Elsa Demo, 26.07.2010
Ambasadori amerikan John L. Withers, II në një intervistë jo politike dhe lamtumire. Për njerëzit dhe fenomenet shqiptare që njohu në tre vjet, për idetë e tyre, shpresat, zhgënjimet, punët e lëna përgjysmë dhe përse do të kthehej një ditë
Ju e mendoni Amerikën si në filma, tha Ambasadori duke e afruar për herë të parë horizontin që në të shumtën e kohës kish ndenjur lart e i purpurt teksa foli për Shqipërinë dhe shqiptarët. Na dha përfytyrimin e një dite tijën në atdhe.
A është Amerika si në filma? Kohë për të menduar për Abraham Lincoln-in apo George Washington-in, nuk ka. Madje hapur fare, mendon për rrugët e ngushta dhe ditët me trafik, duhen orë për të shkuar e për t’u kthyer.
Telefoni që nuk pushon. Në ndërtesën gjigante të State Department, njerëz me shkresa para syve, ia sjellin botën vërdallë. Kur vjen ora për t”i hipur makinës për në shtëpi, koka i rreh si daulle. Kthehet në fole dhe nuk ka kohë të gatuajë. Ngroh diçka në mikrovalë që as i shijon dhe gjumi e merr para TV-së.
Ja një ditë në Amerikën e bekuar që ambasadori na e përshkroi pasi folëm për një ditë shqiptari në Shqipërinë po aq të bekuar që ai, John L. Withers, II, duhet ta lerë pas tri javësh. Merr fund misioni i 3-vjeçar i diplomatit që “aq shumë e deshi kulturën e shqiptarëve”.
Në bisedën me z. Withers dëgjojmë si njerëzit që ka takuar këtu e kanë ndihmuar të njohë Shqipërinë.
Përtej këndvështrimit ekzotik, analizat e zotërisë për fenomene psikologjike, sociale, kulturore, ekonomike dhe politike, në reaksion me mjedisin shqiptar, vijnë, siç e thekson dhe ai, nga një njeri që nuk jeton “në mes” të Shqipërisë dhe problemeve të saj, por kjo s’do të thotë se sheh më pak.
Lexuesi mund të lërë mënjanë magjepsjen e një amerikani nga ky vend dhe të lexojë mesazhet e tërthorta, ose anasjelltas. Ose ta lexojë këtë bisedë thjesht si me një njeri të kulturës që ka kontribuar për kulturën e një vendi s’është i tiji.
Withers po lë pas të gatshëm projektin e një memoriali si homazh për shqiptarët që shpëtuan hebrej gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qeveria amerikane do të ndihmojë për ngritjen e këtij memoriali në Tiranë, falë një konkursi ndërkombëtar.
Ndërsa javën e parë të gushtit ngrihet një tjetër memorial disi “personal” për Ambasadën Amerikane, në kujtim të dy të rinjve vrarë nga regjimi i Hoxhës. Ata janë Loni Adami dhe Kolë Kuqali.
Z. Withers, përpara dy javëve, ju i dhatë Bibliotekës Kombëtare librat që ju kanë dhuruar autorë shqiptarë gjatë qëndrimit këtu. Përse e bëtë këtë? A nuk do duhej t’i kishit marrë me vete kujtimet nga Shqipëria?
Withers: Para së gjithash, librat që dhurova atë ditë janë shqip, dhe për fat të keq unë gjuhën nuk e njoh. Në njëfarë mënyre, s’po i jap ato libra, por po i ndaj. Nga ana tjetër, janë vetëm një pjesë e vogël e atyre që kam marrë nga Shqipëria. Shumë të tjerë do t’i marrë me vete në Amerikë.
M’i kanë dhuruar njerëz të cilët i njoh mirë dhe që i kanë nënshkruar duke shprehur diçka për përvojën që kemi patur së bashku. Ka shumë libra nga njerëz që nuk i kam takuar. Nuk do mund t’i merrja të gjithë me vete. Kështu që më mirë t’i lexojë dikush.
Çfarë po merrni me vete?
