Njëzet vjetori i njëzet vargjeve

0
50

PREÇ ZOGAJ, 23.09.2010

Nuk është zakon të kremtohet përvjetori i një poezie. Për të merituar këtë nder duhet të jetë më shumë se një poezi. Duhet të jetë bërë ngjarje dhe njëkohësisht të ketë mbetur poezi, çfarë nuk ndodh shpesh. Këtë kusht e plotëson poezia e mirënjohur “Kuajt” e poetit Gjekë Marinaj, botuar para njëzet vjetësh, saktësisht në gusht të vitit 1990 në gazetën “Drita”. Kjo poezi me jo më shumë se 20 vargje u përkujtua këto ditë nga Departamenti i Arteve dhe Shkencave Humane pranë Universitetit të Teksasit në Dallas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

E bërë këngë në përkthimin dhe përshtatjen e vargjeve në anglisht nga poeti i madh amerikan Frederik Turner, me muzikë të kompozitorit shqiptar, Gjon Kapedani, me orkestrimin e sopranos së mirënjohur amerikane Kathery Evans dhe e kënduar nga tenori Hart Neal në shoqërimin e pianistit Michael MC Voy, kantata “Kuajt”, me saktë vidioklipi “Kuajt” me pamje nga Shqipëria e viteve nëntëdhjetë, u paraqit si ikona poetike më e besueshme e pasqyrimit të realitet shqiptar gjatë peridhës së diktaturës , siç vuri në dukje studiusja Cindy Hulbert.

“Ne nuk kemi emër/ Të gjithëve kuaj na thonë/ Nuk qajmë/ Nuk qeshim/ Heshtim, dëgjojmë…” . Këto janë disa nga vargjet e poezisë që, kur u botua, qe lexuar menjëherë si metaforë e shfrytëzimit dhe skllavërisë së njerëzve në shoqërinë totalitare. Publiku i vëmendshëm i atyre viteve e kujton me siguri, sot e kësaj dite, përshtypjen e thellë që pat shkaktuar botimi i saj në organin zyrtar të Lidhjes së Shkrimtarëve. Ishte një kohë pezull, kur në një anë shqiptarët që u futen në ambasadat e huaja kishin konsumuar kryengritjen e rrallë me emrin “ikje”, ndërsa në anën tjetër regjimi po përpiqej të shartonte në trupin e vet të kalbur ndonjë bisk lirie të prodhuar në serrat e veta demode; e gjithë Lindja ish-komuniste kishte kthyer fletën e historisë, kurse Shqipëria e vogël përkundte në pallatet e politikës ëndrrën me sy hapur “as Lindje, as Perëndim”.

Tirania e gjatë dhe izolimi i kishin ndikuar në atë shkallë mendjet dhe shpirtrat e njerëzve, sa përjashta burgjeve kishte shumë pak qartësi se çfarë duhej bërë. Shumica dërrmuese e intelektualëve kritikë dinin se çfarë nuk donin, por nuk ishin shumë të qartë se çfarë donin. Vetë regjimi, i mbetur si kau në brinjë, kërkonte të jepte ndonjë zgjidhje pa qenë vetë i zgjidhur. Mizoritë dhe ndëshkimet politike nëpër dekada kishin mbjellë frikën, mosbesimin dhe rezervimin. Liritë e ndaluara kishin bërë që zërat më të lirë, aq sa mund të këtë kuptim kjo fjalë në një shoqëri të mbyllur, të kultivonin si mënyrë shprehjeje dykuptimësinë, gjuhën e Ezopit. Ky ishte pak a shumë kuadri që përcaktonte përpëlitjen e Shqipërisë në mëdyshjet e saj të reja.

