Nga Mero Baze
Qeveria shqiptare po përpiqet të degradojë grevën e urisë së minatorëve në Bulqizë duke krijuar idenë se problemet qëndrojnë mes minatorëve dhe kompanisë private ACR që ka marrë shumicën e Minierës së Bulqizës me koncesion për shfrytëzim. Distanca është diabolike dhe fsheh në të vërtetë arsyen përse minatorët po varrosen të gjallë nëntokë. Do të desha të bëj disa sqarime për lexuesit për rrethanat në të cilat mbahet kjo grevë, pozicionin e palëve ndaj saj, sidomos qeverisë dhe disa segmenteve të medias pro saj.
Së pari, e drejta është në anën e minatorëve, por përgjegjësia nuk është e gjitha në anën e kompanisë private që ka marrë koncesionin. Përgjegjësia për këtë skandal zë fill tek një emër që është ende ministër i qeverisë së Sali Berishës, Genc Ruli. Në javën e parë të korrikut 2009, ky ministër ka firmosur privatisht, sikur ta kishte ky pronë private minierën e Bulqizës, shtyrjen e kontratës koncesionare me këtë kompani, edhe pse kjo e fundit duhet të kishte realizuar një plan investimesh prej 22 milionë dollarë. Skandali është i shumëfishtë, financiar, juridik dhe politik.
Është financiar, pasi Ruli ka lejuar që ata që marrin pa lek pasuritë tona nëntokësore, nuk paguajnë as për investime dhe e gjitha kjo me një shkresë private të Genc Rulit, sikur të ishte pronar miniere. Koncesioni është dhënë nga qeveria dhe Kuvendi, dhe nuk mund të tolerohet moszbatimi i kontratës nga firma e një ministri, edhe pse ai mund ta ketë vërtetë pronë private atë minierë de facto. Skandali është juridik, pasi zoti Ruli ka marrë me atë firmë kompetencat e Kuvendit dhe qeverisë duke shkelur Kushtetutën dhe legjislacionin shqiptar. Skandali është politik, pasi ai u denoncua nga opozita, prokuroria nisi hetimet dhe më pas duket se ka mbyllur dosjen duke mos i hyrë gjemb në këmbë ministrit.
Nëse Genc Ruli do kishte detyruar këtë kompani në emër të shtetit shqiptar dhe Kuvendit të Shqipërisë, dhe interesave private të xhepit të tij, që të investonte 22 milionë dollarë, ndoshta minatorët sot do kishin kushte shumë herë më të mira dhe paga më të larta dhe nuk do ishin vetëflijuar nëntokë. Me firmën që ka hedhur thjesht për interesa të tij, ai e ka pak që të kishte sot prangat në duar. Siç do përpiqem të shpjegoj më poshtë, ai ka bërë një krim, që e tejkalon dhe tragjedinë e varrosjes së gjallë të minatorëve.
Ndaj përpjekja e qeverisë për të krijuar idenë se kemi të bëjmë me një betejë mes ACR dhe minatorëve është e gënjeshtërt dhe bëhet që të mbrohet një superskandal financiar politik dhe juridik që ka në qendër të tij Genc Rulin, për të cilin askush në këtë vend nuk vë dorën në zjarr se nuk i ka qejf paratë.
Së dyti kemi një kakofoni të krijuar nga media rreth grevës sa duket sikur të gjithë jemi me minatorët, por seç janë disa të huaj që u pinë gjakun. Në të vërtetë problemet e minierës së Bulqizës dhe më tej kompleksit të minierave të Batrrës, Krastës dhe Theknës, janë shumë komplekse. Ai masiv është një nga vendburimet më të mëdha në botë të kromit. Kur unë kam qenë inxhinier aty në fund të viteve 80-të dhe fillim të viteve 90-të, ai masiv llogaritej tek 5 minierat më të mëdha dhe më të pasura të kromit në botë. Në Thekën gjendej krom dhe me pastërti deri 55 përqind, ndërsa në Bulqizë deri në 42 përqind, çka janë rekorde botërore po të kesh parasysh se ka vende që shfrytëzojnë dhe krom me përbërje 8 përqind deri 20 përqind.
