, shtypshkronja me një investim të certifikuar nga Ministria e Ekonomisë prej 480 mijë euro u shkatërrua, kompanisë që kishte botuar më parë gazetën “Tema” iu vu gjobë. Pastaj, kompanisë së shtypshkronjës iu dërgua kontrolli dhe po bëhet presione për gjoba, pa pasur asnjë shkas. Prindërve të mi iu dërguan fadromën për t’u prishur shtëpinë, por e kishin me leje dhe u tërhqën. Njerëz të afërt dhe të largët të mi u hoqën nga puna. Sali Berisha harxhoi dy muaj kohë të pushonte nga puna pa asnjë motiv gruan time, edhe pse kishte statusin e nëpunësit civil, të konfirmuar 5 herë. Episodi i fundit ndodhi një javë më parë. Motra ime që jeton në Ksamil, ashtu si 2 mijë banorët e Ksamilit, ka bërë një shtëpi në atë vend që jeton prej viteve ‘70-të.
Ksamili ka mbetur një ishull antiligjor për pronësinë, pasi prej vitit 1990 banorët e vjetër të tij, nuk kanë përfituar asgjë nga privatizimi. Dhe kanë ndërtuar me një leje jo zyrtare, nga komuna. Ka shkuar i “moderuari” dhe “parimori” Gjergj Bojaxhiu dhe ka nisur prishjen e ndërtimeve, duke bërë rrafsh që me 5 të mëngjesit, shtëpinë e motrës sime, duke lënë rrotul saj katër shtëpi të tjera, që janë ndërtuar shumë kohë pas motrës sime. Dhe, ajo shtëpi nuk ishte as në breg të detit, as në anë të rrugës, por në një grup që s’dukej nga askund. Kanë vuajtur dhe e për ta gjetur. E prishi dhe raportoi i çliruar, se shtëpia u prish dhe për 4 orë nuk ka bërë më asnjë punë. Komshijtë rrotull më thanë se kishin paguar nga një mijë euro, te një i Policisë Ndërtimore nga Vlora dhe kanë shpëtuar. Shpresoj që shkatërrimi i pronës së motrës sime, ta ndihmojë Bojaxhiun të rehabilitohet në sytë e Familjes, por kam frikë se nuk kanë për t’ia ditur këtë nder, siç nuk ia ditën nderin që i dha Damir Fazlliçit gjithë tenderat e energjisë elektrike.
Keni deklaruar se keni qenë mik i z. Berisha, po tashmë çfarë jeni me atë?
Kemi qenë miq, kur ishte në opozitë. Tani për mua është një Kryeministër që ka kapur shtetin me Familjen e tij dhe po hyn në një spirale të rrezikshme, pasi frika se drejtësia mund të funksionojë apo media mund të qartësojë gjithçka, e ka bërë atë njeri regresiv. Ai po përdor dhunën, kërcënimet, deri dhe shantazhet fizike, për të kontrolluar drejtësinë dhe median. Shikoni, ka marrë gjithë gjykatat nën kontroll. Asnjë gjykatë nuk gjykon dot një padi kundër Sali Berishës, Shkëlzen Berishës, apo Argita Berishës. Shikoni, ka marrë gjithë median. Edhe ato që kanë qenë më kritike ndaj tij, tani janë tredhur dhe kanë leje vetëm të lavdërojnë Edi Ramën, por jo të kritikojnë qeverinë.
Arriti të përfshijë në spiralen e korruptimit dhe një ish-zyrtar të Titos, që është pjesë e bordit të Vizion Plus-it. Dhe, në shkëmbim të ndereve, futi nën kontroll Vizion Plus-in, duke mbyllur praktikisht emisionin “Factor Plus” dhe duke ndërruar drejtorin e lajmeve, Arban Hasani. Falë kësaj feste, ai ka emëruar tashmë Drejtor të këtij televizioni një ish-nëpunës së Prefekturës së Tiranës, që në vitin 1997 drejtonte gjatë gjendjes së jashtëzakonshme celulën e kontrollit të shtypit, para botimit në Prefekturën e Tiranës.
Nëse ju do të shkruanit një libër me të njëjtin titull si të At Zef “Rron vetëm për me tregue”, çfarë do të tregonte Mero Baze?
Unë nuk rroj për të treguar, pasi nuk jam pensionist, por tregoj për të jetuar, pasi ky është profesioni im.
Ndërkaq, jeni ndër gazetarët që keni më shumë procese gjyqësore nga të gjithë, po ashtu edhe incidente të drejtëpërdrejta me persona publikë. Ndiheni i drejtë, profesionist, krenar, i kërcënuar, apo… si ndiheni?