Në këtë kohë, një poet i ri nga Bajza e Shkodrës, njëri prej gjeneratës së humburve, që kishte gjetur në poezinë lirike të kohës strehën e ekzilit të vet shpirtëror, si një parathënie dhe parapërgatitje për ekzilin e më pasmë fizik, Gjekë Marinaj, një djalë i gjatë dhe i hajthëm, i sjellshëm dhe i përkorë në kufijtë e auto-ironisë, vendosi të dilte më hapur se asnjë tjetër para tij në agorën e së vërtetës, domethënë vendosi të provokonte me një goditje të drejtpërdrejtë demagogjinë e “ndryshimeve nga brenda”, status-quonë e neveritshme që po krijonte pluralizmi i mendimit me prirjen për të hedhur një vello të re mbi realitetin e ashër të shtypjes dhe varfërisë. Kjo ishte poezia “Kuajt”, që autori e kishte shkruar në vitin 1989 dhe po e sillte për botim në gazetën “Drita” një vit më vonë.

Në vetvete zgjedhja e momentit për të nxjerrë nga arka një poezi, të pabotueshme sipas kritereve të kohës, ishte test i një shkalle të gjerë, që autorit ia mundësonte edhe mirëdashja e poetëve Bardhyl Londo e Rudolf Marku që punonin në gazetën “Drita”. Poezia u botua në këndin e njërës prej faqeve të gazetës, me vetëdijen e plotë të botuesve se çfarë po bënin. Për poezinë, kjo që ndodhi , ishte një heqje dorezash. “Ne nuk kemi emra/ Të gjithëve kuaj na thonë/ Nuk qajmë/ Nuk qeshim/ Heshtim/ Dëgjojmë/ Hamë atë që na japim/ Ecim nga na thonë”. Vargjet përcjellin lodhjen e dekadave. Tingëllimi i tyre krijon një si kurbë të vdekjes që përpiqet të mbushet me frymë, diçka që në kantatën e interpretuar për herë të parë këto ditë në Universitetin e Teksasit, Dallas, të kujton korin e të burgosurve hebrenj në operën “Nabuço” të Verdit.

Por për autorin, “Kuajt” ishte fillimi i një kalvari, që, për fat, përfundoi mirë. i pambuluar nga emri i madh apo nga solidariteti dhe “harrimi” i kryeqytetit, ai u vu në shënjestër të partisë dhe sigurimit në provincën ku jetonte, çfarë e detyroi të arratisej, duke rrezikuar kokën. Ai e vulosi me shembullin vetjak kredon e poezisë së tij. Njëzet vjet më vonë, Universiteti Amerikan ku Gjekë Marinaj është diplomuar dy herë, kthehet përmes historisë së rrallë të kësaj poezie në itinirarin që ka ndjekur autori drejt lirisë dhe botës së lirë. Në të vërtetë, është me shumë se rruga e një poeti. Është edhe rruga e Shqipërisë. Përveçse një ikonë e realitetit shqiptar në diktaturë, “Kuajt” është një episod shumë domethënës në vargun e episodeve që paralajmëruan dhe parapërgatiten Lëvizjen e Dhjetorit 1990.

Autori Marinaj, qëkurse la pas peripecitë e arratisë, jeton, studion, punon dhe krijon në SHBA si një poet dhe studiues i shquar. Ai nuk është kthyer në Shqipëri për të konvertuar në gjësendi gjurmën e kontributit dhe aktit të tij. Sipas meje, nuk është kthyer për një arsye të dyfishtë: në një anë, që të mbetet ai që është për vendin e tij; në anën tjetër që edhe Shqipëria të mbetet kjo që është në mallin dhe dashurinë e tij, që janë filtrat ku ndalen pluhurat dhe helmet e shumta të vendit tonë të dashur.

Por, nëse Marinaj ka zgjedhur të mos vijë, kantata “Kuajt” duhet të vijë. Televizionet tona nuk kanë asnjë vështirësi ta gjejnë e ta transmetojnë. Ajo është shprehje e nderimit amerikan për lirinë. Ne kemi nevojë të bashkohemi me këtë nderim. Kemi nevojë të njohim rrugën nga kemi ardhur. Akoma më shumë, kemi nevojë të ushqejmë ndjenjën e lirisë. Sepse, krijime të tilla si “Kuajt”, që i gjejmë në forma të tjera, te autorë të tjerë dhe në arte të tjera, paraqesin një simbolikë akoma më universale dhe të gjithëkohëshme të aspiratës për dinjitet dhe respekt.