“Nuk duhet harruar bisha që kafshon”

0
36

Nga Mustafa Nano

Ndoqa mbrëmë në News 24 programin Xhungël të Artan Hoxhës. Transmetuan një intervistë të gjatë me Hysen Shoshorin, një i përndjekur nga diktatura komuniste. Ai rrëfente jetën e vet, më saktë ferrin e vet, por nuk ishte kjo arsyeja që atij i kushtohej një hapësirë e vëmendje kaq e madhe gazetareske. Arsyeja ishte tjetër. Në një moment të intervistës ai nxjerr në shesh të vërtetën e madhe të jetës së vet.

Në gjyqin që i është bërë andej nga viti 1975 nën akuzën se kish prodhuar e shpërndarë trakte kundër regjimit komunist (komunistët s’e kishin për gjë edhe të sajonin akuza atë mot, ndërsa në këtë rast ata nuk sajuan: Shoshorin po e dënonin për gjëra, që ai praktikisht i kish bërë; Shoshori ishte antikomunist), i është fanepsur një dëshmitar i veçantë. I është fanepsur atje, në sallën e gjyqit, me një trakt në dorë, duke u ngritur nga fundi i sallës pa ia kërkuar ndokush, e duke u drejtuar nga kryetari i trupit gjykues me fjalët “të varet në litar”. Tundte në ajër traktin, të cilin e kish gjetur në rrugë. Ishte shtatlartë, me gjestikulacion të prerë, me hap të madh, militant i zellshëm partie. “Ishte Sali Ram Berisha”, thotë Hysen Shoshori.

“Jeni i sigurtë?”, pyet gazetari (çdo gazetar do ta bënte këtë pyetje, pasi zotni Shoshori është duke folur për antikomunistin më dënglaxhi e më zhurmëmadh të Europës). Dhe përgjigja e tij ishte: nuk mund të harrohet kurrë bisha që të kafshon. Ka të drejtë. E përveç kësaj, tiparet fizionomike të Berishës nuk janë nga ato që harrohen. Atë mund ta shohësh për herë të parë edhe në një superstore, e prapë nuk mund ta harrosh; e jo më ta shohësh, teksa mbin nga fundi i sallës së gjyqit tënd, duke çarë turmën mes për mes, e duke bërtitur “të varet në litar”. Vetëm varri të bën ta harrosh një skenë të tillë.

Pak më sipër thashë se “çfarë rrëfen Shoshori është e vërteta e madhe e jetës së vet”. Nuk ka qenë kështu qysh në fillim. Kjo bëhet e vërteta e madhe e jetës së tij në momentin që ai merr vesh se pikërisht kjo zgjyrë bolshevike merr poza antibolshevike; madje, më shumë se sa kaq; shumë më shumë: bëhet udhëheqësi i lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Deri në këtë moment pra (në vitin 1991, kur Shoshori sheh në tribuna atë portret, që e kish parë në sallën e gjyqit të tij), Sali Berisha nuk ka qënë asgjë më shumë se një çapaçul, që ka dalë të dëshmojë vullnetarisht kundër dikujt, o i nxitur prej një fanatizmi ideologjik, o i nxitur nga synimi për të nxjerrë përfitime në terma të statusit, të karrierës, të aksesit te nomenklatura, etj.

Ka patur mijëra dëshmitarë në gjyqet komuniste, dhe ky që bërtiste në mes të sallës “të varet”, ka qënë një qelbësirë si gjithë të tjerët. Kaq. Por kur e ka parë nëpër tribuna duke bërtitur kundër komunizmit, kjo ngjarje e jetës së tij merr përmasa të tjera. E përfytyroni dot se ç’mund të provonit, po të ishit në vend të Shoshorit e të shihnit një portret të urryer të merrte pozat e “udhëheqësit të madh”? Unë vetë nuk kam fuqi ta përfytyroj. Do kisha lajthitur sikur ngjarja e Shoshorit të ish ngjarja ime.