Withers: Njerëzit e dinë që si poet më pëlqen Fatos Arapi. Në intervistën tonë të parë kam recituar një poezi të tijën. Kam disa përmbledhje të poezisë së tij që do t’i marr me vete.
Kam disa libra të Ismail Kadaresë që do t’i marr me vete edhe ato, dy libra për Musine Kokalarin, dy vëllime, disa libra të tjerë shumë privatë, dhuratë nga të rinj. Duhet të merrnim një vendim të ekuilibruar.
Ndonjë libër politik?
Withers: Unë pëlqej letërsinë, poezinë, fotografinë.
Ndonjë libër për çështjen “Gërdeci”, shqip-anglisht?
Withers: Me sa mbaj mend, jo…E keni parë këtë libër? Po librat e Marubit i keni parë? Hidhini një sy. Janë fotografitë e para me ngjyra të Shqipërisë dhe disa janë vërtet të shkëlqyera. (Ambasadori tregon mbi tryezë disa albume, ndër ta njëri i përgatitur nga studiuesi kanadez Dr. Robert Elsie.)
Po, Robert Elsie është një studiues serioz, i mirënjohur.
Withers: Ai është i jashtëzakonshëm. Gjithë jetën ia ka kushtuar përhapjes së gjuhës së shqiptarëve në botën anglishtfolëse.
Z. Withers, është pak e vështirë t’ju pyesim për kulturën, sepse në përgjithësi gjatë vitit Shqipëria nuk ofron ndonjë jetë të gjallë kulturore. Në momentin që flasim nuk po ndodh asgjë, institucionet e kulturës janë mbyllur.
Na vjen keq që s’keni gjetur aq sa mund të pretendonit. Apo nuk pretendonit?
Withers: Unë kam gjetur shumë kulturë këtu. Një pjesë e qëndrimit tim ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm përmes larmisë kulturore që ofron Shqipëria.
Po ju jap një shembull: para ca ditësh, Ambasada organizoi për mua një festë lamtumire dhe kishte ftuar një grup të muzikës tradicionale dhe valltarë. Ishin djem e vajza 13-14 vjeçar që kërcenin aq bukur. Kishte dhe dy këngëtarë, një djalë dhe një vajzë.
Mësova se kishin konkurruar në një festival në Budapest dhe kishin fituar çmim të parë. Këta janë fëmijë që më vonë i sheh në festival folklorik si ai i Gjirokastrës – çdo krahinë ka muzikën e saj, këngët e saj, kostumet e saj. Është një kulturë e pasur që shtrihet në shekuj.
Dakord, por kjo ka të bëjë me të shkuarën, po flasim për të tashmen.
Withers: Jo, ky është këndvështrimi im – ata fëmijë nuk i takojnë vetëm së tashmes, po edhe të ardhmes së Shqipërisë. Po ju jap një shembull tjetër.
Para ca vitesh, në intervistën tonë të parë – prezantonim enciklopedinë e muzikës iso-polifonike. Kur kam qenë në Përmet, në fshatin Frashër apo në ndonjë dasmë shqiptare këtu në rezidencë – njerëzit të ulur ja si tani, papritur ia merrnin këngës.
Njëri e niste dhe kushdo mund t’i bashkohej me një harmoni dhe melodi që e dinte mirë se si. Kjo më thotë se iso-polifonia është diçka që njerëzit nuk e kujtojnë nga kohët e shkuara por e çmojnë dhe e ruajnë si thesar në ditët tona.
Ta shohësh gëzimin me të cilin ata këndojnë, të dëgjosh ata zëra të jashtëzakonshëm, është e pabesueshme. Është një nga format më të fuqishme dhe më emocionuese të të kënduarit që njoh sepse është zëri, ritmi dhe harmonia – pa instrumente.
Falemnderit që ju i vlerësoni të gjitha këto. Në anën tjetër, opinioni juaj për Shqipërinë e djeshme tingëllon ekzotik. Me interes do ishte diskutimi i kulturës së sotme shqiptare.
Withers: Gjëja e habitshme në kulturë është se nuk mund ta ndani qartë atë çfarë ka qenë dikur nga ajo që do të jetë në të ardhmen. Kultura rrjedh si një lum i bukur me ujë të argjendtë. Lumi ndërron – uji që rrjedh kurrë nuk kthehet pas.