Ndihem i bezdisur nga incidentet e sajuara dhe proceset e montuara gjyqësore. Nuk është se më shqetësojnë shumë, por më sjellin një lloj bezdie, sidomos kur shikoj se pushteti përfshihet menjëherë, duke u bërë palë me njerëzit që prodhojnë incidente. Shikoni se si Rezart Taçi u bë mik i Familjes, pas incidentit me mua. Sali Berisha nuk e dorëzoi për tri ditë në polici dhe i shkoi në studio në ALSAT, sapo ai u shpall pronar i tij. Ka dhjetëra raste të tilla. E konsideroj një taksë që duhet t’ia paguajmë profesionit tonë dhe zgjedhjes për të qenë njerëz të lirë.
Cili ka qenë një ndër momenet më të bukura dhe më të vështira në profesionin tuaj si gazetar?
Ka shumë momente të bukura në jetën time si gazetar. Pa ato, do ta kisha lënë me kohë këtë profesion. Shumë prej tyre janë dhe momentet më të vështira njëkohësisht.
A ka patur ndonjë moment, kur i keni thënë vetes “mjaft, Mero”, duhet të tërhiqesh?
Nuk e kam menduar derisa nuk e kam bërë, por natyrisht që e kam menduar se pala tjetër në atë kohë, ka menduar pikërisht atë gjë.
Kush ju është dukur më e vështirë gjatë këtyre viteve në gazetari; konkurrenca, gjetja e ideve apo vënia në zbatim e tyre, apo… çfarë tjetër?
Infrastruktura gazetareske ka qenë dhe mbetet gjëja më e vështirë. Jam detyruar të hap gazetën “Tema” në vitin 1999, pasi pushteti i asaj kohe dhe sidomos marrja e pushtetit prej Ilir Metës, krijoi një kënetë të madhe për lirinë e shtypit. Më është dashur pra, të nis një gazetë me 500 franga zviceriane që kisha në xhep, për të mbijetuar 11 vite në shtypin shqiptar, derisa u rikthye sërish Ilir Meta tashmë me Sali Berishën, për të shkatërruar gjithçka.
Vihet re një joshje e publikut ndaj lajmeve negative. Mediat e këqia krijojnë publik të keq, apo publiku i keq dëshiron media të këqia?
Lajm i keq, është “lajm i mirë” për median, por natyrisht nuk është lajm i mirë për shoqërinë. Është një debat i përjetshëm që nuk është zgjidhur akoma, përse ne nuk shkruajmë për çdo avion që nuk rrëzohet, por shkruajmë vetëm për avionin që rrëzohet. Pra, nuk ka gazetari pozitiviste në kuptimin e thjeshtuar të fjalës. Vetëm propaganda është pozitiviste apo negativiste, informacioni dhe lajmi janë thjesht e vërteta. Nga të vërtetat, media zgjedh ato më të fortat dhe ato fatkeqësisht nuk janë gjithmonë gjëra të mira.
Ata që vetëcilësohen ose që cilësohen nga të tjerët si ndër gazetarët më të mirë sot, thonë se kanë dalë nga viti ’97. A mund të lindë një gazetari e mirë nga anarkia? Ju vetë ndiheni i mirë, apo më i miri?
Lufta, anarkia, rënia e shtetit, gjendja e jashtëzakonshme dhe të tjera si këto, janë ngjarje të forta që ndajnë shoqërinë dhe mënyra se si gazetaria sillet ndaj tyre është një shkollë e fortë, që të shoqëron gjithë jetën. Viti 1997 ishte i tillë edhe për shumë gazetarë shqiptarë, të cilëve për të gjetur dallimin mes ëngjëjve dhe djajve, u duhej të llogarisnin dhe kokën e tyre. Është një përvojë e fortë për një gazetar, natyrisht dhe për një politikan, por edhe një përvojë e hidhur për qytetarët që e pësojnë.
A ka një lloj anarkie edhe vetë shoqëria shqiptare?
Ka një qeverisje pa vizion, me doza të forta anarkizmi, që na bën të ndjehemi shoqëri anarkiste, që shkon ku mund dhe nuk di nga vjen… Ju siguroj se, sikur SHBA të qeverisej sa një e dhjeta e jonë kaq keq, do të ishte kryeqendra e anarkisë në botë.
Në cilën nga formatet e të bërit gazetari ndiheni më mirë: Në median e shkruar apo në atë vizive?
I kam provuar të gjitha, gazetat, revistat, radion, televizionin. Të gjitha kanë një kusht: Duhet të sillesh me to si gazetar. Po e realizon këtë kusht, bëhesh miqësor me të gjitha. Natyrisht, mendoj se media e shkruar të bën më autoritar, kurse media televizive më popullor.
Sot në median shqiptare, kemi më shumë gazetarë që bëjnë analistin apo analistë që bëjnë gazetarin?