“Prit!”, mund të më thonë, “pse u dashka besuar kaq lehtë? Ky mund të jetë një paranojak. Edhe vetë i biri indinjohet për këto që thotë i ati”. Në fakt, i biri i Hysen Shoshorit ka folur për RD-në në vitin 2007. Hm, kjo dëshmia e të birit bie erë shumë; më mbush mendjen bash për të kundërtën. Nuk ka thënë asgjë në RD. Ka thënë thjesht që i ati nuk i ka folur me gojë pas daljes nga burgu, as atij, as nënës së vet, pasi këta nuk i kanë shkuar asnjëherë në burg për ta vizituar. E pas kësaj ka thënë, se “është i indinjuar me spekullimet që bëhen” (e bukur, apo jo? Saliu jo vetëm të del dëshmitar në një gjyq, por të nxjerr dëshmitar dhe djalin në një gjyq tjetër, në atë të opinionit publik).

E dini? Mund të jap dhe unë një dëshmi personale, e cila nuk është se shton ndonjë gjë në këtë mes. Por është një dëshmi, që tregon diçka tjetër. Para pesë a gjashtë vitesh kërkoi t’më takojë një miku im, i cili ka bërë burg, gjithashtu, gjatë kohëve të komunizmit (E kanë dënuar për motive politike. Sot është person i njohur për publikun, por nuk ka dëshirë që t’ia përmend emrin). Takohemi, dhe e pashë disi të shock-uar.

Më thotë se “është një zotni me emrin Hysen Shoshori, është ish-i përndjekur, pretendon se Sali Berisha ka dëshmuar në gjyq kundër tij, dhe don të të takojë; më saktë, don ta denoncojë këtë fakt, e për këtë arsye duhet një foltore mediatike. E ndihmon dot?”. “Është e vërtetë që Sala ka dëshmuar në gjyqin e tij?”, e pyeta. “Këtë nuk e di”, më thotë, “po çfarë s’bën vaki në këtë vend!?”. “Është njeri serioz dhe i besueshëm? Nuk është se është kapur nga haluçinacionet, apo jo?”, vijoj ta pyes. “Jo, jo, është fare në rregull. Puna është nëse ti e ndihmon dot, apo jo, që këtë gjë ta thotë në një gazetë apo televizion të rëndësishëm”.

“Besoj se po”, i them. Bisedova me do kryeredaktorë gazetash, dhe përgjigja që merrja ishte: “pse merresh me një njeri të lodhur e të dërrmuar nga burgu, o Muç?” E çuditshme, s’ke ç’thua! Gazetat tona që s’lënë idiotësi pa publikuar, këtë scoop nuk donin ta merrnin. Dhe refuzimi i tyre (fola me dy-tre vetë, jo më shumë) nuk kish të bënte me “besueshmërinë zero” të Shoshorit, të cilin nuk e njihnin fare; jo, jo, kish të bënte ose me besimin se Berisha nuk mund të bënte gjëra të tilla (kjo ka pak gjasa), ose me frikën se mund t’i gjente ndonjë gjë po ta botonin këtë denoncim. Më pas, mora vesh se scoop-in e kishin pranuar gazetarët e News 24-ës. Unë vetë pata rast ta ndiqja vetëm mbrëmë.

E dini dhe një gjë tjetër? Thonë se dikush ka të filmuar ca dëshmi të tjera të njerëzve të tjerë kundër Berishës. Janë dëshmi që ua kanë marrë me kamera të fshehta atyre “qyqarëve”, të cilët e padisin kryeministrin tonë “antikomunist”, se ka luajtur rol në deportimin e familjes së tyre. Nuk e transmetojnë. Është një filmim që e kanë bërë fshehtas. Njerëzit kanë dëshmuar pa e ditur se po filmohehsin, dhe transmetimi do të krijonte një problem në pikëpamje deontologjike. Por nuk e transmetojnë edhe nga frika prej “bishës që të kafshon”.

Unë i besoj këto që thonë për Berishën. E besoj që ka qënë një denonciator njëzet qindarkësh e një komunist i shpifur. Por besimi im nuk është provë. Provë është kjo që thotë Hysen Shoshori. Prova janë ato që dinë plot të tjerë, e nuk flasin. Unë di t’ju them një gjë tjetër, amá: Këto që ka bërë Sali Ram Berisha gjatë komunizmit nuk janë asgjë në krahasim me ato që ka bërë gjatë njëzet viteve të fundit. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për gjërat që dihen e duken. Ka shumë krime të tjera, për të cilat tani nuk flitet. Kanë frikë prej tij. Por do të flitet kur Berisha të mos jetë më në këtë botë. Atëherë do të dalë tamam në dritë se kush është Sali Ram Berisha i vërtetë. Deri atëherë nuk është çudi ta kemi kryeministër.

*respublica.al