“Normaliteti”, jonormal!

0
30

Eduard Zaloshnja

Eduard Zaloshnja, 26.11.2009

Në një artikull në shtyp, dy ditë më parë, B. Fevziu argumentonte se Shqipëria ka hyrë tani në rrugën e normalitetit, e për rrjedhojë, synimi i opozitës për të shkaktuar zgjedhje të parakohshme është i pakuptimtë.

Përfundimi, në të cilin ka arritur Fevziu do të ishte i saktë, në se do të pranohej si i mirëqenë fakti se Shqipëria është një vend normal demokratik. Pikërisht ky prezumim i Fevziut përbën themelin e analizës së tij, por që, fatkeqësisht, nuk mund të konsiderohet si i mirëqenë në një vend si Shqipëria.

Është e vërtetë se Shqipëria sot nuk ndodhet në kushtet e qershorit 1991, apo të marsit 1997 (kur qeveritë u rrëzuan, duke pranuar zgjedhje të parakohshme), por ama nuk mund të konsiderohet si një vend me demokraci normale. Sepse në një vend normal demokratik, Kodi Zgjedhor do të zbatohej me përpikëri.

Por, Kodi Zgjedhor u shkel në mënyrë të hapur në Shqipëri, kur dy anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkuan hapjen e kutive të tre qarqeve, dhe kërkesa e tyre u hodh poshtë nga anëtarët e tjerë të komisionit.

Pse kjo përbën një shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor? Sepse në nenin 136 të tij, pika 3, shkruhet: “Me kërkesë të dy anëtarëve të saj, KQZ-ja është e DETYRUAR të marrë provat e kërkuara nga dy anëtarët që kanë paraqitur kërkesën.

Kërkesa mund të paraqitet me shkrim ose verbalisht në seancën publike të shqyrtimit të ankimit.” Ndërsa në pikën 4 të po këtij neni, shkruhet: “KQZ-ja NUK MUND të refuzojë kërkesën për prova, të bërë sipas pikës 3 të këtij neni.”

Gjithashtu, në një vend normal demokratik, gjykata nuk do të lejonte një shkelje kaq të hapur të Kodit Zgjedhor. Sepse në këtë rast, nuk bëhet fjalë për interpretim faktesh, apo nenesh – mënyra si është shkruar Kodi nuk lë vend për asnjë ekuivok.

Duke shkuar më tej, në një vend normal demokratik, mazhoranca nuk do ta kishte kundërshtuar kërkesën e opozitës për hapjen e kutive nga një komision parlamentar. Së pari, sepse përfundimet e këtij komisioni nuk do të mund të zhbënin vendimin e KQZ-së dhe të Kolegjit Zgjedhor. Dhe së dyti, e më së tepërmi, hetimi i parregullsive të pretenduara nga opozita do të ishte në interes të demokracisë.

Nuk ka gjë më të rëndësishme për demokracinë se sa liria dhe ndershmëria e zgjedhjeve – ato përbëjnë mekanizmin themelor të marrjes apo të mbajtjes së pushtetit në një demokraci.

Në qoftë se në një nga tre hallkat e mësipërme do të bëhej hapja e kutive të kërkuara nga opozita (e mira e donte që të ishin hapur që në hallkën e parë), mund të rezultonte se komisionerë të të dyja palëve kishin shkelur me vetëdije Kodin Zgjedhor. Se sa do të ndikonte kjo në rezultatin përfundimtar, nuk do të kishte rëndësi për demokracinë në vetvete (për Ramën, Berishën, Metën, etj., patjetër që do të kishte).

E rëndësishme për demokracinë do të ishte dënimi që do t’u jepej komisionerëve mashtrues, sipas dispozitave të Kodit Penal. Në mënyrë që komisionerët e zgjedhjeve të ardhshme të mendohen mirë para se të shkelin Kodin Zgjedhor…

Këmbëngulja e mazhorancës për të mos hapur kutitë i jep një armë në dorë opozitës për të kërkuar atë gjë që opozitat në vende normale demokratike nuk e kërkojnë fill pas konfirmimit të një mazhorance në parlament – zgjedhjet e parakohshme.

Kuptohet që kjo kërkesë e opozitës nuk i vjen për shtat mazhorancës aktuale shqiptare dhe as partnerëve tanë ndërkombëtarë, por u vjen për shtat përkrahësve të shumtë të opozitës.

Dhe në qoftë se ata vazhdojnë ta përkrahin opozitën në aksionet e saj antiqeveritare, mund të vijë një pikë ku mazhoranca aktuale dhe partnerët tanë ndërkombëtarë të binden se e vetmja rrugëdalje nga kriza do të jenë zgjedhjet e parakohshme.

Kur mund të arrihet kjo pikë vëllimi? Ndoshta kur të afrohen zgjedhjet lokale…