Nuk ka burrë që e mposht Obamën, por një grua mundet

0
66

RUBEN AVXHIU, 15.06.2011

Në vitin 2008, demokratët amerikanë u përpëlitën nga pasha e dilemës se cilën tabu duhej të thyenin në histori: të zgjidhnin për herë të parë një grua presidente, apo një njeri me ngjyrë e me origjinë nga Afrika? Fitoi kjo zgjedhja e dytë, edhe pse Barak Obama ishte më frymëzues si personazh sesa Hillari Klinton, si dhe pasha e periudhës së skllavërisë rëndon fort në zemrat e liberalëve amerikanë. Demokratët, pra, zgjodhën Obamën dhe ai fitoi edhe zgjedhjet presidenciale në nëntor 2008, i ndjekur me entuziazëm në mbarë botën. Vitin që vjen, jo vetëm demokratët, por mbarë amerikanët do të mund të shqyrtojnë edhe njëherë dilemën e vitit 2008.

Shanset janë që republikanët të nxjerrin si kandidaten e tyre fituese pikërisht një grua. Nuk do të jetë Sarah Palin, e cila, ndonëse adhurohet masivisht në zonat rurale, shihet me përçmim, në mos me tallje, në shumë rrethe të elitës politike dhe intelektuale amerikane. “Sarah e re” quhet Michelle Bachmann. Kongresistja nga Minnesota (e para grua që shkon si politikane në Uashington nga ky shtet), shkëlqeu në debatin e parë mes shtatë kandidatëve për presidentë të Partisë Republikane, që u mbajt të hënën në darkë. Ndonëse duhen ende shtatë muaj deri në votën e parë brenda partive, fushata mes rivalëve është duke marrë hov.

Republikanët janë të bindur se mund të fitojnë në nëntorin e vitit 2012. Problemi i tyre është se kë të zgjedhin. Asnjë nga kandidatët nuk gëzon përkrahjen e shumicës. Si sot katër vjet më parë, të gjithë ishin të bindur se kandidati republikan në 2008-n do të ishte Rudi Xhuliani (Rudy Giuliani). Në fakt, anketimet u “tradhtuan” nga vota reale. Kësaj here republikanët janë më të matur dhe kështu janë edhe anketimet. Më i forti duket Mitt Romney, por ai nuk i ka me vete as 30% të republikanëve. E dyta vjen Sarah Palin, po ajo vetëm sa mund ta çorodisë garën dhe shumë republikanë luten që ajo të mos përzihet në këtë punë. Palin vetë nuk është shprehur në këtë pikë, mirëpo turi i saj mbarë-amerikan për të promovuar rileximin e historisë kombëtare ndiqet me dyshim si një testim i ujërave politike.

Presidenti Obama ndërkohë është duke u përballur me sfida shumëplanëshe, ku më të vështirat janë ato që kanë të bëjnë me ekonominë. Ishte kriza ekonomike ajo që i dha atij fitoren përballë senatorin McCain në 2008-n, mirëpo amerikanët nuk kanë parë shumë ndryshime në këtë drejtim. Korrigjimet e Presidentit Obama në politikat ekonomike e fiskale kanë qenë të kujdesshme, pa veprime drastike, të cilat do të kërkonin një mbështetje mbarëpolitike, një luks, të cilin republikanët ia kanë refuzuar me sukses.

Në vitin 2008 ai u përshëndet si një hero i kohës sonë. Mbështetja për të ishte entuziaste dhe rrezatonte shpresa të mëdha. Mirëpo, arti i qeverisjes është prozaik dhe në kohë krize, “muaji” i mjaltit me elektoratin mbaron shpejt. Sot, për herë të parë ata që janë të pakënaqur nga Obama janë më shumë se ata që e mbështesin për çfarë ka bërë deri tani (gjithnjë sipas sondazheve).

Obama ndodhet mes dy zjarreve. Republikanët e quajnë si socialist që po synon të shtetëzojë ekonominë amerikane dhe të zvogëlojë liritë e qytetarëve, ndërkohë që në botë vepron si disfatist, duke i mohuar rolin e posaçëm që ka Amerika si udhëheqëse mes kombeve. Nga ana tjetër, është krahu liberal i demokratëve që e akuzon se nuk po bën ndryshime sa duhet dhe se po u shërben korporatave të mëdha ashtu si pasardhësit e tij në pushtet. Ata gjithashtu, jo vetëm që nuk e shohin si disfatist në politikën e jashtme, por madje, e akuzojnë se me angazhimin e tij ushtarak në Afganistan dhe tani në Libi po sillet në vija, të cilat vetë si senator dhe kandidat për President i kishte kritikuar me forcë.

Presidenti Obama është, pra, më i dobët se kurrë politikisht, mirëpo analistët republikanë druhen se në momentin që do të çimentohet një figurë rivale kundër tij, efekti do të jetë përmbysës. Demokratët do të ndjejnë rrezikun dhe do të bëhen përsëri bllok në mbështetje të Presidentit. Vetë Obama mund të jetë qeverisës i pavendosur, por në fushata elektorale, ai ka treguar se është një komunikues i jashtëzakonshëm. Sa kohë që nuk ka ndonjë kundërshtar konkret është e lehtë të kritikosh Obamën. Mirëpo, kur flitet se kush mund ta zëvendësojë, atëherë debati ndryshon.

Republikanët druhen se kandidatët e tyre janë të mirë, mirëpo asnjëri nuk është “i mirë sa duhet”. Ata, gjithashtu, e dinë se amerikanët janë të ndërgjegjshëm se me gjithë të metat, Obama mbetet një president historik, i mbështetur nga legjenda. Ndoshta legjenda mund të zëvendësohet vetëm nga një legjendë tjetër. Edhe Republikanët dinë të thyejnë tabu. Ata vendosën njeriun e parë me ngjyrë në Gjykatën Supreme dhe në postin e Sekretarit të Shtetit. Po aty vendosën edhe Gruan e Parë. Ndoshta është koha që republikanët jo vetëm të kërkojnë përsëri Shtëpinë e Bardhë, por të bëjnë histori, ashtu si demokratët në 2008-n.

Në këto kushte, kur asnjë burrë mund të mos jetë zgjedhje optimale, një grua do të ishte zgjedhja magjike. Në fakt, Michelle Bachmann shkëlqeu në debatin me gjashtë kandidatët e tjerë burra. Ishte konkrete dhe e vendosur. Mbi të gjitha, e kishte lënë zvarrë deklaratën nëse do të kandidonte për presidente dhe e bëri pikërisht aty, gjatë debatit, duke fituar duartrokitjet e publikut në sallë dhe duke dëshmuar se ka aftësinë për teatralitet që nevojitet në fushatat zgjedhore.

Shtatë muaj janë shumë dhe mund të ndryshojë gjithçka. Disa nga kandidatët republikanë janë të armatosur me miliona dollarë, rrethe mbështetjeje, pikëpamje të forta dhe vendosmëri për të fituar. Disa prej tyre guvernatorë me përvojë qeverisjeje do të bëjnë çmos që të mos eliminohen në garë nga një kongresiste “aventuriere”, vetëm sepse është grua apo vetëm se media kërkon “yllin” e saj të radhës. Në muajt që vijojnë ata do të përpiqen për të gjetur se pse Michelle Bachman nuk është njeriu i duhur për të qeverisur Amerikën dhe do të mundohen ta rrëzojnë kandidaturën e saj përpara se amerikanët të kenë një shans për të rishikuar dilemën e vitit 2008.