“Nuk duhet lënë një mini – Gadafi në Europë”

0
40

Ky është një koment që është botuar në portalin e rëndësishëm të lajmeve në Bruksel, EuObserver nga gazetari Ernest Bunguri. EuObserver është burimi i dytë më i rëndësishëm në botë për informacione nga Bashkimi Europian pas Financial Times. Titulli është redaksional. Gjeni më poshtë tekstin e plotë.

Thonë se valixhet e tij të emergjencës ishin bërë gati. Dikush nga stafi i ngushtë i komisionarit për zgjerimin, Stefan Fyle, shtoi se nëse ai do të kishte shkuar në Tiranë ditën tjetër siç ishte planifikuar, do i kishte uluritur kryeministrit Sali Berisha: “Boll- ti duhet të tërhiqesh!”

Ishte 21 janari 2011 dhe garda republikane sapo kishte qëlluar live në TV katër protestues të paarmatosur në një miting kundër qeverisë dhe kundër korrupsionit në kryeqytetin Tiranë.

Fyle nuk e mori kurrë atë udhëtim. Në vend të kësaj, Catherine Ashton, në nevojë për pak sukses për Shërbimin e Aksionit të Jashtëm Europian, që sapo kishte lindur, nisi atje të dërguarin e saj special, Miroslav Lajçak.

Lideri shqiptar, në takimin e tij të parë me ish- ministrin e Jashtëm sllovak, tha: “Të lutem, më thuaj çfarë të bëj dhe unë do e bëj”. Por Lajçak, gjatë tre raundeve të bisedimit nuk tha asgjë dhe nuk bëri asgjë në thelb dhe u kthye në shtëpi.

Ai u rikthye në Bruksel me të njëjtën ide që kanë eurokratët për Shqipërinë – që si Berisha, ashtu edhe lideri i opozitës, Edi Rama, nuk janë të besueshëm dhe që BE duhet tua lërë atyre në dorë.

Ose siç tha së fundmi në Parlamentin Europian Fyle: “Dyert mbeten të hapura. Është zgjedhja juaj. Është absolutisht zgjedhja juaj. Nuk jam unë ai që dua të hyj në BE”.

Cila është situata aktuale politike në Shqipëri? Disa shembuj mund të tregojnë historinë.

Në vitin 2008, 26 njerëz vdiqën gjatë shpërthimit të një depoje municioni. Pas tre vitesh punë, një hetim gjyqësor nuk ka gjetur askënd fajtor. Ministri i Mbrojtjes në atë kohë, përgjegjës për objektet ushtarake, tani është Ministër i Mjedisit.

Pak javë përpara vrasjeve të 21 janarit, zv/kryeministri ynë u kap në kamera duke i ofruar 700 mijë euro në një marrëveshje të dyshimtë Ministrit të Ekonomisë.

Ministri i Brendshëm- në detyrë gjatë kohës kur u bënë vrasjet dhe i implikuar në zhdukjen e 220 milion eurove kur ishte Ministër i Transporteve- është kryebashkiaku i ri i Tiranës. Vetëm një person, një protestues, është gjetur fajtor për ngjarjet e 21 janarit. Komuniteti ndërkombëtar i ka harruar prej kohësh thirrjet për drejtësi.

Dhe zgjedhjet? Kryetarit në detyrë, Ramës, iu vodh fitorja e ngushtë në sy të BE-së dhe SHBA-së.

Ka më shumë për Shqipërinë se kaq- mjafton të shihni progres- raportet e Bashkimit Europian.

Por gjatë gjithë kësaj periudhe të turbullt, e vetmja gjë që ka dalë nga institucionet e BE-së është “kemi mbajtur shënim” dhe “po ndjekim nga afër… (ndonjëherë) me shqetësim”.

Shpresoj të mos dëgjoj kurrë këto shprehje.

Brukseli ka akoma kohë për të thënë të vërtetën për Shqipërinë dhe për të ushtruar presion ndaj elitës për të bërë detyrat e saj.

Askush nuk po kërkon që avionët francezë të hedhin raketa mbi regjimin e degraduar të Berishës. Por- dhe po i zgjedh me shumë kujdes fjalët- ne nuk duhet ta lejojmë atë të bëhet një mini- Gadafi në Europë duke mbyllur sytë ndaj abuzimeve të tij në emër të një stabiliteti të rremë.

Një regjim që vret protestuesit, që manipulon zgjedhjet, neglizhon reformat dhe lejon politikanët kryesorë që të vjedhin me gëzim paratë e vendit nuk është në interesin kombëtar e as në interesin e Bashkimit Europian.

Ai është një regjim i destinuar për të krijuar një vrimë të zezë në Ballkanin Perëndimor dhe për të lënë shqiptarët në një kryqëzim të integrimit në BE për dekadat që vijnë.