Për mua është pikërisht kjo rrjedhë e mrekullueshme që shoh te Shqipëria. Më duket tërheqëse që të rinjtë dëgjojnë yjet e muzikës moderne të rok & rollit apo çfarëdolloj muzike nga gjithkund, por nuk braktisin atë muzikën tjetër të cilën e vlerësojnë në një kontekst shqiptar.
E admiroj kulturën shqiptare, letërsinë, poezinë, muzikën, vallen, këngën, kostumet – po t’i referohesh historisë suaj dhe gjithë vështirësive që shqiptarët kanë duruar prej pushtimeve – pushtimi otoman; dyndjet nga Bullgaria, Mali i Zi, Serbia, Italia. Njerëzit e duan Shqipërinë ngaqë është vend i mrekullueshëm.
Por Shqipëria është e shqiptarëve dhe atëherë ti përpiqesh të mendosh: kush janë shqiptarët?
Shqiptarët janë ai popull që pavarësisht pushtuesve, pavarësisht komunistëve, u kapën fort te kultura e tyre. Kështu, kur erdhi momenti dhe shqiptarët mund të zgjoheshin sërish dhe të thoshin: “Kjo tokë nuk është e zaptuesit. Kjo tokë është jona, popullit shqiptar!”
Shqiptarët e kanë ditur kush janë. Kultura ua farkëtoi identitetin, i cili mori formë pas otomanëve. Gjuha shqipe ishte si një pishtar, e ndaluar të shkruhej dhe të mësohej në shkollë. Gjatë komunizmit, kishte shumë gjëra pastërtisht shqiptare që karakterizuan shqiptarët – nuk mund t’i shkatërroje.
Shqiptarët e ruajtën elementin thelbësor. Kështu pra, kur flasim për kulturë, nuk mund të flasësh si për një libër mbi tryezë që e keni lexuar. Jo, jo, jo, jo. Po flasim për diçka që njerëzit e kanë në veten e tyre dhe që e ndihmon popullin shqiptar të jetë një popull i jashtëzakonshëm.
Kultura dhe identiteti: kjo është çështja. Ju jeni takuar këtu me intelektualë, shkrimtarë.
A keni takuar njerëz me kurajë?
Withers: Po, sigurisht.
Shqipëria ka nevojë për më shumë njerëz me guxim qytetari.
Withers: Çfarë është kuraja qytetare?
Të ndihesh qytetar i vendit tënd.
Të jesh kundër asaj që nuk shkon mirë, kundër politikës kur ajo gabon. Keni takuar të tillë njerëz?
Withers: Po, shumë. Po jua përshkruaj. Kam takuar fëmijë që mësojnë art në shkollë dhe që kërkojnë shanse më të mira për të zhvilluar talentin e tyre. Mua kjo më duket guxim i vërtetë. Guxim nuk do me thënë të mbash fjalime.
Guxim do me thënë të veprosh për diçka për që ju udhëheq së brendshmi, dhe të gjesh çfarëdolloj mundësie sado të vogël, për ta shfrytëzuar. Historia ime e preferuar… para disa kohës, mora një letër nga një grup adoleshentesh nga Përmeti, basketbolliste. Nuk kishin mundësi financiare të ndesheshin me një skuadër më e fortë se e tyrja.
Shkruanin: “Z. Ambasador, mund të na gjeni disa trajnime që të ndihmojnë nivelin tonë, aftësitë për të shkuar më lart?” Gjetëm për to kampe trajnimi në Mal të Zi, trajnerë dhe lojtarë nga Amerika. Vajzat u ndeshën me skuadra nga Kosova, Maqedonia, Serbia.
Ku është guximi këtu? Ato mund t’ia kishin dalë ndryshe. Mund të thoshin, “Ne thjesht na pëlqen të luajmë. Luajmë, nuk jemi dhe aq të zonjat, humbasim, por në pak vite do të fitojmë përvojë dhe do të bëhemi të forta.”