Është një turp që përpiqem ta heq nga vetja. Ju lutem gjithmonë të më quajnë gazetar. Është një sajim paksa i qëllimshëm dhe synon të vrasë autoritetin në gazetari, për t’i bërë të gjithë njësoj dhe për t’i përdorur pastaj lehtësisht në emër të autoritetit të gazetarisë.
Çfarë i mungon sot gazetarisë shqiptare krahasuar me dy dekada më parë dhe çfarë ka të përmirësuar?
I mungon pasioni i profesionit dhe identiteti i atyre që shkruajnë. Është bërë kujdes që gazetaria të humbasë klasin e fjalës, e ekranit, dhe të kthehet një shërbim gati-gati komunal, për të cilin mund të pajtosh dhe një njeri që rri tek “Ushtari i Panjohur”. Gazetat janë bërë si fletore zyrtare që botojnë lista pensionesh, ndërsa ekranet, si zyra protokollesh me kamera pas dere. Dikur kishte më shumë shpirt dhe më pak llogari, tani ka shumë llogari dhe thuajse aspak shpirt në ato që shkruhen. Dikur, ne gazetarët e varfër shkruanim për “mendjet e pasura” të vendit, pra për një shtresë më të lartë, kurse tani “gazetarët e pasur” shkruajnë për një shtresë të ulët, gati-gati për ata që nuk duan të kuptojnë asgjë.
Cilën do të veçonit si periudhën më të dobishme dhe më interesante të jetës suaj dhe mes karrierave që keni provuar?
Jam nga gazetarët e pakët në këtë vend, që kam shkruar për 20 vite çdo ditë. Nuk i ndaj dot.
A i ka ndryshuar raportet tuaja njerëzore dhe me segmente të caktuara të shoqërisë të qenit gazetar për shumë vite?
Po. Të qënit gazetar është edhe një privim, edhe një deformim i raporteve normale me shoqërinë. Është një profesion që të ndan shpesh nga miq, me të cilët ke shumë gjëra të përbashkëta në jetë, por që nëse do t’i rrish besnik profesionit, do të duhet të ndahesh me ta. Është një bilanc i dhimbshëm, që duhet ta pranosh. Këtë e kam kuptuar tani vonë, kur konsatoj se miqtë më të mirë më kanë mbetur ata të periudhës së studimeve në shkollë të mesme, apo universitet.
Cilat kanë qenë fitoret dhe humbjet kjo gjë?
Është bilanc dinamik që ndërron vazhdimisht…
Për shkak të punës, a i jeni trembur tjetërsimit dhe komoditetit të të pasurit të marrëdhënieve të vërteta me miqtë të njohurit, etj?
Jo, e kam marrë si taksë të profesionit.
Çfarë pengon gazetaria nga dëshirat tuaja?
Të qënit në disa orë të ditës dhe disa ditë jetës si i panjohur dhe jashtë vemendjes së njerëzve të zakonshëm. Dhe, për një njeri si unë, që çdo fundajvë do të udhëtoj nëpër Shqipëri, është një bezdi pa fund…
Do të doja të citoj pak Cërcillin: Gazetaria është profesion tepër interesant, por duhet të braktiset me kohë. E keni menduar këtë?
Ia kam lënë gazetarisë ta marrë këtë vendim!
Me çfarë do të krenoheshit sot para dy djemve, pas kaq viteve kontribut në media? Potë turpëroheshit?
Duhen pyetur ata, nëse ka ndonjë gjë që mund të krenohen me mua, por unë jam i turpuruar me aq pak kohë dhe aq pak fëmijëri, sa u kam lënë. U është dashur të rriten me problemet e mia dhe deri me rreziqet e mia.
A ka patur raste që, për shkak të problemeve të profesionit, jeni frikësuar edhe për fëmijët tuaj? Po fëmijët për ju?
Natyrisht që jam gjithmonë i frikësuar për ata, por frika për fëmijët nuk më ka bërë kurrë frikacak, përkundrazi më ka dhënë më shumë guxim. Mbaj mend, vetëm kur më dogjën makinën para shtëpisë dhe tim bir që pa i pari skenën, në orën 3 të natës. Zbriti tinëz pas meje dhe komshive, të cilët po më tregonin për njeriun e mundshëm që kishte djegur makinën. U tremba kur pashë se im bir kishte dëgjuar gjithçka. Ishte më shumë nervoz, se sa i trembur.
Mendoni se keni qenë një baba më i mirë me fëmijët tuaj, se sa babai juaj me ju?
Nuk jam i sigurtë, nëse dobësia ime për fëmijët dhe toleranca ime ndaj tyre, do t’u bëjë atyre më shumë mire, nga sa më ka bërë mua ashpërsia dhe pamundësitë e babit tim për mua.
