Nuk jeni të shqetësuar? Qofshi ju që jeni!

0
92

Nga Mustafa Nano

Kolegji Zgjedhor foli. Dha një vendim, që ka mbjellë ca konfuzion; konfuzion, jo lidhur me anën që mban vendimi (këtë e ka kuptuar dhe bufi), por lidhur me thelbin e vendimit. Konfuzioni ishte i madh sidomos në momentin e fillimit. Po ndiqja disa komente në të nxehtë e me shkujdesje gazetareske të bëra në programin “Studio 24”, dhe vihej re se prapa opinioneve të rrumbullakosura e të përafruara të të ftuarëve fshihej një paqartësi e madhe. Është faji i Kolegjit lidhur me këtë paqartësi? Nuk e di.

Ndoshta është dhe faji i socialistëve që s’dinë dhe vetë për çfarë kanë bërë ankimim, por ata të Kolegjit nuk do bënin keq, dreqi ta hajë, që vendimin ta shpallnin të shoqëruar me arsyetimin, në mënyrë që të tjerët, sidomos ekspertët, të kishin e kenë mundësi të kolaudojnë e motivojnë aprovimin apo dizaprovimin e tyre në funksion të një debati publik transparent. Arsyetimin do na e nxjerrin në dritë shumë shpejt, sidoqoftë (nëse s’e kanë bërë në intervalin kohor që ndan momentin e përfundimit të shkrimit tim me momentin e publikimit të tij në gazetën Shqip).

Por çfarë vendimi është marrë? Shpjegimet që dhanë gazetat e pardjeshme lidhur me vendimin e Kolegjit Zgjedhor kanë qënë shumë të ngatërruara dhe me një gjuhë rigorozisht juridike e proceduriale. I kam lexuar pardje të gjitha gazetat kryesore të Tiranës, të cilat i kushtonin, ashtu siç pritej, një vëmendje të plotë kësaj ngjarjeje, por informacioni jepej – përsëris – me një gjuhë prej eksperti. Me sa duket, raportimi është bërë pas konsultimit me specialistë të fushës. S’kanë bërë mirë që janë konsultuar? Jo, kanë bërë shumë mirë; madje, i nderon kjo gjë. Por do ishte mirë që arsyetimet e sofistikuara të juristëve të përktheheshin në një gjuhë gazetash. Po përpiqem ta bëj unë (pas një konsultimi me juristë, gjithashtu).

Me fjalë të varfëra, Kolegji Zgjedhor i mbledhur më datë 3 qershor ka thënë: “Nuk ka të drejtë ai që mendon se KQZ-ja duhet të shpallte fillimisht e detyrimisht rezultatin paraprak mbi bazën e të dhënave të marra nga KZAZ nr. 49, e vetëm më pas do duhej të procedonte me rihapjen e një numri kutish të njësisë bashkiake nr. 5 mbi bazën e ankimimeve të bëra nga palët. KQZ-ja nuk është gabim, nëse vendos të merret me ankimimet para se të ketë shpallur rezultatin paraprak. Nuk ka asnjë problem, nëse KQZ-ja merr rolin e një KZAZ-je të madhe për Tiranën”. Me fjalë edhe më të varfëra, Kolegji Zgjedhor është shprehur parmbrëmë, që “KQZ-ja ka të drejtë të marrë vendimin që ka marrë”.

Mirëpo, kjo është vetëm gjysma e asaj që pritet nga Kolegji; madje, gjysma më e parëndësishme. Tani i mbetet të shprehet edhe mbi saktësinë apo pasaktësinë e vendimit të marrë nga KQZ-ja që njeh për fitues Lulzim Bashën. Kolegji Zgjedhor i njeh të drejtën KQZ-së të marrë vendimin që ka marrë, por ka të drejtë vetë, gjithashtu, që t’ia hedhë poshtë këtë vendim si të pasaktë; ose t’ia konfirmojë si të saktë. E për të bërë këtë, do duhet të shprehet lidhur me vendimin e KQZ-së për të shpallur si të vlefshme votat në favor të kandidatit për kryetar bashkie të hedhura në kutitë e gabuara. Do duhet të shprehet, gjithashtu, edhe mbi pretendimin se ka një mospërputhje midis votave të hedhura dhe votave të numëruara.

Mos vallë kjo do të thotë, se opozita duhet të shpresojë që Kolegji Zgjedhor të vendosë në të mirë të saj në ditët e ardhshme? Hm, sa më sipër e nënvizova në një përpjekje për të interpretuar mesazhin e vendimit të parmbrëmshëm, por kur vjen puna tek vendimet finale të Kolegjit, nuk besoj se duhet të ketë vend për iluzione. Në teori çdo gjë mund të ndodhë, por praktikisht do të ishin naïvë nëse do të shpresonin më shumë se sa duhet. Vendimi i datës 3 i Kolegjit Zgjedhor është afërmendsh një vendim jo përfundimtar, por ai është një sinjal i qartë, që flet, në mos tjetër, për klimën dhe erërat që fryjnë brenda këtij institucioni. Sipas meje, kjo histori është mirë të quhet e mbyllur. Të gjithë duhet ta flejmë mendjen, dhe t’i bëjmë hesapet me faktin që Tirana ka rënë tanimë në dorë të Sali Berishës.

Do duhet të shqetësohemi? Në përgjigje të kësaj pyetjeje, po e kaloj shkrimin në binarët e arsyetimeve politike. Berisha ka patur mbi vendin e mbi shtetin një kontroll pothuaj total qysh përpara këtyre zgjedhjeve. Shumicën e institucioneve i ka vënë nën thundrën e vet. Si? Ose duke i korruptuar, ose duke i shantazhuar krerët e tyre (kur këta të fundit nuk i ka të vetët, kuptohet). Institucionet e tjera, që nuk i ka nën kontroll (presidencën, prokurorinë, shërbimet sekrete) i ka paralizuar për fare, dhe në këtë mes i është bërë krah dhe droja e pafuqia e krerëve të këtyre institucioneve.

Dhe kështu ndihet në mes të një karari të plotë edhe sikur kjo gjendje të vijojë pa fund. Mirëpo, kjo gjendje e ka një fund, dhe ky fund shenjohet nga fundi kushtetues i mandateve të këtyre funksioneve. Shumë shpejt ne do të kemi një prokuror tjetër në vend të Ina Ramës e një president tjetër në vend të Bamir Topit. Cilët do jenë? Berisha mund të vërë kë të dojë.

Ai ka nën kontroll, gjithashtu, pjesën më të madhe të mass-media-s. Televizioni Neës 24 dhe Gazeta Shqiptare, tok me Top-Media-n, janë mbajtur deri para ca muajsh si ana tjetër e peshores mediatike, por dy të parat janë tanimë në duar të njerëzve të lidhur ngushtë me pushtetin. Televizioni Vizion Plus ka kaluar nga një standby strategjik në një tërheqje të plotë. Televizionet e tjera janë hë për hë pa rëndësi. Ndërsa gazetat anojnë dukshëm nga pushteti.

Berisha ka pasur në dorë ex officio qesen e buxhetit të shtetit dhe të drejtën e administrimit të pasurisë publike. E ka bërë çfarë ka dashur me këtë qese. Vetëm Tirana, si një qëndër e madhe financiare, nuk e linte të nanurisej me idenë e kontrollit të plotë financiar të vendit. Dhe Tiranën po e merr.

Çfarë i mbetet pa marrë? Asgjë. Tani, po ju pyes unë juve: Nuk jeni të shqetësuar, prapëseprapë? Jo? Qofshi ju që jeni!