Jo! Ato thanë, “Nuk e dimë nëse Ambasada Amerikane mund të na ndihmojë, por le ta marrim vesh.” Sporti është sigurisht një pjesë e kulturës. Kjo na ndodh shpesh, njerëz që duan të zhvillojnë talentin e tyre.
Po flisni për të rinjtë dhe ndoshta e dini se vetëvrasjet e të rinjve, sidomos e të rejave, tek ne nuk janë pak.
Withers: Është vërtet për të ardhur keq. Por, ju më pyetët për të rinj që guxojnë. Njerëzit që guxojnë nuk e bëjnë këtë. Ata thonë: unë do të këmbëngul, do të vazhdoj, do të ec përpara cilatdo qofshin vështirësitë. Do mundohem të bëj më të mirën që mundem. Ky është guxim.
Po, por kjo seri vetëvrasjesh mund të lexohet edhe si një kundërshtim, mosmiratim i realitetit, i momentit që po kalon vendi.
Withers: Tragjedi ka gjithmonë, gjithkund. Ka shumë të rinj amerikanë që fatkeqësisht kryejnë vetëvrasje edhe pse Amerika është vendi i mundësive të mëdha. Po flasim për më të rinjtë dhe këta i përkasin kategorisë së guximtarëve – së paku sipas përvojës sime. Kam takuar në Shqipëri të rinj të mrekullueshëm.
Me disa kemi krijuar një klub të librit. Zgjedhim një libër së bashku dhe çdo dy muaj, ulemi dhe e diskutojmë. Këta të rinj janë realistë, e dinë se duhet punë e madhe, përqendrim dhe përkushtim për të shkuar përpara.
Dhe ata planifikojnë. Ata janë të angazhuar. Jo me fjalë, mjafton të shihni veprat e tyre. Kam ndjekur kulturën e vendeve të ndryshme. Kulturën unë nuk e shoh si diçka të pandryshueshme.
Kultura është një gjë organike. Asnjëherë nuk mbetet e njëjta. Zhvillohet, përpunohet. Ka disa elementë të kulturës të cilat njerëzit i mbrojnë sepse pikërisht ato elemente i bëjnë njerëzit të jenë ata që janë. Dhe ata që janë këtu, janë shqiptarë.
Shpresoj që të rinjtë të ndihen krenarë që janë shqiptarë, ndoshta ata nuk e kuptojnë dhe nuk e vlerësojnë për momentin, por shqiptarët dhe Shqipëria kanë shumë për t’i dhënë botës.
Unë erdha këtu dhe nisa të lexoj pak gjëra, aq sa kisha mundësi, u përpoqa të shoh aq sa mund të shoh, të flisja me njerëz aq sa mund të flas dhe e bëra këtë, jo ngase kam gjë për t’u dhënë atyre, por kanë ata kaq shumë për të më mësuar mua. Kjo ka qenë historia e tri viteve të mia këtu.
Historia e një nxënie të madhe dhe prandaj ndihem më i pasur. Ndjej se po kthehem në Amerikë, në pak javë, më i mirë si njeri sepse shqiptarët më kanë ndihmuar të punoj këtu dhe të besoj këtu.
E vlerësojmë humanizmin që ju keni gjetur raste ta tregoni këto vite.
Withers: Falemnderit. Pikërisht këtë gjë po përpiqem të shpjegoj. Këtu është kaq e thjeshtë të jesh i hapur dhe njerëzor.
Unë erdha këtu të zbuloj dhe – shpesh zbulon gjëra të këqija – shumë nga gjërat që zbulova këtu kanë qenë magjepsëse ose intriguese ose, ç’është më e rëndësishme, provokuese.
Më kanë shtyrë të kthehem pas dhe të gjykoj këndvështrimin ndaj diçkaje. Ti lexon Naim Frashërin dhe vërtet që ai i ka bërë një portret romantik Shqipërisë – pyjet dhe malet – por po të shkosh në Frashër e kupton pse. Është nga vendet më të bukura që kam parë ndonjëherë. Ndërsa Migjeni e ka parë njeriun në një këndvështrim të zymtë.
