NUANCAT LETRARE TË NJË KOHE TRANZITORE

0
21


Nga: Halil HAXHOSAJ

Pikë qendrore reference e këtij romani të Zef Mulajt është qartësimi i brendisë së konceptit të një kohe në fund të shekullit të kaluar dhe në fillim të këtij, ku pasqyrohen në mënyrë letrare, pra romanore, përveç të tjerave, tentimi i pa kompromis i daljes nga Shqipëria i një pjese të popullit të saj pa marrë parasysh, moshë, gjini, profesion, pozitë, ideologji e të tjera. Mirëpo, kalimi i kufijve të asaj kohe bie në kthetrat e degjenerimit. Aty nuk ka respektim të rregullave të lojës. Madje as shtetërore, njerëzore, familjare që nënkupton qasje joserioze dhe të pagjykueshme për gjykimin e një çështje të caktuar, qoftë edhe e gabuar.

Shikuar nga vrojtimi artistik, të gjitha ndodhitë e atëhershme janë pasqyruar në faqet e romanit “Imazh” të shkrimtarit Zef Mulaj, i cili edhe vet ka përjetuar, mbase ndonjë nga dromcat e kësaj katrahure. Dhe nëse nuk i ka përjetuar atëherë, sot mban epitetin e mërgimtarit, malli i të cilit është i madh dhe gjithmonë i pashuar për vendlindjen e tij, për Shqipërinë, e cila sot ka ndërruar sado kudo petkun e vet.

Ka vite që në Shqipëri kanë vërshuar disa bëma që atë e kanë avancuar duke ia ngritur, madje, shumë vlera, duke e renditur në mesin e shteteve të NATO-s, demokracisë dhe së fundi edhe të heqjes së vizave nga BE-ja. Mbase edhe botimi i këtij romani përkon dhe shënon njëzet vjetorin e katrahurave të eksodit shqiptar, por botimi i tij është edhe një dhuratë për heqjen e vizave të shtetasve të Republikës së Shqipërisë nga Bashkimi Evropian.

Nëpër këto hallka të imazhit të kësaj pjese të jetës vargëzohen edhe ngjarjet, ndodhitë, të bëmat, tragjeditë, katrahurat dhe të gjitha hipsetëvravat dhe zbritsetëvrarat e një kohe të epokës së caktuar historike. Kështu, romani “Imazh” i Zef Mulajt mund të klasifikohet në romanet policorë e kriminalistikë që ishin të pakët, apo as që kishte të tillë në kohën e socrealizmit. Pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri dhe çlirimit të Kosovës ky lloj shkrimi, pra romani, filloi të merr udhë edhe në letërsinë tonë bashkëkohore të këtij dhjetëvjetëshi të shekullit të XXI.

Andaj, duke lexuar faqet e këtij romani, lexuesi edhe ai që ishte pjesëmarrës dhe përjetues i eksodit shqiptar, por edhe ai që ka lindur më vonë, do t’i përjetojnë ngjarjet e romanit sikur një tragjedi, e cila kishte zbritur në të gjitha poret dhe qelizat e jetës së asaj kohe. Dhe tash ëndrra e daljes nga të gjitha pikat doganore të Shqipërisë për shtetasit e saj është bërë një realitet, që është shënuar me shkronja të arta në historinë e ndërtimit politik e shtetëror të Republikës së Shqipërisë.Ngjarja e romanit shtrihet gjerë e gjatë në faqet e tij, duke pasqyruar këtë periudhë dhe të gjitha bëmat e saj. Ajo është e trajtuar duke filluar me një prolog dhe epilog, që në mënyrë zinxhirore analizon dhe trajton të gjitha hallkat, poret dhe qelizat e saj.

Në epiqendrën e saj është agjenti i antikrimit Gjergji, i cili pasi mbaron Akademinë policore, betohet së do ta kryej me ndërgjegje e përpikëri detyrën e shenjtë prej polici të ndershëm. Por, mu këtu fillojnë katrahurat e profesionit të tij, sepse në një mes ku dominon anarkia, kaosi dhe joprofesionalizmi, që janë hallkat më të ndyta të asaj shoqërie shqiptare, politike dhe shtetërore, është e pamundur një gjë e tillë. Ngjarja fillon me humbjen e tre fëmijëve të mitur të cilët ishin të detyruar të shisnin banane dhe duhan në tregun e kaosit në metropolin shqiptar, pra në Tiranë, për ta mbajtur familjen e tyre.