Si person publik, ndodh që edhe t’ju joshin… Ju ka ndodhur që t’ju provokojnë femrat në mjedise të ndryshme?
Femrat janë pjesë e jetës dhe njeriu ka me to historitë që meriton të ketë…
Ju më shpesh u jepni të drejtë grave apo burrave në një konflikt apo marrëdhënie ndërmjet tyre ku duhet mbajtur qëndrim?
Nuk kam kritere gjinore në këtë pike.
A mendoni se pasuria na bën të ndihemi më të sigurtë në jetë?
Duket sikur na bën më të sigurtë, por shumë nga pasiguritë që hetoj te njerëzit, e kanë burimin pikërisht te pasuria e tyre. Të gjithë njerëzit që janë thyer para syve të mi, ose që kanë deformuar karakterin, e kanë bërë për hir të pasurisë.
Larg gazetarisë, tani disa pyetje direkte vetëm me personin tuaj… Cilat janë pasionet e Mero Bazes?
Udhëtimet në fundjavë.
Çfarë ka ndryshuar te Mero Baze gjatë gjithë këtyre viteve?
Vitet!
Keni shkelur ndonjë njeri në jetën tuaj? Ju rëndon diçka në ndërgjegjje?
S’kam bërë kurrë diçka të tillë me ndërgjegjie, por ndoshta tipi im i ashpër dhe i drejtpërdrejtë mund të ketë lënduar dikë. Shpresoj të mos ketë ndodhur, ose nëse ka ndodhur, të më falë.
Jeni zhgënjyer? A është e mundur të fitosh përvojë pa iluzione?
Unë kam plot zhgënjime në jetë. Por, edhe pa i pasur ato, mendoj se mund të jepja një mendim për pasojat e tyre.
A di të jetë i keq Mero Baze? Si mund të shikonim një variant tuajin të keq?
Kjo është relative. Një version i imi i keq….? Ndoshta kur të mos kem më guxim të shkruaj dhe t’i them të zezës – të bardhë.
Po variantin më të mirë të mundshëm?
Ndoshta pas vdekjes, kur të jenë të gjithë të qetë për të gjykuar.
Çfarë manish e defektesh ka Mero Baze?
I njoh vetes shumë defekte, por mendoj defekti më i madh, është njeriu pa defekte.
Cilat janë ato vese që nuk i honepsni dot?
Mania për të bërë llogaritë për çdo veprim.
Cili është proverbi që keni më për zemër?
“Çfarë lë pa thënë, e ke grurë në lëmë”, thonë nga Jugu për të këshilluar njeriun që nuk duhet të tregojë gjithçka. E kam shumë për zemër këtë fjalë të urtë, se nuk kam mundur ta zbatoj kurrë.
Cila është bamirësia më e madhe që keni bërë?
Kam shpëtuar nga vdekja një fëmijë 1 vjeç e gjysëm nga Kastrioti i Peshkopisë, i cili ishte duke vdekur nga katër vrima në zemër.
Për çfarë do të vinte më shumë keq nga ndarja nga kjo jetë?
Nga trishtimi i fëmijëve.
Të trishtojnë këto gjëra kur i mendon?
Përpiqem të mos i mendoj.
Çfarë ju jep komoditet shpirtëror?
Djemtë e mi.
E premte, 28 Maj 2010
Nuk kam asgje kunder teje .Ke ndryshuar shume here pozicion, por fakti qe ke studjuar Inxhinjeri, ne talentin qe ke per te shkruar te ben te jesh racional dhe cinik. Ne lidhje me gazetarin dhe gazetarine po te shkruaj çfare thoshte Jean Paul Marat, mjek, gazetar, orator, qe ka jetuar situata te njejtat me ato te vendit tone, por ne kohe me te hershme:
SHTYPI – Kjo arme e fuqishme i ngjashem me hapin e vdekjes, korr viktima çdo ore, çdo minute, çdo sekond. Shpesh plagos me heshtjen dhe indiferencen, ndersa nganjehere ndeshet ne menyre te pameshirshme per te ligjeruar edhe pse nuk e ka kete te drejte, per te dekretuar suksesin apo humbjen, per te vendosur, sipas deshires se tij, mbreterine e gjere edhe pse pa kurore. Per t’iu imponuar popullit te tij, qe ai sundon boten, duke bashkevepruar ne vepren e shkaterrimit te barrierave te fundit.
PUBLICISTI, duhet te vigjelojë nate e dite, papushim, per te miren e popullit kunder armiqve. Duhet te kete nje sjellje te pakritikueshme, te jete absolutisht i paanshem perballë te gjitheve:
– te heqi dore nga mireqenia e jetes
– t’i kushtohet plotesisht studimeve me te rrepta per te permiresuar kushtet morale e intelektuale te klasave te varfera.
Comments are closed.