Naim Frashëri i shkroi ato kur ndodhej larg Shqipërisë.
Withers: Është e vërtetë. Kur erdha këtu zbulova lirizmin e Naim Frashërit, zbulova dhe terrin e Migjenit. Nuk po veçoj njërin mbi tjetrin. Të dy të mësojnë diçka. Më ka goditur, për shembull, ajo që kam lexuar nga Dritëro Agolli. Pak gjëra ka në anglisht prej tij, por aq sa kam lexuar më duket provokues.
Ka një mënyrë të mprehtë të të shkruarit, me shumë nuanca. Të shtie në mendime kur e lexon. Kadare, kemi folur në klubin tonë të librit për “Prillin e thyer”. Çdonjëri prej nesh kishte për atë libër një mendim të ndryshëm nga tjetri.
Sa kilometër rrugë keni bërë në tre vjet?
Withers: Nuk i llogaris dot. Kam qenë në shumë vende dhe shumë të tjera kam lënë pa i parë. Kam qenë në Elbasan disa herë, në Vlorë, Gjirokastër, Shkodër, Korçë, Përmet, Kukës, Durrës, Fier, Apolloni, Berat.
Tropojë?
Withers: Jo. Kam dashur të shkoj në Theth, në Valbonë. Kur të kthehem për të parë memorialin e holokaustit, do të shoh vendet që s’i kam parë. Është vend i mahnitshëm. Them se të rinjtë shqiptarë shpesh ndihen…cila është fjala e duhur?
Të pashpresë?
Withers: Përse pa shpresë? Kam biseduar me shumë gazetarë. I di problemet… E vështirë që të rinjtë shqiptarë të jenë idealistë sepse mendojnë dhe ndjejnë që rrethanat e tyre janë të ndërlikuara. E respektoj këndvështrimin e tyre.
Po them këtë: shumë shpesh, njerëzit i zë rutina dhe ca gjëra u ikin. Ka njerëz të tjerë që nuk dinë shumë për këtë vend, por thonë: Pa dale pak, ka edhe ca gjëra të mira këtu. Unë mund t’i shoh sepse nuk jam, siç thatë ju, “në mes”.
Ka njerëz që thonë: eh, ju nuk e dini! Ka të tjerë që mendojnë: Më lër një minutë, më lër të mendoj për disa nga gjëra që bëj dhe i kaloj shpejt. Ndoshta nuk janë dhe aq keq.
Ndoshta ata mendojnë: Uau, ja një amerikan që po na i tregon këto punë! Shumë njerëz në Shqipëri e mbajnë Amerikën për shumë shumë lart.
Megjithatë, nuk mund të pajtohem me optimizmin tuaj. Shqipëria nuk është qumësht e mjaltë.
Withers: E di. A mund t’ju bëj të besoni? Jo. Nuk është ky qëllimi im. Kam qenë pikërisht në moshën tuaj [kur thosha]: Lëmsh i keq është bota dhe lëmsh do të jetë gjithmonë e unë nuk mund të bëj asgjë dhe asgjë s’ka për të ndryshuar.
Kështu mendoja…
Por çështja është që: tani jam shumë më i moshuar se ju dhe me kalimin e moshës diçka ka ndryshuar me të vërtetë: e para durimi, e dyta kureshtja.
Kur isha në shkollë, 17-18-vjeçar kisha një mësues dhe mësuesi nuk dinte ç’të bënte me mua. Jo pse ngatërrohesha në zënka ose kisha sjellje të keqe, por ngaqë bëja pyetje gjithmonë. Thosha: interesante kjo, po kjo tjetra si shpjegohet?
Ose si funksionon kjo. Derisa më në fund njëri nga mësuesit e mi, ai i letërsisë, tundi kryet dhe tha: e di ti që je një nga njerëzit më me fat e më pa fat në këtë shkollë? Unë i thashë: pse? si ka mundësi? kjo është paradoks. Ai tha: je me fat sepse je kureshtar dhe je pa fat sepse je kureshtar.
