Nuk ju njohin mirë Doktor…!!!

0
24

Një kafe me… Anila Basha

Të ka dalë nga duart kontrolli doktor… Më thjesht e më shkoqur shqiptarët do të të thoshin: “të ka ikur mendja”. Po në fakt, nuk e sheh situatën. Nuk do ta shohësh në optikën e një vendi që është anëtar i NATO-s dhe kërkon të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Kërkon ta rikthesh në remineshencat e së kaluarës, zgjedhjet famëkeqe të majit 1996, të zhvilluara gati në tre raunde, duke përfshirë edhe 2 qershorin 1996 dhe 16 qershorin e po të njëjtit vit. Kërkon të rikthesh procesin më të turpshëm në historinë zgjedhore në Shqipëri, vitin kur PD u përfaqësua në Kuvend me 105 kandidatë, PS me 5 kandidatë, 2 kandidatë të PR, 1 të Ballit Kombëtar, e 2 të PBDNJ.

Nuk ka shqiptar që i ka kaluar të 30 vjetët, që nuk e kujton atë që ka ndodhur në ato zgjedhje, me një Komision Zgjedhor tërësisht të varur nga Partia Demokratike, me një opozitë të çorientuar sa nga ligji për gjenocidin, sa nga burgosja e ish kryetarit të vet, sa nga mosbesimi i ndërkombëtarëve te kjo forcë politike (PS) që pretendohej se vazhdonte të mbetej e lidhur me remineshencat e të kaluarës komuniste.

Sot, të gjithë mendojnë se mund të jetë ndryshe. Sesa ndryshe, askush nuk e thotë dot. Sa më shumë kalojnë kohët, aq më shumë opinioni publik, qytetarët, fshatarët, ndërkombëtarët, po binden se gjenden përballë një muri që po i bien me kokë. Eshtë i vërtetë fakti se keni qëlluar të jeni një muri fortë, një mur gati gati i pakapërcyeshëm.

Për ju koha nuk ka vlerën që ka për çdo person që e shpenzon pa strategji, ecje kuturu, pa ide dhe vizion të qartë, me vendime rrëmbimthi të marra aty për aty, të pakalkuluara deri në detaje; e kam fjalën këtu për politikanët. Por edhe për ndërkombëtarët. Kjo në fakt, më bën mua të dyshoj se nuk është aspak ndryshe. Se ky proces, është një proces pa krye. Se maxhoranca në parlament, mund të konfi rmohet fi ks si në vitin 1996. Se nëse nuk e bën dot punën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ju do ia delegoni këtë kompetencë atyre të pestëve që u vendosën në Kolegjin Zgjedhor.

Ju e keni gjithmonë një fjalëkalim për situatën, sido dhe sado i vështirë të jetë ai. Ka shumë të rinj në parlament që i kanë lexuar në libra, apo si histori ato ngjarje që kanë ndodhur atë vit. Pak syresh e kanë memorjen për të parë dhe zbuluar në realitet sesa i zymtë ishte realiteti politik i kohës. Çfarë qetësie fshihej brenda mureve të kuvendit të dikurshëm popullor pa opozitë, apo në ecejaket pa bosht të shqiptarëve që më shumë e shpenzonin kohën duke ngrënë fara luledjelli rrugëve të Tiranës e gjithë Shqipërisë në pritjen e parave që mendonin se do t’u vinin prej sportelesh.

Edhe në 28 maj 1996, Tirana ishte në një ditë me diell, me shkëlqim, me ca qindra opozitarë që protestonin në sheshin kryesor të qytetit dhe rriheshin me shkopinj gome nga “breçanët” e dikurshëm. Shumë të tjerë ecnin qetësisht bulevardit “Dëshmorët e Kombit” e hanin fara bareve e lokaleve të parkut Rinia apo buzë Lanës. Realitetin që ndodhi në shesh atë ditë, e morën vesh vetëm nga gazetat e kohës sepse TVSH nuk jepte ndonjë informacion.

Vrarë, dërrmuar, gjymtuar, të lodhur e të vjedhur, të bojkotuar dhe të pambrojtur, gjendeshin në atë shesh opozitarët e dikurshëm dhe opozitarët e sotëm. Por ju Doktor nuk u tërhoqët në asnjë rast. Sikurse sot. Kush mendon se do të tërhiqeni, ndoshta nuk ju njeh sa duhet. Ju do të jeni i fundit që do të dorëzoheni. Nëse do të ketë një “dorëzim”. Por unë dyshoj që kjo të ndodhë. Dhe ky nuk është panik që keni ju, sikurse mundohen ta interpretojnë opozitarët e sotëm. Ju do t’i shkoni deri në fund strategjisë së mirëmenduar apo dalëduarsh, ç’rëndësi ka kjo. Çdo hap që do të hidhni do ta bëni shumë ligjor, aq sa mund të bindni edhe ndonjë zyrtar burokrat ndërkombëtar të mbetur pas interesash të vogla cinike në dëm të demokracisë në vendin tonë.

Sot doktor, edhe pse e vazhdoni i vetëm këtë luftë, më dukeni i lodhur, jo i qetë, pak në alarm, në përpjekje për të ruajtur kontrollin dhe vetësigurinë e për t’ia përcjellë këtë situatë çdo militanti demokrat. Jeni duke u mbajtur fort pas një litari parimesh por keni humbur nyjet ku duhet të mbështeteshit. Kjo nuk është e panjohur për ne që u rritëm në gjithë këtë klimë mosbesimi vit pas viti për procese që ndalen pa arsye vetëm e vetëm me një qëllim: pushtet. Unë një këshillë e kam për t’u tërhequr sa jeni në kohë. Jo se do ma vini veshin, se kanë folur shumë e shumë të tjerë më të mëdhenj se unë,zyrtarë të vendeve mike e partnere ku jemi mbështetur në momente historike të vështira për kombin tonë.

Por Doktor, një vit pas festimeve të 100 vjetorit të shtetformimit, është një situatë ku të gjithë keni hyrë në skenë për të dhënë spektakël për popullin. Por është spektakël i shëmtuar, tragjikomedi që do të mbajë vulën dhe fi rmën tuaj për dhunimin e parë më të madh të institucioneve kushtetuese, në vitin e parë të shekullit të dytë, të shtetformimit tonë.

Anila e njeh mirë këtë process se ka qenë e angazhuar me të rinjtë student, në ndihmë të fushatës së PD-së dhe i ka parë me sytë e saj manipulimet dhe mbushjen e kutive të votimit. /Admin