Por, për ta realizuar këtë gjë ishin detyruar ta braktisnin shkollën, lojërat fëmijërore e shumë gjera të tjera të fëmijëve. Ata piqeshin para kohe në këtë stinë të demokracisë shqiptare në fundit të shekullit të XX. Të tre fëmijët, Vitoria, Sofia e Martini, që nisen tregtimin e bananeve ishin nga i njëjti fshat dhe kishin shkuar në të njëjtën shkollë dhe klasë. Këta të tre quheshin nga tregtarët e tjerë të tregut ”biznesmenët e vegjël” të bananeve. Dhe secili prej tyre ka karakteristikat e veta të skalitura nga pena e autorit Zef Mulaj.

Mbase kjo ka për qëllim që lexuesit t’i shpalosen anët më të errëta, më të pista për tragjiken e shqiptarëve të asaj kohe.Vitoria e Sofia janë vajza që ende s’i kanë mbushur të pesëmbëdhjetat. Ato janë të urta, të sjellshme, të sinqerta, madje edhe sorkadhe dhe të padjallëzuara. Ato rropaten që të shesin sa më shumë banane për të fituar sa më shumë lekë sepse familjet e tyre nuk kanë me çka të blejnë, madje asnjë kafshatë buke. Bile ato nuk blejnë asgjë për vete, madje as ndonjë akullore, sepse duhet që në mbrëmje t’i dorëzojnë lekët në shtëpi për të pasur me çka të blihet buka për ta shuar urinë.I tillë është edhe Martini.

Ai është një çun i mirë, i padjallëzuar, i shkathët dhe tejet ambicioz. Asgjë nuk e anashkalon, madje asgjë nuk ia lë stihisë. I ka pikat e veta të sigurta për t’i shitur pakot e cigareve dhe gjithmonë duket tejet i gëzuar dhe i kënaqur, kur në mbrëmje ka në xhepin e tij lekë për t’i dorëzuar në shtëpi. Por, kjo nuk zgjat shumë dhe tre gurët e tyre në tregun e Tiranës, që treg i thënçin, mbesin zbrazët. Ata zhdukën dhe askush nuk di për zhdukjen e tyre.

Vetëm Gjergji fillon hulumtimin për zhdukjen e tyre, që është tejet i ngatërruar dhe me pista që shpijnë edhe në instancat e larta shtetërore dhe policore shqiptare. Dhe posti i tij dridhet, madje edhe zhduket vetëm që mos ta gjejë të vërtetën e zhdukjes së “biznesmenëve të vegjël” para dhe sidomos pas gjetjes së kufomës së Vitories. Këto gjera të zbehura në vete nuk ngërthejnë koncepte të qarta njerëzore, porosi të shëndosha, mesazhe emancipimi, por as vlera nacionale dhe qëndrime të qarta, të cilat vlerësojnë diçka njerëzore e interesante.

Nga trafikantët përdoret një gjuhë bastarde me një slogan të një zhargoni të papranueshëm, me sjellje megalomanie të personazheve ku iu krijohet komoditet hapësinor i tepruar, të cilët me sjelljet e tyre stigmatizojnë qëndrimin e mirëfilltë. Këto zhvillime rastisin në kohë e në rrethana të papërshtatshme, kur njeriun e zakonshëm e kanë vënë në lajthitje, falë monopolit që kanë mbi poret e shoqërisë dhe të strukturës politike nga kuadrot e papërgjegjshme që në fakt i degjenerojnë kriteret e gjendjes së mirëfilltë humanitare. Kjo mbytje kohe shumëvjeçare, na obligon të themi të paktën fjalën e vendosur: mjaft më!

Imazhi i ngatërruar i këtij relievi që po bartet që sa vjet nëpërmjet formave më të ndyta sikur i ka kaluar të gjitha caqet: një degjenerim pa formë, pa koncept, pa porosi, pa vizion, pa cak, me fillim e fund. Që nga paraqitja e tyre e parë e tërë ngjarja dhe evoluimi brenda saj kap një gamë shëmtish që simbolizojnë imazhet më të ndyta kombëtare, politike e shtetërore shqiptare, të cilat sa vijnë e stampohet në analet e shteteve të bashkësisë evropiane si dukuri e modalitetit shqiptar. Në faqet e romanit “Imazh” të Zef Mulajt defilojnë lloj-lloj Don Zhuanësh, mashtruesish ordinerë, “gjeneralësh e deputetësh” të cilët eksperimentojnë mbi kurrizin e jetës. Por karagjozë të tillë vështirë se janë hasur ndonjëherë, me një fjalor po aq banal rrugaçërie siç është edhe forma jo vetëm e të folurit, por edhe qëndrimi i tyre i “mbrapsht”.