Kam menduar gjatë për këtë. Vite më vonë po lexoja “Vëllezërit Karamazov” të Dostojekvskit e aty gjeta një fjali që më bëri të kuptoja atë që thoshte mësuesi im. Është një fjali ku më duket përshkruhet vëllai Ivan dhe vëllai tjetër thotë për Ivanin: Ai është një njeri që kërkon, jo miliona por përgjigje për pyetjet e tij.
Po të jesh kureshtar, gjithmonë do të kesh pyetje. Kompleksiteti i gjërave është kur nuk ke përgjigje për ato pyetje. Kur nuk ke përgjigje, nuk je i sigurt për atë që duhet të bësh.
Ku ndryshoj unë nga filozofi – ka disa që thonë se brenda meje është një filozof i vogël; ju keni në vetvete shumëçka prej filozofi – filozofi thjesht dëshiron të shpjegojë natyrën e të kuptuarit njerëzor dhe të ekzistencës njerëzore. Kjo për mua nuk mjafton. Unë duhet të BËJ diçka.
Mendoj se dhe ju dëshironi të BËNI diçka e jo të rrini duarkryq. Ju po thonit se e mendonit këtë intervistë të vështirë, meqë po flisnim për gjëra, le ta quajmë si analiza – por nuk folëm për atë që quhet veprim mbi këto gjëra. Kjo është pjesa më e vështirë, të vepruarit.
Pasi pyetje ka shumë, por dy pyetjet më të mëdha janë: E para, a e kam unë guximin që të veproj? Kjo ishte pyetja juaj. Të vepruarit është shumë frikësues. Ju keni guximin të veproni. Pasi ju e dini si çfarë do të ndodhë – ju veproni dhe dikush ka për të reaguar.
Ju bëni ose thoni diçka, dikush do t’ju kritikojë. Asnjëri nuk dëshiron që ta kritikojnë. Ka shumë njerëz që thonë, më mirë sesa të më kritikojnë, nuk po veproj fare. Pra e para është veprimi.
Ndërsa e dyta është që të veprosh në mënyrën e duhur. Sepse është e lehtë të veprosh, ja unë mund të nis të flak gjëra andej-këndej, ky quhet veprim. Por varet nga ajo që bën, të merresh me këtë botë që e quan lëmsh i keq dhe të mundohesh të bësh diçka.
Nuk është e lehtë… Nuk është e nevojshme ta mendosh gjatë çdo hap. Nuk është e thënë të kesh çdo herë të drejtë, se ndryshe nuk do të ishim qenie njerëzore. Do të kishim qenë ndonjë formë tjetër më e lartë. Mos u shqetëso për këtë dhe mos u shqetëso për kritikat. Sepse kritika ka shumë. Në të vërtetë disa kritika janë të mira.
Ngaqë të kritikosh do të thotë të kesh përgjegjësi?
Withers: Kjo është, e saktë, sepse ke përgjegjësi, sepse ka diçka që mund ta bësh. Humbja e shpresave është kur nuk mund të bëhet asgjë. Sikur të qëndroja më gjatë në Shqipëri, ka kaq shumë gjëra që do të kisha bërë. Por të jem realist, kam vetëm tre vjet, bëj aq sa mundem në tre vjet pastaj eci më tej, mund të vazhdoj të veproj, të bëj diçka. Të mos ndalem asnjëherë. Asnjëherë…
Duhet të mbaja një herë një fjalim. Më vjen keq që s’e kam këtu. Stafi im më gjeti për të një betim që të rinjve athinjotë u duhej ta deklamonin kur mbushnin moshën 17 vjeç. Bënin një betim për qytetin e tyre.
Përshkruanin gjithë rrugët që do të ndiqnin, idetë, energjinë që do të përdornin për qytetin e tyre, përfshirë këtu edhe kundërshtimin ndaj atyre njerëzve idetë e të cilëve nuk ishin më të freskëta dhe që e pengonin qytetin.
Ai betim mbyllet me një fjali të bukur: “Kështu, me gjithë këto mënyra, do ta përçojmë qytetin tonë më tej, jo më të pakët, por më të madh dhe më të bukur sesa na e patën përçuar ne.” Ja pra, ky mendoj se është roli ynë. Unë nuk mundem t’i zgjidh gjithë problemet e Shqipërisë, unë nuk mundem të zgjidh as gjithë problemet e mia.
