Njoftim Publik – sondazh për zgjedhjet e 8 majit

0
91


Eduard Zaloshnja

Nga një sondazh që zhvillova gjatë javës së fundit, më rezulton që, në qoftë se zgjedhjet do të ishin mbajtur në 17 prill, në kushte normale, Edi Rama do të kishte dalë fitues me 52.6% të votave. Me siguri 95%, rezultati real do të kishte qenë brenda marzhit të gabimit statistikor prej +/- 2.5 pikë përqindje. Thënë ndryshe, Edi Rama, me siguri 97.5%, do të kishte marrë mbi gjysmën e votave. Sa më sipër, NUK DO TË THOTË SE I NJËJTI REZULTAT DO TË ARRIHET DOMOSDOSHMËRISHT EDHE NË 8 MAJ (disa zgjedhës që nuk do të votonin në 17 prill mund të vendosin të votojnë në 8 maj dhe anasjelltas, ndërkohë që disa zgjedhës mund të ndërrojnë kahun e votimit deri në 8 maj).

Metodologjia e përdorur për të arritur në rezultatin e mësipërm

Përzgjedhja e kampionit statistikor u bë me rastësi të plotë nga një univers prej rreth 60,000 numrash Telekomi të qytetit të Tiranës. 2450 tiranas u kontaktuan me telefon nga anketues të besuar dhe të kontrolluar nga unë, për të realizuar një kampion prej 2000 votuesish. Sipas gjykimit të anketuesve, 374 qytetarë të kontaktuar nuk morën pjesë në anketim, sepse nuk kishin kohë apo përtonin të përgjigjeshin dhe 76 të tjerët që refuzuan, kishin frikë të merrnin pjesë në anketim*.

Kampioni rezultoi i balancuar territorialisht, në gjini, grupmosha, dhe shpërndarje të votës së 2009-ës sipas koalicioneve. Vetëm grupi i votuesve të rinj (18-19 vjeç) ishte i nënpërfaqësuar në kampion (43 nga 60 që duheshin), por një studim i Çekës (2010)** konkludon se 74% e votuesve të rinj (18-19 vjeç) në Bashkinë e Tiranës kanë gjasa të ndjekin preferencat politike të prindërve të tyre. Pjesa që nuk ndjek prindërit, me gjasa të forta, është e ndarë në mënyrë pothuaj të barabartë mes mazhorancës dhe opozitës (siç është i ndarë vetë elektorati tiranas).

Për të projektuar probabilisht kahun e votimit të të pavendosurve dhe të atyre që nuk e deklaruan votën (të evidentuar më poshtë), u përdor një model regresioni logjistik, bazuar në përgjigjet që dhanë deklaruesit e votës në lidhje me Piramidën, Sheshin Skënderbe, profesionalizmin e punonjësve të Bashkisë, opinionin për secilin kandidat, dhe votimin në 2009-ën e në 2007-ën. Për të projektuar votën e zonave me mbulim të rrallë nga Albtelekomi (si Komuna e Parisit, Kodra e Priftit, Shkoza dhe Bregu i Lumit), u ekstrapoluan probabilisht rezultatet e mëparshme të këtyre zonave me rezultatet e kampionit për votimet e shkuara dhe atë të pritshëm aktual.

Brenda territorit të mbuluar dendur nga Albtelekomi, mund të ekzistojnë xhepa të vegjël të pambuluar me telefon fiks. Për këta xhepa u abstragua se votuesit e tyre ndjekin tendencat e nënkampionit statistikor të minibashkive të mbuluara mirë nga Albtelekomi, meqenëse shpërndarja e votave të këtij të fundit për 2007-ën e 2009-ën përputhet me votimin faktik. Sidoqoftë, për ta probabilizuar abstragimin, marzhit fillestar të gabimit statistikor iu shtua apriori +/- 0.1 pikë përqindje. Në total, llogaritjet probabilitare të mësipërme e rritën marzhin fillestar të gabimit statistikor me +/- 0.5 pikë përqindje.

Ndër të anketuarit që do të kishin marrë pjesë në votim në 17 prill, përgjigjet rreth votimit të tyre ishin si më poshtë:

Edi Rama 43.9%; Lulzim Basha 42.6%; Hysni Milloshi 0.3%; Të pavendosur 6.4%; Nuk e deklaruan votën 6.8%*

*Niveli relativisht i lartë i mospjesëmarrjes në sondazh nga frika dhe i mosdeklarimit të votës, lë të kuptohet se kurba e dendësisë së probabilitetit për shpërndarjen e gabimit statistikor mund të jetë asimetrike. Më shkoqur, mund të thuhet se gjasat ishin më të mëdha që Rama të kishte marrë në 17 prill mbi 52.6% të votave, se sa më pak se 52.6%.

**Çeka, Blendi. Aplikimi i Teorive Socializuese e Zhvillimore në Sjelljen e Votuesve të Parë në Bashkinë e Tiranës. Referat në Konferencën Ndërkombëtare të Departamentit të Psikologjisë, Universiteti i Tiranës, Dhjetor 2010.

—————-
Njoftim shtese rreth sondazhit tim mbi votimin per Bashkine e Tiranes ne 17 prill:

Nga analiza e modelit probabilitar qe perdora per te projektuar voten e taranasve, ne qofte se zgjedhjet do te ishin mbajtur ne 17 prill, me rezulton:

1 – Me probabilitet 97.5%, Rama do te merrte JO ME SHUME se 55.0% te votave
2 – Me probabilitet 83.5% Rama do te merrte JO ME SHUME se 53.9% te votave
3 – Me probabilitet 83.5%, Rama do te merrte TE PAKTEN 51.2% te votave
4 – Me probabilitet 97.5%, Rama do te merrte TE PAKTEN 50.1% te votave
5 – Me probabilitet 98%, Rama do te merrte TE PAKTEN nje vote me shume se Basha
6 – Me probabilitet 99%, Rama do te merrte TE PAKTEN 45.2% te votave
7 – Me probabilitet 100%, Rama do te merrte TE PAKTEN 1 vote (voten e vet)


Eduard Zaloshnja, PhD
Research Scientist
Pacific Institute for Research and Evaluation
11720 Beltsville Dr. Suite 900
Beltsville, MD 20705
Phone: 301-755-2734
Fax: 301-755-2799