Mustafa Nano, 13.07.2010
Zululand
Edicionet informative të televizioneve shqiptare janë vijueshmërisht të dhunshme, e skajshmërisht të politizuara. Nuk bëjnë përjashtim as televizionet më të rëndësishme kombëtare (madje, nja dy sosh janë bash modeli që nuk duhet imituar në këtë drejtim), por këto na e japin një ngushëllim: nuk japin lajme gjithë kohën. Janë ca televizione të tjera lokale, të cilat nuk të lënë të marrësh frymë. Ato transmetojnë non stop lajme. Janë të programuara për të qenë të tilla. “Litania” informative e tyre ndërpritet – shyqyr, o Zot, që është kështu! – veç nga spotet publicitarë.
Po ç’dreqin ke me to? – mund të më thuhet. Shumë e thjeshtë: janë lajme, që nuk kanë të bëjnë me shqetësimet reale të vendit apo me ndonjë nevojë të opinionit të shëndetshëm publik; me fjalë të tjera, nuk janë lajme. E sikur kjo gjë të mos ishte mjaft, ato – e thashë qysh në krye të shkrimit – janë lajme mbi dhunën e mbi politikën, rrjedhimisht janë lajme që kullojnë gjak e rrena. Lajme të tilla kultivojnë stres më shumë se sa banorët e Lazaratit kultivojnë hashash. Doni të bindeni? Bëni një provë, dhe për këtë nuk ka nevojë të rrini gjatë përpara televizorit të sinkronizuar te njëri prej këtyre kanaleve.
Fotografoni ekranin e mbushur me titra në një moment çfarëdo të ditës 24-orëshe. Unë po e bëj në këtë moment. Data 12.07.2010. Ora 18:32. Dhe ja çfarë gjeta: “Ligori: Topalli ka përfituar miliona nga dietat”, “Bill Clinton në Haiti për koordinimin e ndihmave”, “Disa shqiptarë grabisin 62 mijë euro në Greqi”, “Elbasan, plagoset me thikë E.Z., 25 vjeç”, “PS, Klosi: Berisha të përmbushë detyrimet”, “Presidenti Topi priti ambasadorin e Belgjikës”.
Unë lajme të tilla nuk i ndjek. Nuk dua t’i ndjek. Nuk kam fuqi t’i ndjek. Bëj çmos për t’mos u ndodhur nën agresionin e lajmeve të tilla, me idenë që urinë për t’u informuar ta shuaj ose atë ditë nga site-et kibernetikë të informacionit, ose të nesërmen nga gazetat, të cilët nuk e bartin agresivitetin e televizioneve.
E dini? Në të shumtën e kohës më rezulton se është krejt e pamundur t’u përvidhesh lajmeve televizive. Unë fare mirë mund të vendos të mos e hap televizorin e shtëpisë, ose – ky është rasti më i shpeshtë – të mos e hap te kanalet, që më hedhin fytyrës çikërrima, kotësira, dhunë e gënjeshtra. Por me të dalë jashtë për një takim pune, për të pirë një kafe, apo për të ngrënë diçka, do të gjendem se s’bën përballë një ekrani të akorduar bash te këto kanale.
Më shkon mendja t’u them të zotërve të lokalit ta akordojnë televizorin në ndonjë kanal muzikor, por ndërroj ide aty për aty, kur shoh disa palë sy që po ndjekin me ëndje lajmet. Dhe kështu, më qëllon shpesh që të ha dreka, të cilat kanë për kolonë zanore zërat e speaker-eve të televizioneve, apo zërat e kryetarëve apo zëdhënësve të partive. Hë, më thoni, nuk është më mirë të hash në një jurassic park?