Por ai vendburim gjigant minerar nuk mund të shfrytëzohet nga një tufë urithësh që janë vërshuar të rrjepin ç’të gjejnë nëpër galeritë e vjetra apo përrenjtë e Martaneshit dhe Bulqizës. Nëse qeveria shqiptare kërkon ta shfrytëzojë vërtet atë masiv mineral, duhet ta shfrytëzojë atë në tërësi, përmes një investimi themelor shumë serioz, i cili duhet të rivendosë në punë gjithë sistemin e shfrytëzimit, ku përfshihet nxjerrja, transporti, siguria, dhe zbulimi shkencor i vendburimit.
Mënyra si shfrytëzohet sot është kriminale. Biznesmenët e rinj të kromit janë thjesht një tufë banditësh, që vriten me njëri- tjetrin kush i ka vjedhur më shumë galeritë. Ajo minierë dhe minierat rrotull saj kanë qenë shfrytëzuar me disiplinë të hekurt shkencore nga inxhinierë dhe specialistë që kanë kaluar jetën e tyre në ato male, ndërsa sot qeveria ua ka lëshuar badigardëve dhe ushtarëve të saj si plaçkë për luftë, pa asnjë kriter dhe pa asnjë vizion për të ardhmen e vendburimit.
Tmerri që unë shikoj nga mënyra se si media po e pasqyron këtë dramë të minatorëve, është se disa media me zengjinë të rinj afër qeverisë, po e trajtojnë çështjen sikur fajin e ka ACR, dhe duhet të ikë ajo dhe të shkojnë pronarët e këtyre medieve që çështja të rregullohet. Ky është një turp dhe më i madh nga ai që po ndodh deri tani. Deri më sot media është përdorur për të mbuluar gjakun dhe varret që po hap qeveria, tani rrezikon të bëhet vetë media varrmihëse e atyre minatorëve.
Së fundmi desha të theksoj dhe njëherë çështjen e investimit shkencor në atë zonë dhe nevojën që kjo pasuri kombëtare të kthehet në një vlerë për ekonominë tonë. Ata që e dinë si shfrytëzohet një minierë kromi, dhe që kanë shfrytëzuar deri në vitet 90-të me mjeshtëri atë vendburim, duhet të paralajmërojnë këta banditë që po sillen si gjurmuesit e arit në Alaskë se ç’po i bëjnë të ardhmes së atij vendburimi.
Për ata që s’kanë nerva të marrin leksione minerare, po ua shpjegoj thjesht dhe trashë. Kur një minierë kromi shfrytëzohet, pasi merret minerali që bie në kontakt me punimin minerar, ajo pjesë shembet, për të vazhduar më tej dhe më lart. Pra për ta përfytyruar se ç’ndodh, mund t’ua ilustroj kështu. Ajo është një nga minierat me krom më të pasura në botë. Për fitime të shpejta punëtorët që punojnë aty, por dhe “zengjinët” tanë, marrin kromin më të pasur dhe i fusin minat minierës duke e varrosur pjesën tjetër, e cila është po ashtu një pasuri e madhe që duhet shfrytëzuar. Unë kam raporte nga ish miq të mi aty, që kjo është një praktikë normale dhe tmerrohem.
Ato mund të jenë gurë kromi me 25 përqind -30 përqind, por dhe 18 përqind, dhe po u varrosën nën shembje, nuk rigjenden më kurrë pasi përveçse humbasin koeficientin e pasurimit pasi përzihen me shkëmb të zakonshëm, janë dhe zona shembje ku nuk hyhet më gjithë jetën. Pra, duke ua lënë në dorë këtyre hienave pasurinë tonë më të madhe kombëtare, ne jemi duke e varrosur atë për fitime të shpejta dhe të sigurta të një grupi mafioz që po përdor shpeshherë ligësinë dhe pangopësinë e ministrave si Genc Ruli, por dhe injorancën dhe mungesën e vizionit që ka kryeministri ynë, thuajse i degraduar më keq se ato miniera.
Ky krim që po kryhet mbi atë masiv minerar, pa investuar asnjë dollar dhe vetëm duke marrë dhe duke ikur, është një gjëmë më e madhe edhe se jeta e minatorëve, që është shumë e shtrenjtë sot për të gjithë ne. Duke u sjellë në këtë mënyrë ndaj pasurisë sonë më të madhe kombëtare, ne nuk po varrosim të gjallë vetëm dhjetë apo 50 minatorë, por një pasuri të tërë kombëtare që mund të mbante gjallë dhe të vitalizonte ekonominë shqiptare, nëse nuk do ta dorëzonim në dorë të kësaj bande grabitësish.