Por në qoftë se unë mund të largohem prej këndej duke sjellë pakëz përmirësim në krahasim me atë që gjeta kur erdha, atëherë e kam përmbushur synimin tim. Do të kthehem në Amerikë, është po e njëjta gjë.
E pashë këtë gjë para disa vjetësh në mënyrën më të fuqishme e më prekëse që e kam parë ndonjëherë. Kam qenë me fat në moshën 10-vjeçare. Shkova me të mitë jashtë Amerikës, përtej detit. Edhe brenda Amerikës prindërit u larguan nga jugu. Në jug kishte njëfarë aparteidi.
E quanin Jim Crow, kjo nënkupton që afro-amerikanët jetojnë si qenie inferiore ndaj të bardhëve. Në këtë mjedis janë rritur im atë dhe ime më. Ju thashë se ata e dashuronin jetën.
Shumë prej miqve të tyre rrinin e thonin se për zezakët e zezaket Amerika është një vend i shëmtuar që nuk ka për të ndryshuar kurrë. Ne nuk do të arrijmë kurrë ta përmbysim mendësinë e të bardhëve. Gjithmonë kështu ka për të qenë. Para nja dy vjetësh zgjodhëm Barack Obaman.
Rrija dhe dëgjoja shumë nga njerëzit që patën thënë ato gjëra. Tani ata thoshin: dua ta falënderoj më gjunjë Perëndinë që pata jetë sa ta shoh këtë ditë.
Nëse dëshiron të flasësh për ndryshim dhe shndërrim dhe zbledhjen e asaj pjese të botës që është lëmsh, nuk mund ta besosh se ç’donte të thoshte për njerëzit në Shtetet e Bashkuara që jetuan sa ta shihnin ditën kur u zgjodh Barack Obama.
Ai mund të bëhet më i keqi president që kemi patur ndonjëherë – kjo nuk ka rëndësi. Unë mendoj se ai do të bëhet një president i madh. Por nuk ka kjo rëndësi. Rëndësi ka ajo që tha populli amerikan: Ky është njeriu që duam, pastaj qëlloi edhe që të jetë me ngjyrë të zezë.
Ju falemnderit për bisedën, për pjesën e dytë sidomos. Atëherë, do të largoheni pas tre javësh?
Withers: Po. Nuk do ta kem të lehtë. Unë jam shumë i qetë këtu në Shqipëri. E përdor këtë fjalë sepse nuk dua të tingëllojë romantike. Këtu ka plot probleme. Qarkullimi është një problem i madh, arsimi po ashtu dhe shëndetësia.
Shqipëria po ndryshon shumë shpejt dhe ndryshimi jo gjithmonë është progres i menjëhershëm. Ndryshimi është si rruga, mund të jetë me gunga, ju duhet t’i shmangni, madje ndonjëherë të prapësoheni. Por, besoj në Shqipëri, energjia po shtyhet përpara e nxitur nga shoqëria më shumë se nga udhëheqësit.
Njerëzit kanë filluar ta ndjejnë që e kanë këtë forcë.
Withers: Ndonjëherë njerëzit ndalen dhe i mbajnë sytë nga udhëheqësit. Ata nuk kanë nevojë të shqetësohen për këtë…
Kjo është një intervistë për njerëzit dhe prandaj doja që të flisnim për idetë e tyre, shpresat, zhgënjimet, gëzimet, hidhërimet dhe të qeshurën. Është e Terencit, mos gabofsha – poetit latin, thënia e famshme: “Unë jam njeri dhe prandaj, asgjë prej njeriu nuk është e huaj për mua.”
Kështu mendoj. Politika është matanë, gjërat thelbësore janë këtu. Njëherë bisedoja me një vogëlushe dhe ajo më tregonte për jetën e saj, shkollën, mësuesit që pëlqente dhe ata që kishte zët – sa bukur. Unë mund të kisha biseduar me atë përgjithmonë
Falemnderit.
Withers: Shumë falemnderit.