Ky zhargon është përdorur nga fiset e dikurshme më primitive barbare të cilët kur vendosnin të bënin vepra të ulëta antishoqërore, si: hajni, plaçkitje, imoralitet etj., përdornin format e këtilla, në mënyrë që rrethi ku ata donin të vepronin të mos e kuptonte, jo vetëm gjuhën, por edhe qëllimin dhe veprimin e tyre të ulët! E gjithë kjo që është përshkrua në 200 faqet e këtij romani ku paraqiten pjesët e katastrofave të kësaj “familjeje” degjeneruese, thotë edhe më shumë për këtë kohë kaq perfide të shoqërisë shqiptare në Shqipërinë e katandisur në kufijtë e thellë të degjenerimit të të gjitha ngjyrave dhe dimensioneve.Imazhi i katrahurave nëpërmes kryepersonazhit Gjergji e fillon dhe e përfundon romanin.

Figura e Gjergjit është qendra e të gjitha të bëmave të asaj kohe të pasqyruara në vepër. Kështu ai është edhe personazh që ka përjetuar si i ri mbi kurriz këto bëma, për shkak të të cilave i vdes edhe nëna. Gjergji ikën edhe vet në Greqi ku takon Martinin e tjetërsuar, e më vonë në Itali edhe Sofinë të birësuar nga një familje bamirëse. Gjetja e tre “biznesmenëve të vegjël” është edhe kulminacioni i zhvillimit të ngjarjes së romanit, që në një mënyrë sqaron rrjedhën e mëtejme të kryepersonazhit Gjergji.

Ai takohet me fatin e vet jetësor, bashkëshorten italiane me origjinë shqiptare nga Kruja, pret lindjen e dy pasardhësve dhe fillon rrugën e re në profesion e vet. Rruga e tij kalon nëpër stazat e kalitjes profesionale, sepse pas diplomimit dhe specializimit në profesionin e vet, bëhet njeri i vyeshëm për të gjithë. Figura e tij është e çmuar dhe pasqyrim edhe i popullit shqiptar anekënd botës. Këto imazhe janë pasqyrimi më artistik i gjithë spektrit letrar në faqet e romanit. Autori Zef Mulaj i skalit me mjeshtri të gjitha ato që ia shtojnë natyrën ekspozuese sa më artistike bëmave të asaj kohe.

Ngritja dhe shpërndarja e këtyre imazheve kalon lehtë nga situata në situatë dhe kalitet suksesshëm në peizazh dhe sfond që sa vjen e merr nuanca të tjera.Lexuesi i këtij romani do ta ketë në duar një vepër dëshmish të një kohë që mos u ktheftë kurrë më në vatrat e shqipeve, pra në Shqipëri. Dhe paraqitjen artistike e letrare të saj e ka skalitur bukur, madje me tone reale por edhe letrare në formën e romanit autori Zef Mulaj, i cili ka bërë një mision prej shkrimtari dhe qytetari e patrioti. Dhe ky roman do të zgjojë interesimin e lexuesit duke u bërë pjesë e bibliotekave të tyre, por edhe e tryezës së leximit.

—————

Zef Mulaj, lindur në Nikaj-Mërtur të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), në fshatin Qeresh-Mulaj. Ka shkruar poezi qysh në rininë e tij. Ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë, Tiranë (Dega Farmaci). Ka punuar shumë vite në zonat e vendlindjes. Veç punës si farmacist, është marrë gjithnjë me kërkime shkencore në fushën e tij, sidomos në studimin e bimësisë mjeksore të alpeve të Shqipërisë.

Në vitin 1994 vendoset në mënyrë legale në Itali, me një bashkëpunim shkencor në fushën e tij. Në vitin 1998, mbaroi përsëri studimet e larta në universitetin Camerino të Italisë, ku mbrojti titullin Doktor në shkencat farmaceutike, pikërisht në studimin e bimësisë mjeksore të alpeve të Shqipërisë.

Është Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarve dhe Artistëve në qytetin ku jeton në Itali.Antare ileges botrore te poetve contemporen. (world poets Society W.P.S.) Antar i lidhjes se shkrimtarve te Kosovës.
Merr pjesë në koncertet recitale dhe konkurset e organizuera në Itali në fushën e poezisë.
Specialist ne tosikologjin klinike e ambientale, ne farmakovigjilence mjeksore. Ne kontrollin kimik te produkteve farmacutike, e lenden e pare.

Esperte ne informatiken aplikative. Specializuar per nderhyrjet e shpejta mjeksore per kryqin e kuq internacional. Punon dhe kerkon zbulimin e substancave te reja farmakologjike naturale. Antare i shoqates se Fito-Terapis ne repupliken e italis, me qenender ne universitetin Sienes, Itali.