“Nuk do i jepja Profetit as edhe një kafe falas” (FOTO)

0
42

TemA, 12 Qershor 2013

(KUJDES: FOTO ME PERMBAJTJE SHQETESUESE)

Një grup islamik në Siri qëlloi për vdekje një djalosh 14- vjeçar përpara prindërve të tij, pasi e akuzonin për blasfemi sepse e kishin dëgjuar djaloshin duke thënë se “nuk do i jepja Profetit as edhe një kafe falas”.

Mohammad Qataa u qëllua në fytyrë dhe në qafë një ditë pasi u rrëmbye nga anëtarët e një grupi islamik të lidhur me Al Kaedan, që vepron në veri të Sirisë.

Një foto e publikuar nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tregon trupin e tij ku dallohet fytyra e mbuluar me gjak dhe e shkatërruar nga plumbi.

Qataa punonte si shitës në rrugë, kur tre anëtarë të grupit militant e dëgjuan atë duke bërë debat me një mik në lidhje me një pagesë.

Mendohet se djaloshi i kishte dhënë shokut të tij një kafe, të cilën ai duhej ta paguante më vonë.

Por kur shoku i tij refuzoi të paguante, Qataa i tha se ai as Profetit nuk ia jep një kafe falas.

Kaq ka mjaftuar dhe tre militantët islamikë e kanë akuzuar adoleshentin për blasfemi dhe fyerje të Profetit.

Ata e rrëmbyen vogëlushin dhe e sollën përpara prindërve. Shumë shpejt aty u mblodhën shumë kureshtarë.

“Kushdo që mallkon profetin, ndëshkohet kështu,” tha njëri nga militantët ndërsa shkrepi automatikun mbi fytyrën e djaloshit. Më pas hipën në makinë dhe u larguan.

Nëna e adoleshentit ishte lutur që ata të mos e vrisnin.

Prindërit thanë se djaloshi kishte marrë pjesë edhe në një demonstrim pro- demokracisë në qytetin Aleppo.

Që prej vitit të shkuar, lagje të këtij qyteti kanë rënë në duart e brigadave islamike, përfshi Nusra Front, një grupim i lidhur me Al Kaedën./ep